Genc Ruli: Në Kroaci dhe Rumani reformat në drejtësi i kanë “inaguruar” kryeministrat

“Ambasadorët më shumë u shfaqën dhe vepruan si “Krishti që përzë tregtarët nga tempulli”, ndërkohë që duhet të punonin në prapaskenë. Rama donte ta përdorte reformën për fushatë elektorale dhe së dyti  ai ka synuar të godasë politikisht kundështarët, pra që PD-ja të mos votonte fare”

Deputeti demokrat, Genc Ruli tha dje në një intervistë për gazetaren  ABCNewsS, Mirela Milori, se kryeministri ka qënë njeriu i parë që nuk e ka dashur reformën në drejtësi. Ai bën një analizë të dy viteve të procesit të diskutimit të draftit dhe ndryshimeve që ai pësoi. Roli i Bashës, Metës dhe Ramës dhe kush doli më i fituar. A e ka më të lehtë moralisht LSI-ja e PD-ja të ribëjnë koalicionin… “Nuk e besoj”, – përgjigjet ai. 

Zoti Ruli, dje kaloi me 140 vota Reforma në Drejtësi. Cili mendoni se do të jetë fati i saj në vijim? 

Janë fjalimet e kryeministrit Rama dhe kreut të komisionit të reformës, Xhafaj që zbulojnë përgjigjen e pyetjes suaj. Fjalimet e tyre ishin patetike. Asnjë “mea culpa” për sistemin e drejtësisë. Korrupsioni në drejtësi është përdorur nga Rama për të mbuluar korrupsionin e vërtetë qeveritar. Shpresoj shumë se po të ketë vullnet politik do të ketë efekte edhe për ‘qytetarin e dobët”, i cili deri tani ka qenë i pakënaqur nga drejtësia.

A ju bindi drafti i paketës kushtetuese që e votuat?

Për historinë time personale, që jam familjar me çështjet kushtetuese, pasi kam marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së vitit ’98, drafti ka disa probleme. Megjithatë, mendoj se janë në një nivel të tillë që me një vullnet të mirë në zbatim ato mund të shmangen. Fjala vjen te elementi  “check and balance”. Me këtë draft  rreziku i kontrollit që duhet të ushtrojë politika te gjyqësori është më i dobët. Nuk ka më drejtësi të sistemit politik. Ndërsa çështja e koorporativizmit të gjyqtarëve ku ata zgjidheshin nga njëri tjetri dhe kontrollonin njëri-tjetrin, e ka shumë më të madhe tendencën. Nga ana tjetër, nëse politika do të vazhdojë me vesin e vjetër ky fenomen do të theksohet.

Në momentin që zhvillohet vetting-u,  për individët që nuk justifikojnë pasurinë ka vetëm largim dhe jo subjekt hetimi, gjë që duket e çuditshme.

Problem tjetër është se njeriun e fortë, atë që ne kërkojmë ta tërheqim në sistemin e drejtësisë, zor se do ta tërheqë. Prokurorët specialë duhet të deklarojnë se pranojnë të përgjohen në telefonata dhe çdo mjet komunikimi të tyre dhe të familjarëve të tyre. Por një njeri me dinjitet zor se do ta pranojë këtë. Këto janë më shqetësueset.

Ka pasur debate brenda grupit parlamentar demokrat për qëndrimin që duhet mbajtur në lidhje me reformën. Eduard Salami deklaroi se do të votojë pro saj edhe nëse demokratët do të votonin kundër. Po kështu zonja Bregu, ndërsa ju keni thënë se ka ambasadorë që bëjnë si kryeministra dhe kryeminstra që bëjnë si ambasadorë?

Ky debat nuk është vetëm i ditëve të fundit. Individët më protagonsitë në mbledhjet e grupit parlamentar kanë qenë Bregu, Patozi, unë, Imami. Debati ynë ka qenë produktiv në krahasim me situatën qesharake të grupit të Partisë Socialiste. Shqetësimet e mia kishin të bënin me elementë që cënonin legalitetin, si psh roli i ndërkombëtarëve si vendimmarrës. Siç ishte drafti,  roli i ekspertëve të huaj ishte i palegalizuar. Ata nuk mbanin asnjë përgjegjësi gjatë procesit të verifikimit dhe kontrollit (vettingut) dhe kjo ishte pa sens. Pra, ti mund të punoje për drejtësi me instrumente jo të drejtë. S’ke të drejtë të skualifikosh kandidatura pa u dhënë shpjegimin. Edhe për çështjen e “martesave gay” unë isha i vendosur që edhe sikur PD-ja të votonte unë nuk do të votoja.

Një shqetësim i yni ka qenë ai për perceptimin publik për qëndrimin tonë si parti ndaj reformës. Duke parë makinën mediatike të Ramës që thoshte se PD-ja është kundër reformës, ne kërkonim shumë kujdes nga lidershipi ynë, jo vetëm për shpjegimet teknike. Sepse truqet e Ramës se ishte gati për votimin e reformës dhe kundërshtitë janë vetëm nga opozita u mbështetën në mënyrë naive dhe nga ambasadorët.

Cili ishte roli i kreut të PD-së në këtë proçes?

PD-ja e kishte të qartë që reforma ishte tashmë në axhendën politike. Ajo kërkonte një proces konsensual me pjesëmarrjen e saj sepse këto lloj reformash pa konsensus kurrë nuk legjitimohen. PD-ja ka qenë në një ankth, jo sepse Rama e kishte vënë në axhendë por se ajo ishte e vënë në axhendë nga ndërkombëtarët. Bashës i është i dashur të përballet  me këtë fenomen. Basha ka qënë në pozitën që i duhej të thoshte një “po” të ëmbël në vend të një “Jo-je” të fortë.

Por a do të votonin reformën deputetë të PD-së pavarësisht qëndrimit zyrtar?

Unë besoj se përveç Eduard Selamit nuk do të kishte vota të tjera pro. As Majlinda Bregu, as Astrit Patozi nuk do të votonin jashtë qëndrimit të grupit të PD-së.

Kush doli më i fortë politikisht pas miratimit të reformës?

Në këtë reformë janë tre aktorë, secili me një axhendë të ndryshme. Janë ndërkombëtarët, të cilët kanë një problem të madh me Ballkanin që prej vitesh e kanë në  një “karantinë sanitare”, sepse këto vende janë para rrezikut të bien pre e oligarkive politike dhe financiare. Shqipërisë i kishe ardhur radha për këtë axhendë. Reforma nuk ishte frymëzim i “Rilindjes”.

Më i fortë doli Meta, Basha apo Rama?

Po të ishte për Ramën, ai do të donte që historia të mbaronte me mënyrën se si nisi… Ai u shfaq qysh në krye të herës, si reformator i madh në krah të SHBA-ve e BE-së, duke krijuar dhe nxitur idenë se opozita është kundër saj dhe kundër reformës është dhe Meta, dhe se ndoshta ai do të ishte viktima e parë. Por në vendet e tjera, si Kroaci dhe Rumani është kryeministri ai që ka “inauguruar” reformat në drejtësi. Nuk do ta uroja këtë fat, por nëse do të kishim një drejtësi të paanshme, Rama do të ishte subjekt i supozuar i saj.

Po të ishte për konceptin e Xhafës dhe Ramës procesi i vettingut dhe emërimit të organeve kryesore të drejtësisë do të ishin bërë shumë më keq. Në finale ishin argumentet e Partisë Demokratike që e sollën draftin në këtë formë, që u miratua.

Ndërsa LSI-ja në fillim ishte më e distancuar nga reforma për shkak se u mënjanua. Ajo ndoqi heshtjen. Ishte dinakëria e Ramës që nxiti daljen e LSI-së në skenë. Argumentet që kapi ajo ishin të sakta, së pari konsesusi me 140 vota dhe jo vota të trafikuara.

Moralisht me këtë qëndrim LSI-ja e ka më të lehtë koalicionin me PD?

Nuk mendoj. Qëndrimi i LSI-së duhet parë brenda kuadrit të liderit të saj. Kriza e kohëve të fundit e reformës u trasformua në krizë politike. Fusha e lojës nga egërsia e lojtarëve politikë vendas u la disa herë bosh pasi lojtarët dilnin dhe luanin edhe jashtë fushe. Ajo u mbush nga ambasadorët Lu dhe Vlahutin të cilët ishin rishtarë dhe të pamësuar me politikën dhe konjukturën shqiptare. Ambasadorët më shumë u shfaqën dhe vepruan si “Krishti që përzë tregtarët nga tempulli”, ndërkohë që  duhet të punonin në prapaskenë. Rama donte ta përdorte reformën për fushatë elektorale dhe së dyti ai ka synuar të godasë politikisht kundërshtarët, pra që PD-ja të mos votonte fare që ta nxirrte si bandë anti-reformatore. Në këtë lojë arriti të fusë edhe pa zellin e tij ndonjë ambasador. Këtu PD-ja ka një rol shumë të madh. PD-ja që iu drejtua njerëzve politikë në mesin e ndërkombëtarëve si Fleckenstein, Kukan, Nuland dhe Hahn. Toni i tyre nuk ka qenë as paralajmërues dhe as kërcënues.

Po fjalia e Ramës për librin hipotetik që do të mund të shkruante për reformën dhe prapaskenat e saj?

Kjo është një hiperbolë në letërsi ku Rama është më i zoti sesa si kryeministër. Një gjë do të lexohet mirë nga kushdo, se Rama është i pari që nuk e ka dashur reformën.

Marrë nga ABCNews

SHKARKO APP