Gjiknuri angazhohet për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Shelcan: Do të kthehet në një xhevahir
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, angazhohet për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit.
Ai vizitoi nga afër këtë monument kulture të kategorisë së parë, me afreske të rralla të piktorit te madh shqiptar të shekullit XVI, Onufri.
“Janë të gjitha gjurmët e Onufrit , një nga krenaritë e kësaj zone, një simbol i ikonografisë shqiptarë dhe natyrisht gjithë Shqipëria duhet të krenohet me të. Jam i bindur që shumë shpejt shteti do të vërë në dorë dhe Ministria e Kulturës e ka në planet e saj. Jam i bindur se do të jetë një nga kishat më të vizituara të Elbasanit turistik. Do të kthehet si xhevahir për të gjithë ata që duan të shikojnë historinë e këtij vendi dhe realisht është një nga vendet që të gjithë do ta kishin zili”, -tha Gjiknuri.
Kisha e Shën Kollit në Shelcan është shpallur monument kulture që në 1948.