Gjinushi: Politika po kërkon menaxhimin e gjyqësorit

Flet për “Koha Jonë”, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi: “PD nuk voton se nuk e lë Saliu, siç nuk votoi Kushtetutën në 1998”

Intervistoi: Redjon Shtylla

Palët politike janë drejt finalizimit të konsensusit, që kërkon reforma në drejtësi dhe të reflektohet të enjten e 21 korrikut. Por jo të gjithë e shohin këtë përpjekje të fundit si pozitive. Në një intervistë për ”Koha Jonë”, Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi është shprehur se po kthehet reforma në një reformë konsensuale pa efekt. Më tej lidhur me krijim i një qeverie teknike, nëse dështon votimi, ai ka nënvizuar se:”Qeveria teknike është qartazi një dorashkë për të penguar reformën sepse kur ka një reformë që duhet votuar patjetër dhe kur ke një qeveri pro reformës, nuk ka asnjë motiv që të rrëzosh një qeveri pro reformës dhe për të krijuar një qeveri anti-reformë”.

Z.Gjinushi, më lejoni ta nis me një pyetje të drejtpërdrejtë. Mendoni se partitë do e votojnë reformën në Kuvend?

Reformën do e miratojë ca politika e ca frika është shumë e qartë se ka struktura të rëndësishme politike, sidomos në opozitë, por dhe para maxhorancës që duan me çdo kusht ta bllokojnë këto reformë ose ta kthejnë në një reformë konsensuale pa efekte reale.

Kjo do të thotë që interesimi i konsensusit është për të mirën e partive, jo për reformën?

Fjala konsensus, është fjalë e bukur, por pikërisht për të arritur konsensusin u ra fillimisht dakord me konsensus politik që të bëhet reforma, pavarësinë e reformës dhe që krahëz një reformimi të sistemit të ketë dhe një proces emergjence pastrimi të përkohshëm që quhet Vetting-u dhe pas kësaj edhe pse vetë reforma ka një konflikt interesi me politikën. Së pari për pavarësinë, ku politika duhet të bëjë një reformë që të jetë e pavarur dhe së dyti siç dihet që një nga produktet që kërkohet të prodhohet nga reforma është që sistemi i reformuar të godasë në mënyrë të barabartë edhe qarqet e larta për shkelje. Për pasojë kjo reformë ju ngarkua profesionistëve dhe thanë do e bëjnë apolitikët, sa më larg nga politika në formulim sepse përmbajtja ishte konsensuale dhe në fund do votojmë çfarë thotë Venecia. Ajo ka gjashtë muaj që thotë se ky projekt është për reformën kurse pelivanët thonë ne votojmë, po të jetë sipas Venecias. Ajo thotë do bëhet sipas meje këta thonë jo sipas Venecias, por siç themi ne. Ka mbi 6 që rrotullohemi e që duket qartë që konsensusi ishte vetëm një alibi për të penguar reformën dhe fjala që votojmë sipas Venecias kur ajo thotë ky është projekti sipas meje. Disa herë ndërkombëtarët e kanë denoncuar këtë fakt dhe kanë bërë disa oferta në zbatim rigoroz sipas Venecias dhe ka variante e që nuk është një i vetëm dhe të gjithë e refuzuan pa shkak dhe ç’ka bën që pasi i konsuamuan të gjitha këto, doli hapur që je për reformë apo nuk je.

Në aspektin praktik, a e kanë menaxhuar si duhet procesin reformues ndërkombëtarët, kanë hasur sipas jush vështirësi?

Sigurisht që kanë pasur sepse kanë të bëjnë me njerëz hipokritë që flasin për konsensus të çeliktë, për gatishmëri sa më të gjerë dhe nga ana tjetër bëjnë çfarë është e mundur për të penguar dhe duhet kujtuar njëherë e mirë, që roli i dy ambasadorëve është një nga rastet e veçanta ku është roli i duhur sepse politika porositi një reformë, politika kërkoi ndërkombëtarët si arbitra e si profesionistë, pa ndikimin e palëve, por vetëm duke marrë mendimet se çfarë sistemi e reforme do, e më pas për të bërë një formulim sa më të paanshëm dhe sa më pak të ndikuar negativisht nga politika. Kanë bërë deri më tani katër variante, por pasi dikujt i bën një porosi, i plotëson të gjitha porositë e tua dhe thua prit se do ulemi ne të bëjmë variantin tonë, kjo është tallje, ai që ka prodhuar një produkt sipas porosive dhe interesave të vendit, sipas standardeve, ka të gjithë legjitimitetin.

A e cenon vetingu sovranitetin?

Pikërisht këtu lind çudia, se po shkelet sovraniteti, kur ti vetë e ke kërkuar projekt, kur ti vetë e ke kërkuar këtë formulim dhe sovraniteti shkelet kur merren në mënyrë të dhunshme. Sovraniteti delegohet, ky lloj sovraniteti delegohet, për shembull; Britania me votë popullore vendosi të dalë, ashtu siç kishte vendosur të hyjë. Dhe ne kemi vendosur që të hyjnë në Europë dhe hyrja në Europë cenon një sërë sovranitetesh, kufizon. Ne njohim vendimet e gjykatës së Strasburgut që dalin mbi gjykatat tona dhe mbi kuvendin tonë. Pra kemi deleguar një sovranitet tepër të rëndësishëm dhe këtu nuk shtrohen nëse shkelet por shtrohet besueshmëria tek komisionet ndërkombëtare. Kanë frikë nga pushteti dhe roli i madh i ndërkombëtarëve, pikërisht ata që sa herë e kanë parë keq, thoshin duam hetim dhe gjykim ndërkombëtar. Edhe për parkun e lojërave u kërkuar hetim ndërkombëtar, atëherë pse nuk i besojmë një hetimi ndërkombëtar kur është puna për të pastruar gjyqësorin që të mos jetë nën ndikimin e politikës.

Ndonëse procesi reformës është drejt finalizimit, disa deputetë janë shprehur që procesi që në fillimit duhet të ishte politik dhe jo në dorë të ekspertëve. Si i keni parë këto qëndrime?

Nuk ka budallallëk më të madhe se sa kjo shprehje sepse i gjithë debati ka qenë që krahët politike të mos rrisin ndikim dhe që gabimi paska qenë që jua lëmë të pavarurve dhe që nuk e bëmë ne të varurit politik. Kjo është një alibi, një argument krejt absurd. Pozitive tek kjo reformë ishte që ju besua një komisioni parlamentar, i cili ruajti vetëm rolin e transmetimit të konceptimit të reformës nga palët dhe realizimi konkret ju la ekspertëve, për të garantuar paanësinë u vunë ekspertët ndërkombëtarë dhe arbitri final që ishte Venecia që sot bërtasin të gjithë. Pasi ajo mblodhi mendime, ç’mendime, vërejtje, hileja e pa hileja, tha ky është projekti që plotëson gjithçka. Para se të lexosh rekomandimin “88”, ke konkluzionin, ku thuhej që projekti plotëson gjithçka dhe ai me 3/5 plotëson gjithçka. Garanton gjyqësor të pavarur, i hap rrugë Europës, garanton pastrim dhe në qoftë se ju për një pikë nuk doni ta lini shumicën e cilësuar, pse e dini ju, atëherë merrni masën e dorës së dytë dhe PD-ja kërkonte këtë opsionin e dytë, e pasi u plotësua ajo, doli hapur se ku flinte lepuri. Ata duam një reformë që ta menaxhojnë vetë dhe gjyqësori do pastrojë politikën pa ata që e bënë pis. Të ngresh një komision me PS-PD me të emëruar nga partitë dhe të besosh se ky do të realizojë pasojat negative që la politika në gjyqësor, politika është shkaktare parësore, është qartazi një utopi, tallje.

Nëse  nuk miratohet reforma, politika ka hedhur opsionin e të shkuarit në një qeveri teknike. Pse mendoni që është arritur në këtë përfundim?

Qeveria teknike është qartazi një dorashkë për të penguar reformën sepse kur ka një reformë që duhet votuar patjetër dhe kur ke një qeveri pro reformës, nuk ka asgjë motiv që të rrëzosh një qeveri pro reformës dhe për të krijuar një qeveri anti-reformë. Është shumë e qartë që quhet qeveri teknike kur nuk ka rëndësi emri por thuaj se kush do ta krijojë këtë qeveri, kush është kjo maxhorancë. Për të mos thënë fjalë që LSI-ja do të bashkohet me PD-në për të rrëzuar, thuhet se do të krijojmë qeveri teknike dhe haptazi është që hidhet varianti që PD-ja bashkohet me LSI-në dhe kthehet koalicioni i mëparshëm për të larguar nga qeverisja Partinë Socialiste. Kjo është shumë e qartë dhe në të dyja rastet është pa sens, është e pamotivuar politikisht dhe kur flasim për motive të ndershme dhe në të mirë të Shqipërisë sepse nuk mund të rrëzosh partinë që është pro reformës dhe të marrësh partinë që është anti-reformës. Nuk mund të rrëzosh një qeveri pro reformës, meqenëse reforma u miratua. Të dyja këto janë nën sens dhe përderisa jemi në mungesë të konsensusit dhe duhet kërkuar, cili është qëllimi i vërtetë i kësaj.

Çfarë ndodh nëse shkojmë me një qeveri teknike, nuk është hera e parë që Kuvendi ka parë të tilla lëvizje?

Jemi fiks në kushtet e miratimit të Kushtetutës në 1998, ku u bë nga njëra palë sepse edhe atëherë PD-ja nuk pranoi që të marrë pjesë, por mori pjesë e djathta e moderuar dhe çdo deputet, pavarësisht nga ngjyra që nuk blihet por vlerësonte që Shqipërisë ju donte Kushtetuta. PD-ja refuzoi deri në fund, bëri thirrje dhe për bojkot referendar dhe humbi në të tërë etapat. Historia ka vlerësuar ata që e votuan dhe PD-ja ka lëpirë, ka pranuar gabim historik. Ishte ajo kushtetutë që mbrojti demokracinë në Shqipëri dhe të gjitha pasojat kanë ardhur jo nga kushtetuta por nga mos zbatimi i saj. Jemi në të njëjtën situatë, ku shumica e majtë është pro reformës, kryesisht socialistët do e votojnë dhe një pjesë e së djathtëve që shohin interesat e Shqipërisë mbi interesat individuale që i tremben. Miratimi i një reforme nuk ka se si të sjellë destabilitet që është i mbështetur nga i gjithë faktori ndërkombëtar dhe PD-ja nuk e voton sepse nuk e lë Saliu siç nuk votoi kushtetutën.

Nga ana tjetër është diskutohet mundësia e votimit të reformës në drejtësi me disa vota të deputetëve të djathtë. Në gjykimin tuaj, është e ndershme që të bëhet reforma në drejtësi me vota të “trafikuara?

Perversiteti në Shqipëri ka vajtuar deri në shtypje të kujtdo sepse po voto pro reformës paracaktohet se je i blerë dhe po të votosh kundër nuk je i blerë. Pse nuk blihen ata që votojnë kundër? Kur reforma është në shërbim të Shqipërisë, në të mirë të demokracisë dhe menjëherë kanë gjetur teza, se kush e voton blihet dhe kush nuk e voton nuk blihet dhe tregon burrni.

Kush janë politikanët që duhet të kenë frikë nga miratimi i reformës?

Dy gjëra kanë detyruar që të bëhet një reformë kaq të thellë. E para, që të vendoset e drejta për qytetarët, që gjyqësori të jetë i çliruar nga korrupsioni, nga mungesa e profesionalizimi dhe nga presioni politik, sa më i pavarur dhe fjala e fundit e gjyqësorit të jetë vetë drejtësia. E dyta është që ligji të veprojë njëlloj e këtu flitet për ligjin penal, pavarësisht nga rangu, nga detyra dhe ndodh e kundërta që për krime të vogla dënohesh kurse të gjithë ofiqarët, sa më afera të kenë, janë më të preferuar se nuk dënohen, por vlerësohen. Pandëshkueshmëria është një nga problemet në Shqipëri, por thotë se ka deputetë, Ministra, ish-pushtetarë që nuk dënohet pasi edhe nuk janë zbuluar, ndonëse njihen publikisht se skandali është publik, çështja ka vajtur edhe në shkallët e drejtësisë, por është mbyllur në mënyra të çuditshme, të njëanshme, nuk ka dinjitet. Është një ndër problemet që të gjithë e pranojnë teorikisht, por askush nuk e thotë te vetja. Në këtë aspekt, politika ka një konflikt të madh interesi sepse të implikuarit kërkojnë një reformë që të dënojnë, atëherë këtë e kuptojmë por për paanshmëri duhet të ishte kërkuar më parë, që të bëjmë një qeveri teknike, që të formulojnë një reformë të paanshme por jo pasi është bërë reforma. Në qoftë se do paanshmëri, ofro qeveri teknike për të gjithë, e cila i ngarkohet detyra që të bëjnë një reformë në drejtësi sa më larg të ndikuarit, ata me konflikt.

SHKARKO APP