Gjiknuri vizitë në Uashington: SHBA, mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare

Sekretari i Organizimit dhe Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, deputetja e PS-së Blerina Gjylameti dhe kryetari i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ndodhen në Uashington në kuadër të një delegacioni me deputetë të Kuvendit. Të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, ata u pritën në Departamentin e Shtetit nga zëvendësndihmëssekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë.
Postimi i plotë
Në kuadër të një delegacioni me deputetë të Kuvendit, shoqëruar nga ambasadori Ervin Bushati, u pritëm në Departamentin e Shtetit nga Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë.
Gjatë takimit u theksua angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Evropës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor.
SHBA vijon të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Zyrtari amerikan shprehu përgëzime për bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës me qëllim zbatimin e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Nënvizuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, kordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë.