Gazment Bardhi: Vendit i nevojitet Qeveri e përkohshme

Flet për “Koha Jonë”, Eksperti për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike 

Intervistoi: Jonida Halili

“Protesta e 27 Janarit ishte tregues i qartë se shqiptarët kanë nëvojë urgjente për një Qeveri të përkohshme, pasi realiteti i sotëm tregon se jemi një vend ku krimi nuk ndëshkohet, por promovohet deri në nivelet më të larta të qeverisjes, ku trafiku i drogës nuk luftohet, por shndërrohet në projekt qeveritar dhe realizohet nën kujdesin e posaçëm të Ministrit të Brendshëm, ku i gjithë shteti vihet në shërbim të organizatave kriminale dhe aferave korruptive, ku nuk qeveriset por sundohet me arrogancë dhe paligjshmëri”, kështu ka deklaruar këshilltari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Bardhi flet lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KLGJ dhe KLP ku theksoi se opozita e ka provuar tashmë me fakte se procesi është i deformuar dhe në shkelje flagrante me ligjin.

Ndërsa sa i përket mundësisë për një konsensus mes PD-PS, për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi, Bardhi shprehet se opozita ka ofruar një mundësi  për zgjidhjen e situatës së paligjshmërisë së krijuar në organin e prokurorisë, por që u kundërshtuan nga PS, gjë që tregon se ka një strategji të qartë dhe të parapërgatitur për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Kjo e bën të pamundur arritjen e konsensusit në këtë rast.

Kreu i PD-së, z.Basha, por dhe aleatët e tjerë të PD-së kërkojnë krijimin e një qeverie anti-mafie. Si mund të arrihet në këtë pikë?

Është vështirë të besohet që në 2018 në Shqipëri, një vend kandidat për në Bashkimin Europian, lind nevoja për një Qeveri anti-mafia. Por realiteti dikton sot pikërisht këtë nevojë. Në një vend ku krimi nuk ndëshkohet, por promovohet deri në nivelet më të larta të qeverisjes, ku trafiku i drogës nuk luftohet, por shndërrohet në projekt qeveritar dhe realizohet nën kujdesin e posaçëm të Ministrit të Brendshëm, ku i gjithë shteti vihet në shërbim të organizatave kriminale dhe aferave korruptive, ku nuk qeveriset por sundohet me arrogancë dhe paligjshmëri, Qeveria humbet legjitimitetin, dhe vendit i nevojitet një Qeveri e përkohshme, që lufton krimin dhe përgatitë vendin për zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme. Reagimi qytetar i 27 Janarit tregoji se shqiptarët mbështesin këtë dhe pikërisht do jetë reagimi i tyre i vazhdueshëm që do i pamundësojë Edi Ramës qeverisjen me krimin, do mundësojë largimin e parakohshëm të kësaj Qeverie, dhe do i hap rrugë krijimit të Qeverisë që do të luftojë krimin e organizuar dhe do krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Edhe në çadër u kërkua qeveri teknike. Ju ishit vetë pjesë e zbatimit të asaj marrëveshjeje, si ministër teknik i Drejtësisë, ku së bashku me kolegët tuaj teknikë, “dështuat” në misionin për të parandaluar shit-blerjen e votave, përdorimin e administratës publike, përdorimin e parave të krimit, apo edhe të njerëzve të inkriminuar në fushatë, etj, në zgjedhjet e 25 qershorit. Shqetësime këto që u reflektuan edhe në raportin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Pra, sa të realizueshme janë zgjedhjet e lira në Shqipëri?

Me Qeverinë aktuale dhe Kryeministrin në detyrë është pothuajse e pamundur që të realizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo tashmë është e provuar. Sikurse e përmendni edhe ju, në zgjedhjet e Qershorit, Partia Demorkatike propozoi disa ministra teknik. Fillimisht duhet të theksojmë se suksesi apo dështimi i secilit prej ministrave teknikë, ishte e qartë se do të varej nga serioziteti dhe vullneti i palëve në atë marrëveshje politike. Administrata publike u porositë të mosbashkëpunonte me ministrat teknik, dhe kjo pamundësojë përmbushjen e plotë të misionit tonë apo arsyet për të cilën u emëruam. Po e shpjegoj me një shembull konkret. Nëse nga ana jonë dërgoheshin në Polici raste konkrete të shitblerjes së votës, përdorimit të parave të krimit, përdorimin të njerëzve të inkriminuar për të ushtruar presion, do të duhej që Policia e Shtetit të reagonte. Mirëpo, faktet treguan se Policia e Shtetit, nuk kishte në fokus të përmbushte përgjegjësitë e veta, por ti shërbente Kryeministrit dhe mazhorancës në zgjedhje. Prandaj edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, janë padiskutim cështje vullneti politik të palëve të përfshira, por edhe ushtrim përgjegjësish nga institucionet. Nëse kombinohen këto të dyja, është tërësisht e mundur që edhe Shqipëria të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

z.Bardhi zgjedhja në mënyrë të njëanshme, por si rezultat i një kërkesë të bërë nga zyrat kryesore ndërkombëtare që po asistojnë Shqipërinë në realizimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, Euralius dhe OPDAT, e kryeprokurores së përkohshme të përgjithshme duket se ka hapur një vatër të re beteje mes mazhorancës dhe opozitës. Në fakt, sa e ligjshme është një zgjedhje e tillë, dhe çdo të thotë kjo për vetë reformën në drejtësi?

Më duhet të bëj një korrigjim të vogël që zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Përkohshëm nuk ishte rezultat i kërkesës së Euralius apo Opdat, por rezultat i nevojës urgjente që kishte Kryeministri dhe mazhoranca për të marrë nën konktroll organin e prokurorisë. Opdat dhe Euralius në atë rast u përdorën nëpërmjet kërkesës së mazhorancës për të lëshuar një Opinion, pikërisht për të justifikuar shkeljen flagrante të Kushtetutës dhe ligjit që kishte planifikuar prej kohësh Edi Rama.  Zgjedhja pa ligj, pa vetting dhe pa shumicën e kërkuar kushtetuese të Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, është jo vetëm e paligjshme dhe antikushtetuese, por njëhap konkret për të kontrolluar politikisht çështjet penale nën hetim të anëtarëve të mazhorancës, për të ndikuar në procesin e vettingut të prokurorëve, dhe për të kontrolluar zgjedhjen e 6 prokurorëve, anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky veprim i paligjshëm për fat të keq po dëmton rëndë besimin e publikut tek Reforma në Drejtësi, sepse nisja e saj me akte të paligjshme dhe veprime arbitrare, thellon mosbesimin dhe po bëhet premisë serioze për rindërtimin e klimës së pandëshkueshmërisë nën një regjim të ri institucional. Kjo bie ndesh me qëllimin për të cilën u ndërmorë Reforma në Drejtësi.

Opozita ka artikuluar ditët e fundit se Arta Marku brenda një muaji arriti të mbyllë shumë dosje të rënda që, siç pretendohet, dëshmojnë lidhjen dhe kapjen e qeverisë dhe mazhorancës me botën e krimit. Ligjërisht, a ka kompetenca të tilla kryeprokurorja Marku, duke qenë se ajo ka një mandat të pjesshëm?

Ju kujtoni se gjatë debatit qëparapriu zgjedhjen e znj. Marku në detyrë, deputetët e PS betoheshin se ajo sipas ligjit kishte vetëm disa kompetenca të kufizuara, dhe se shqetësimi i opozitës për rolin e saj nuk ishte i drejtë. Mirëpo, ligjërisht, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm ushtron të gjitha kompetacat që pas miratimit të reformës janë të ndara midis Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është fakt sot, që nga koha e zgjedhjes së saj në detyrë, kanë ndodhur akte që provojnë shqetësimin që shprehu Partia Demokratike në atë kohë. Kujtojmë këtu se menjëherë pas emërimit të njënashëm të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri iu hoq masa shtrënguese e ndalimit të daljes jashtë shtetit (arrestimi i tij u ndalua nga Partia Socialiste); u lirua shtetasi Orest Sota, i dyshuari për pastrim të parave të paligjshme të z. Tahiri; u ndalua hetimi i kryetarit të Bashkisë Durrës dhe Elbasan; anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal “Xibraka”, ku media ka ngritur dyshime të forta për përfshirjen e familjarëve të afërt të Kryeministrit, ju ul dënimi në mënyrë lehtësuse dhe prokuroria nuk apelojë vendimin;  disa çështje të tjera të trafikut të drogës dhe të kriminelëve të njohur morën kthesa të forta drejt dështimit të tyre; personi i vetëm i arrestuar në procedimin penal ku është pjesë edhe ish Ministrit Tahiri, shtetasi Nezar Seiti iu hoq në mënyrë të kundërligjshme prokurorisë për krime të renda, duke e ekstraduar në Itali. Kjo u bë ekzaktësisht për të prishur hetimin e nisur nga autoritetet shqiptare.

Pas kundërshtimeve për kryeprokuroren, a ka mundësi për konsensus mes PD-PS, për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja?

Opozita ka ofruar një mundësi konkrete për zgjidhjen e situatës së paligjshmërisë së krijuar në organin e prokurorisë, duke propozuar disa shtesa konkrete në Kushtetutë dhe ligj. Mirëpo, ato u kundërshtuan nga Partia Socialiste ende pa u lexuar. Kjo provon se Partia Socialiste ka një strategji të qartë dhe të parapërgatitur për kapjen politike të sistemit të drejtësisë. Kjo e bën të pamundur arritjen e konsensusit në këtë rast, për shkak se qëndrimi ynë që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi, ka qenë dhe mbetet vetëm zbatimi i përpiktë i Kushtetutës dhe ligjit. Mazhoranca ka një qasje tjetër. Injorim të Kushtetutës dhe ligjin, nëse i rrezikohet projekti për kapjen dhe kontrollin politik të sistemit të drejtësi. Është e pamundur që Partia Demokratike të bëhet pjesë në këtë paligjshmëri.

Ditët e fundit palët janë përfshirë në një debat të ashpër sa i përket përzgjedhjeve të kandidatëve për anëtarë të KLGJ dhe KLP. PS pretendon se procesi është ligjor, ndërsa opozita thotë që ai është antikushtetues. Jo vetëm kaq, por PD-ja tashmë i ka hapur dosjet për disa prej këtyre emrave të përzgjedhur me short. A ka një strategji PD-ja dhe opozita për të bllokuar votimet e tyre në Kuvend, ku për disa prej të cilëve ju keni hapur dhe dosjet?

Opozita e ka provuar tashmë me fakte se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ dhe KLP është i deformuar dhe në shkelje flagrante me ligjin. Në procesin e votimit u përfshinë të paktën 3 kandidatë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i skualifikojë nga gara. Nga ana tjetër, u eleminua konkurimit në përzgjedhje për shkak se numri i kandidaturave të vlefshme, ishte më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante, sic kërkon ligji. Gjithashtu, në votim u përfshinë kandidatë që nuk plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore; u injorua vlerësimi i ONM se pjesa dërrmuese e kandidatëve kanë nivel mesatar apo të ulët profesional; nuk u bë verifikimi i ligjshmërisë së pasurisë për të gjithë kandidatët; si dhe nga ONM u konstatua se janë ndjekur praktika diskriminuese dhe jo të barabarta në trajtimin e kandidatëve nga strukturat e përfshira në procesin paraprak të vlerësimit. Për pasojë, pjesë e listës së personave të përzgjedhur në KLGJ dhe KLP janë edhe individë që kanë qenë bashkëpunëtor të ish-sigurimit të shtetit; hetues, gjyqtarë dhe prokurorë të kohës së komunizimit në gjyqe politike; individë të angazhuar nënivele të larta nëpolitikë; persona të skualifikuar nga ONM; candidate që nuk kanë paguar rregullisht tatimet ndaj shtetit; apo persona që nuk provojnë ligjshmërinë e pasurisë së tyre. Kjo nuk është hapje e dosjeve të tyre sic ju e cilësoni, por shqyrtim me përgjegjshmëri i dosjeve që ato vetë kanë dorëzuar dhe që provojnë mos përmbushjen e kritereve ligjore apo kushtetuese të përzgjedhjes. Evidentimi i problematikave është një mundësi për korrigjim të paligjshmërisë sa jemi në kohë dhe ushtrim me përgjegjshmëri i funksioneve nga deputetët e opozitës. Kjo as nuk e bllokon procesin dhe as nuk pengon zgjedhjen e këtyre individëve. Mirëpo, unë vlerësoj se zgjedhja e individëve që nuk plotësojnë kriteret, apo që nuk gëzojnë integritetin e duhur moral apo profesional, është shumë herë më i rrezikshëm sesa vetë bllokimi i ngritjes së këtyre organeve. Kjo për faktin se përbën sabotim të qëllimshëm të Reformës në Drejtësi dhe nxjerrjen e saj nga objektivat që duhet të arrinte nëpërmjet ngritjes së organeve të reja të sistemit të drejtësi. Mesa duket projekti i mazhorancës synon pikërisht këtë, të sabotojë realizimin e refomës në drejtësi, sic e kërkuan, besuan dhe presin qytetarët shqiptarë.

Kuvendi dështoi sot në raundin e dytë të votimit të listës së anëtarëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, çka i hap rrugë PS-së që të zgjedhë e vetme dhe pa konsensusin e opozitës këta anëtarë. Çdo do të thotë kjo për “drejtësinë e re”? A ka ndonjë instrument opozita t’i bllokojë këto institucione, në mënyrë që të shmanget dhe kapja e institucioneve të reja të drejtësisë nga mazhoranca?

Opozita ka për detyrë të evidentojë shkeljet dhe të kërkojë korrigjimin e tyre. Nuk ka asnjë mundësi opozita që të ndalojë mazhorancën të vijojë e vetme me projektin që ka nisur për shkatërrimin e Reformës në Drejtësi dhe kapjen politike të organeve të reja të drejtësisë. Këtë mund dhe do ta bëjnë vetëm qytetarët shqiptar, që kanë 2 vjet që presin rezultatet e Reformës në Drejtësi, por ajo që po shohin cdo ditë është sesi ata që duhet të jenë në burg, dalin prej andej, thjeshtë për faktin se kanë mbështetjen e Qeverisë. Shembulli i qytetarëve rumun do të jetë burim frymëzimi edhe për qytetarët shqiptarë shumë shpejtë.

Po ashtu një tjetër front në betejën maxhorancë-opozitë, është propozimi i PS-së që Prokuroria duhet të sjellë prova në Parlament, për arrestimin e deputetëve. E shihni si mbrojtje të PS-së, pasi parlamenti nuk është gjykatë? Kë kërkon të mbrojë Rama?

E theksova edhe më parë që të gjitha veprimet që po ndërmerr Qeveria në kuadër të Reformës në Drejtësi, po bëhen premisë serioze për rindërtimin e klimës së pandëshkueshmërisë nën një regjim të ri institucional. Në kuadër të forcimit të kulturës së pandëshkueshmërisë vjen edhe propozimi i bërë nga Partia Socialiste, që në Rregulloren e Kuvendit, të parashikohet se kërkesa e organit të prokurorisë për heqjen e imunitetit ndaj një deputeti apo ministri, të shoqërohet me prova, të cilat vlerësohen nga Kuvendi. Në këtë mënyrë, Kuvendi po merr atributet e gjykatës, duke zhbërë qëllimin e Reformës në Drejtësi dhe duke shërbyer si mburojë për deputetët apo ministrat e korruptuar, siç veprojë në rastin e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Është e qartë, dhe ky rast, tregoi hapur se kush ka frikë nga Reforma e vërtetë në Drejtësi, apo se kush po përgatitet ti shpëtojë veprimtarisë së Prokurorisë Antikorrupsion dhe Byros Kombëtare të Hetimit, nëpërmjet shndërrimit të Parlamentit në Gjykatë. Edi Rama ka një listë të gjatë zyrtarësh të tij të lartë që i duhet të mbrojë. Lista fillon me vetë atë.

SHKARKO APP