GJKKO konfiskon apartamentin e ish-kreut të Kushtetueses Bashkim Dedja

SPAK dhe GJKKO vazhdojnë ndëshkimin e ish-zyrtarëve të lartë të drejtësisë dhe zyrtarëve të korruptuar.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka konfiskuar pasuritë e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka vendosur konfiskimin “e pasurisë të paluajtshme (apartament) të regjistruar me Nr. ****, volumi ****, faqe ****, me sipërfaqe 60 m2, ndodhur në zonën kadastrale ****, Njësia Administrative ****, Bashkia ****, rregjistruar në emër të shtetasit L.D, të sekuestruar me vendimin nr. 08, datë 20.04.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi”.
Dy muaj më parë Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja me 6 muaj burg për fshehje e deklarim të rremë dhe konvertimin e masës me shërbim prove.
Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK siguroi atëherë në Gjykatën e Posaçme urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfaqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.
Dedja u deklarua dhe u dënua në Shkallën e Parë më 26 qershor 2023, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.