Gazment Bardhi: Shqipëria me vonesë në negociatat me BE për shkak të çështjes “Balluku”

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se negociatat me Bashkimin Evropian po vonohen për shkak të vendimit të marrë nga Partia Socialiste, e cila nuk lejoi heqjen e imunitetit për ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.

Bardhi, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama se opozita kërkon bllokimin e negociatave të vendit tonë në Bruksel, tha se e vërteta qëndron ndryshe.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Edi Rama, mjaft i gënjeve dhe u talle me shqiptarët! Po të mos ishte vota jote kundër SPAK-ut dhe pro Belinda Ballukut, Shqipëria sot do të kishte nisur mbylljen e kapitujve për negociatat e anëtarësimit. Kjo s’po ndodh, jo për faj të opozitës, por sepse nuk ua shet dot sapunin për djathë vendeve anëtare të BE-së. Sot jemi në kushtet kur Shqipërisë po i shtohen kushtet në negociatat për anëtarësim, sepse kryeministri, avokat i Belinda Ballukut, ka thyer në mes besimin e partnerëve për sundimin e shtetit të së drejtës dhe barazinë para ligjit”, tha Bardhi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bardhi shton se çështja “Balluku” ishte një test për Shqipërinë në rrugën e integrimit.

“Këtë nuk e tha opozita në Tiranë. E tha Europa! Dhe sot jemi me të paktën 4 muaj vonesë me negociatat, jo për faj të opozitës, siç mashtron Edi Rama, por sepse ai zgjodhi Belindën, pra karrigen e tij, para integrimit europian dhe interesit të shqiptarëve. Për dy çështje kryesore kanë interes vendet anëtare: korrupsionin e Belinda Ballukut dhe skandalin e AKSHI-t.

Për të dyja këto, deri tani janë dërguar 49 pyetje, dhe përgjigjet e dhëna nga Komisioni Europian ende nuk i kanë bindur vendet anëtare që të japin dritën jeshile”, vijoi Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar të PD kërkoi gjithashtu transparencë nga kryeministri Rama.

“Pse nuk u tregon shqiptarëve se në mbledhjen e fundit të datës 9 prill, 7 shtete anëtare kanë deklaruar se do të dërgojnë propozime të tjera shtesë për Shqipërinë? Pse nuk u thotë Edi Rama shqiptarëve se 4 shtete anëtare, me shqetësim të shtuar pas votës së tij në mbrojtje të Ballukut, kanë deklaruar se do t’i miratojnë piketat e ndërmjetme (detyrat që duhen bërë gjatë negociatave), por vetëm me kusht që tek piketat mbyllëse (kriteret finale për të mbyllur një kapitull) të vendosen kushte të përforcuara dhe më të gjera për Shqipërinë?

Besoj se kujtdo i kujtohet qëndrimi i Edi Ramës në fushatë se ‘nuk mund të humbim as edhe një ditë kohë me negociatat, sepse dera e BE-së mund të mbyllet’. Sot ka vetëm një përgjegjës për vonesën e negociatave: Edi Rama. Sot ka vetëm një të vërtetë për integrimin: me votën kundër SPAK-ut për rastin ‘Balluku’, Edi Rama do t’i kushtojë Shqipërisë jo një apo dy ditë, por të paktën 6 muaj vonesë në procesin e integrimit”, theksoi Bardhi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?