Gjekmarkaj: Eurobondi do shkrihet në dorë të Rames e Ahmetajt, s’do i gjendet as varri!
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij në Kuvend, foli mes të tjerash edhe për eurobondin.
Në fjalimin e tij, deputeti Gjekmarkaj deklaroi se “Në dorë të Rames e Ahmetajt eurobondi do shkrihet si flok debore e nuk do i gjindet as varri!”
Pjesë nga fjala e deputetit Gjekmarkaj:
Vetëm një ndihmë pata për të zgjidhur dilemen që me zu në duhet të flas për punë ekonomie apo jo unë pedagog letersie?! Eurobondi në fillim nga padija mu duk si seri e Xhejms Bondit që u shfaq në një kinema të Tiranës ku krejt yndyra e vendit me kuç e maç mori pjesë mbuluar me lekët e huave të meparshme!
Por jo Partia me ka lënë detyrë të flas per Eurobondin dhe nuk ia thyej zemren asaj. Partia është mbi të gjitha sidomos këto kohë të zymta.
U rreka të di çfarë është Eurobondi?
Me durim si mesuesi zemërmadh, nxënesit përtac e trozovaç, zonja e dashur Tabaku ma shpjegoi që qenkesh borxh diku nja 500-700 milionë euro!! Ateherë u ftillova dhe vendosa të flas!
Në fillim e mora me gëzim të madh! Sa shumë lek, do dalim në selamet, sa gjëra mund të bëhen?! Me erdhi në mend Torovica pa ujë të pishen dhe prej dekadash lyp një ujesjelles, fusha e saj që do një hidrovor që të thahet e të behet tepsi, Shëngjini për pritat e gurta që rëra të mos gerryhet nga erozioni!
Por ja duke nxenë në punë ekonomie mesova se borxhi publik qenkesh 80 % pa PPP dhe se me to mbërrin 95% !!
Por Borxhi ngjan se po merret për të larë ca borxhe e çfarë borxhi se! Gojët e liga tonat thonë atë të grabitjes së zgjedhjeve të 25 Prillit se ndokush mendon se marrin borxh për te vjedhur vetë siç është përhapur nami, për vila, dyqane, ndonjë shtëpi lart e poshtë, ndonjë ofshorë nëpër botë se helbete lodhen, rroba profume e nusretlliqe por jo? Janë të besës! Qerratenjet e kane me besë a besë, hesap i qeruar punë e mbaruar!
Dje në komisionin hetimor një koleg i yni rënditi disa shifra të frikshme keto të cilat do e bëjnë Eurobondin të flasë me vete, të çmendet sapo të mbërrijë në këto ograja.
Ja pra si i ha qeveria, si i ha dreqi leket që marrim poshtë e përpjetë! Thonë leku i bardhë në ditë të zezë ! Po kur bie në dorë të zezë medet për ne! Në dorë të Ramës e Ahmetajt eurobondi do shkrihet si flok dëbore e nuk do i gjendet as varri! Shyqyr që do kemi CD-në e këtij tubimi në të cilin bie në sy gëzimi prej Sokrati të vuajtur i Zotit Taulant, ndaj të rrojmë e ta kujtojmë, të rrojmë e ta shohim! I përjetshem kujtimi i tij u prehtë në paqe! Në epitafin e tij gdhendur me daltë nga Braçe do shkruhet ”e dha Europa e hengri gropa ”. Dy fjale për ujin e helmuar te Krujes. Nje herë e helmoi sulltan Mehmeti e një herë sulltan Salepi.