Gjosha: LSI mbështetëse e ligjeve të integrimit

Nënkryetarja e Grupit Parlamentar të LSI-së, Klajda Gjosha, në një intervistë për “Report TV” ka folur për qëndrimet që do të mbajë LSI në Kuvend. Ajo thotë se LSI do të votojë nismat që lidhen direkt me intergimin, por do të bëjë opozitë të fortë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Së pari zonja Gjosha një koment paraprak për seancën e parë të Parlamentit të ri.

Ishte seanca e parë, ku u bë apeli i gjithë deputetëve në sallë, kështu që ishte një seancë tejet e shkurtër. Kuptohet është nga ato seancat miqësore ku ne sërish ritakohemi me shumë kolegë që kanë qenë në legjislaturën e shkuar, por edhe me ata të rinj të cilët i janë bashkuar Kuvendit të Shqipërisë.

Që në fakt nuk janë të pakët…

Nuk janë të pakët dhe unë mendoj që është diçka e mirë. Sjell një risi në Kuvendin e Shqipërisë dhe realisht shpresoj që ata të jenë aktiv sidomos për çështje që kanë të bëjnë me rininë, çështjet sociale, por edhe më tej. Sepse ata janë njerëz të specializuar, pjesa më e madhe  e tyre kanë pasur edhe eksperienca të mëparshme, ndoshta jo në politikë, por në sektorë të ndryshëm, kështu që çdo kontribut në këtë mënyrë është i mirëpritur.

Cila është risia apo diçka që ju bëri përshtypje në këtë seancë të parë?

Për herë të parë kemi tre kryetarët e partive politike kryesore janë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, kështu që besoj kjo do të jetë edhe risia më e madhe për mënyrën se si do të vazhdojnë seancat e tjera.

Ky parlament mendoni se është më cilësor se ai i kaluari?

Unë mendoj që po. E citova edhe në fillim që ka shumë të rinj në këtë parlament. Besoj që rinia sjell një risi, sjell një frymë më pozitive. Shpresoj të mos ketë debate të ashpra, ju e dini shumë mirë se si kanë qenë debatet e mëparshme në kuvend, ku shpesh herë dhe ofendimet personale bëhen pjesë e diskutimeve të ditës. Ajo çka do doja të shikoja është në fakt që qytetarët të njihen me rendin e ditës, me të gjitha projektligjet që kalojnë në Kuvend, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër prekin jetën e tyre të përditshme, prekin biznesin e tyre, prekin të gjithë sektorët e jetës së tyre. Kështu që do doja që gjithsecili prej nesh kur të mbante fjalën në Kuvend të kishte parasysh që ne nuk flasim për njëri-tjetrin aty apo për një parti politike të caktuar, por ne flasim për qytetarët shqiptarë. Ajo çka dua të shikoj në këto 4 vite është që standardi i fjalëve që do të mbahen në kuvend të jetë tejet i lartë dhe ti përmbahet rendit të ditës, gjë e cila fatkeqësisht nuk ka ndodhur.

Ju jeni zgjedhur nënkryetare e grupit parlamentar të LSI-së, çfarë do të thotë kjo edhe për ju personalisht?

Në rradhë të parë është një vlerësim shumë i madh që bëhet nga partia, e cila unë përfaqësoj dhe realisht i kam dedikuar një falënderim të veçantë kryetarit të grupit, por edhe kryetares së LSI-së, znj, Monika Kryemadhi. Nënkryetarja e grupit ka një rol të veçantë, kuptohet që kryetari i grupit do të jetë edhe ai që do të mbajë qëndrimet kryesore sidomos në ato seanca që do të kenë një rëndësi të veçantë, por edhe nënkryetarët kanë rolin e tyre dhe shpesh herë mund të zëvendësojnë dhe kryetarin e grupit parlamentar në seanca të caktuara apo në qëndrime të caktuara që do të mbahen nga LSI-ja. Në këtë mënyrë ne do të mundohemi të jemi shumë aktiv, korrekt, konstruktiv, por kuptohet që edhe në momente të caktuara duhet të jemi realisht vigjilent, sepse kjo është edhe detyra e opozitës. Jemi aty për të qenë zëri i qytetarëve shqiptarë.

Ku do ta përqendrojë më shumë aksionin e saj opozitar LSI-ja? Zonja Kryemadhi ka deklaruar se LSI do të jetë në opozitë me keqqeverisjen, pa përmendur forca politike apo emra të veçantë që drejtojnë mazhorancën?

Ne jemi shprehur qartë. Në radhë të parë ne do të kemi një qëndrim mbështetës kur bëhet fjalë për procesin e integrimit evropian. Unë kam pasur detyrën e Ministres së Integrimit gjatë qeverisjes së shkuar dhe ky është një proces tejet prioritar për qytetarët dhe në këtë këndvështrim ne do të jemi aty për të mbështetur çdo iniciativë ligjore, çdo përafrim legjislacioni apo çdo reformë e cila realisht e afron Shqipërinë, e çon atë një hap më pranë Bashkimit Evropian. Ne do të bëjmë një opozitë tejet të hapur kur bëhet fjalë për çështjet ekonomike. E them këtë, sepse kjo ndoshta ka qenë një nga pikat më të dobëta të qeverisjes dhe realisht ne duam të shohim që kjo qeveri të ketë fokus në ekonomi, të ketë fokus në të gjitha financat që shkojnë në xhepat e qytetarëve. Kjo bëhet me politika të mëdha, kjo bëhet pse jo me një Pakt Kombëtar për Ekonominë. Ne do të vëzhgojmë dhe jo vetëm do të ruajmë atë çka bën qeveria, por do të jemi aty pse jo për të marrë dhe nismat tona ligjore për të ndihmuar klimën politike në vend. Do të jemi aty për të parë dhe kuptuar të gjitha gabimet e qeverisë, sepse besoj që nuk do të jenë të pakta, aq më tepër kur një qeveri është e vetme.  Tashmë kemi të bëjmë me një kompozim të ri të qeverisë dhe unë mendoj që gabimet nuk do të jenë të pakta, kështu që opozita duhet të luajë një rol shumë të fortë, por edhe luajal ndaj qytetarëve.

Nuk do të jeni bllokues për çdo gjë apo thjesht fakti që do të jeni opozitë dhe duhet të votoni kundër.

NE jemi aty për të qenë konstruktiv, përveçse për të bërë një opozitë frontale. Nuk mund të thuash JO për diçka që është e mirë dhe u shërben qytetarëve, por nëse ajo shkon kundër me interesin e tyre, patjetër që vota jonë do të jetë kundër.

Pse do të votojë kundër Gramoz Ruçit si kryetar i Parlamentit grupi parlamentar i LSI-së? Këtë e ka bërë me dije z,Vasili…

Qëndrimi i zotit Vasili ka qenë qëndrimi zyrtar i grupit parlamentar të LSI-së. Ne kemi pasur një diskutim dhe gjatë javës që shkoi ne kemi pasur disa takime si në kryesi ashtu edhe në grupin tonë parlamentar. Nuk është çështje emri, është çështje sistemi që është ngritur në Shqipëri, është çështje e gjithë mënyrës se si kanë rrjedhur gjërat që nga fushata e shkuar, që nga zgjedhjet e 25 qershorit, deformimit të votës, mënyrës se si shpesh herë abuzohet me blerjen e votës ndaj qytetarëve, kështu që nuk ka lidhje me një individ të vetëm. Kjo është çështje sistemi tashmë, që realisht duhet ç’rrënjosur njëherë e mirë.

Ish-të përndjekurit paralajmëruan një protestë që u zhvendos për pasdite. Ju nuk është se keni menduar një strategji të tillë. Cila do të jetë strategjia në seancën e pasdites në momentin që do të votohet z.Ruçi?

Besoj që vendimi ynë tashmë është i qartë, është bërë publik si nga unë sot, ashtu edhe nga zoti Vasili dhe gjithë grupi parlamentar i LSI-së. Ne do të jemi në seancë, por vota jonë do të jetë kundër.

Cili do të jetë roli i deputetëve të LSI-së në komisionet parlamentare?

Ne kemi bërë një ndarje të të gjithë deputetëve të LSI në komisionet parlamentare. Unë personalisht do të jem pjesë e komisionit të Integrimit Europian, ndoshta edhe për faktin se e kam mbajtur këtë detyrë për katër vitet që shkuan. Do të mundohem të jem aktive, do të mundohem të jem konstruktive dhe mbi të gjitha kur bëhet fjala për çështjet e procesit të integrimit, ajo çka duhet të jemi të kujdesshëm është që të mos jemi shumë politikë. Procesi i integrimit në vetvete është shumë teknik dhe sa më shumë teknicienë të ketë në përbërjen e saj komisioni i integrimit europian, besoj që aq më shumë funksional do jetë, dhe aq më shumë rezultate do të jap përkundrejt qeverisjes ndaj këtij procesi.

Do të ketë në parlament një dualizëm midis PD-së dhe LSI-së kush bën opozitë më fortë?

Unë nuk besoj se është çështje dualizimi. Nuk besoj se është çështje konkurrence. Gjithsecili nga ne përfaqëson atë target-grup të caktuar në të gjitha qarqet tona ku ne jemi zgjedhur. Qytetarët kanë votuar që ne të jemi opozitë, pra si LSI ashtu edhe PD është e rëndësishme që për çështjet madhore pse jo të ketë dhe një diskutim të përbashkët për të mbajtur një qëndrim të fortë opozitar. Megjithatë kjo do të shikohet në të gjitha seancat e radhës, sepse në Shqipëri është e pamundur për të folur parakohe.

A mund të kemi një opozitë të bashkuar PD-LSI, apo ju do të mbani qëndrimin tuaj?

Në këto momente që flasim, po mbajmë qëndrimet tona, më vonë kjo do të shikohet se si do të rrjedhin ngjarjet dhe çështjet që do të jenë për diskutim.

Shkrirja e Ministrisë së Integrimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme ka qenë ajo që ka ngjallur më shumë debat. Ju jeni shprehur kundër edhe në prononcimet që keni dhënë për REPORTTV, përse mendoni se nuk do të funksionojë bashkimi i këtyre dy ministrive?

Nuk është çështja sa ministri janë krijuar, apo pse u bë bashkimi i ministrisë së integrimit me ministrinë e jashtme. Ajo çka mua më ka shqetësuar është se në një fjalë prej 3 orësh të kryeministrit kur ai prezantoi qeverinë e re dhe institucionet që do tu servireshin qytetarëve për qeverisjen e ardhshme, nuk u tha asnjë fjalë për procesin e integrimit. Kjo ishte pjesa e lëndimit më të madh për procesin e integrimit, jo për mua personalisht. Duke qenë se integrimi është një prioritet kombëtar, duke qenë se kjo ministri e Integrimit është krijuar në fakt me një kërkesë të posaçme nga Komisioni Europian, nëse kthemi shumë vite më parë ku ajo mori statusin e një institucioni të veçantë, mendoj që duke parë dhe mënyrën se si funksionon politika në Shqipëri që shpesh herë ajo pjesa hierarkike, pra sa më lart të jesh aq më shumë të dëgjohet zëri, procesi në vetvete ka koordinim brenda. Dhe ti duhet të kesh një status të veçantë. Duhet të jesh Ministër në mënyrë që ti të përballesh dhe me Ministrat e tjerë për t’ju kërkuar atyre llogari për këtë proces. Sa më shumë ulim ne nivelin e kërkesës së llogarisë apo të autoritetit të individit që do ti besohet ky proces, sepse besoj që tashmë do të jetë në nivel zëvendësministri. Unë e thashë dhe dje nuk është çështje emri, nuk është ky problemi jonë. Problemi jonë është cili është vizioni ynë në këto vite? A do të çelen negociatat e Shqipërisë?, A do t’i kërkojmë ne Komisionit Europian, ashtu siç e kishim menduar dhe siç ka qenë në raportin e vitit që shkoi, pse jo komisioni do të oftronte një raport të ndërmjetëm gjatë këtij viti?. Fatkeqësisht unë dëgjova në fjalën e Ministrit të Jashtëm se viti 2018 do të jetë ai i çeljes së negociatave. Pse mos t’a kishte Shqipëria shansin që këtë vit dhe brenda këtij viti, sepse mundësia u dha në raport nga Komisioni Europian apo nga Këshilli që mund të ishte një mundësi që ne të kishim hapjen e negociatave.

Pra do të ishte e mundur le të themi që hapi i radhës …

Po besoj se do të ishte e mundur, aq më tepër që tashmë edhe Vetting-u do të jetë në rrugën e duhur, dhe duhet të vazhdojë patjetër implementimin dhe Reforma në Drejtësi është kyce e gjithë kësaj. Pra një pjesë tjetër e gjithë debatit tonë duhet të jetë pikërisht vazhdimësia e Reformës në Drejtësi, sepse kjo është ajo ç’ka mund t’i japë zgjidhje çështjeve të korrupsionit, çështjeve të krimit të organizuar, të pronës, të shumë e shumë kritereve dhe prioriteteve që i ka vendosur Bashkimi Evropian.

Por në vetvete duke qenë se kjo është edhe filozofia kryesore e vendit tonë, ne nuk kemi drejtim tjetër. Është e pamundur t’i thuash shqiptarëve sot, se ne do të largohemi nga Bashkimi Evropian dhe do të marrim drejtim tjetër. Atëherë në këtë këndvështrim ku vazhdon ende të jetë një prioritet, pse të mos kemi ne një strategji të qartë dhe një vizion të qartë se çfarë do të ndodhë me këtë proces në katër vitet e ardhshme. Ky ishte dhe debati që unë doja t’u ofroja qytetarëve, por pse jo edhe qeverisë së re.

E kuptoj, ndoshta ka një rikonceptim të emrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mos gaboj Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme. Do të sjellë ndonjë ndryshim, apo ju e thatë që është tek niveli i përfaqësimit?

Nuk ka të bëjë me emrin. Ka të bëjë me procesin teknik, në koordinimin e tij. Çfarë do të ndodhë me atë administratë e cila është trajnuar prej vitesh, dhe ka themeluar Ministrinë e Integrimit dhe njësitë e integrimit në të gjitha institucionet në vend. Ky është thelbi i të gjithë procesit.

Si duket le të themi e gjithë struktura e qeverisë së re “Rama 2”, me më pak ministri me disa bashkime apo le të themi me atë se çfarë do të ndodhë në administratë ku ka edhe shkurtime?

Është në tagrin e kryeministrit të vendosë qeverinë e tij, dhe patjetër që në këtë pikë ne respektojmë atë zgjedhje. Ajo çka nuk do duam të shohim është që mijëra punonjës të administratës publike, një ditë të bukur të mbeten papunë duke mos iu ofruar atyre asnjë lloj analize për punën që ata kanë bërë, sepse patjetër nëse ka gabime në një pozicion pune dikush do të duhet që të largohet. Por nëse kjo procedurë bëhet pa një analizë të mirëfilltë dhe pa respektuar institucionin përkatës, hierarkinë në atë institucion, them që këtu kemi të bëjmë me minim të standardeve demokratike.

Gjatë kësaj legjislature cilat mendoni se do të jenë ato reforma më të rëndësishme që duhet të ndërmerren nga ligjvënësit?

Vijimi i reformës në Drejtësi është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Reforma zgjedhore po ashtu ka qenë në fokus dhe në një debat që nga viti 2013, dhe fatkeqësisht në legjislaturën që shkoi nuk u ndërmor asnjë hap për të bërë diçka për qytetarët dhe votën e lirë të qytetarëve. Kjo solli si pasojë dhe degradimin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Kështu në këtë këndvështrim këto do të jenë pjesa kryesore e diskutimeve, por ajo  çka ne duhet të fokusohemi shumë është një pakt kombëtar për ekonominë e vendit. Ne duhet të punojmë së bashku për këtë. Nuk është çështja e qeverisë për të ndërmarrë një ligj apo për të ndryshuar një ligj për ekonominë, por është e rëndësishme që ne të gjithë bashkë të jemi aty për ti dhënë vendit atë rritje ekonomike që meritojnë qytetarët.

SHKARKO APP