Gjosha për KJ: Vendimi i Holandës dhe dy raportet e KE izolojnë Shqipërinë

Bisedoi Jonida Halili:

Parlamenti holandez ka votuar pro mocionit të pesë partive më të mëdha në vend, për rivendosjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ky vendim i parlamentit fatkeqësisht e kthen Shqipërinë 10 vite pas. Padiskutim që është rast ekstrem dhe shteti që e merr këtë status, tregon që ka dështuar, pavarësisht përpjekjeve. Lidhur me këtë vendim ka patur reagime të shumta nga faktori politik në vend e kryesisht në radhët e opozitës të cilët kanë fajësuar qeverinë se po zhbën arritjen e lëvizjes së lirë të shqiptarëvë pa viza në Europë. Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e pyetur nga “Koha Jonë” për këtë vendim shprehet se kjo situatë është e pamenduar ndonjëherë, por konfirmon dështimin e kësaj qeverie në luftën kundër krimit të organizuar, respektimit të rregullave për lëvizjen e lirë, si dhe dështimit të politikës së jashtme shqiptare dhe kredibilitetit që institucionet tona kanë në vendet anëtare. Më tej Gjoshaj shprehet se vendimi i sotëm është tejet i rrezikshmë për vazhdimësinë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe nga vendet e tjera, madje shton se herë të parë këtë vit Komisioni Europian do të duhet të paraqesë dy raporte për Shqipërinë dhe njëri prej tyre do të jetë mbi çështjen e azilkërkuesve, problematikë të cilën e ngre fort Franca, Belgjika etj.

Znj.Gjosha, Holanda e ka marrë vendimin për kthimin e vizave për shqiptarët por vulën e vë BE-ja. A mund të krijojë kjo situatë një precedent që edhe shtete të tjera të kërkojnë të njëjtën gjë?

Ajo cka ka ndodhur sot në Parlamentin Hollandez është një situatë e pamenduar ndonjëherë por që konfirmon dështimin e kësaj qeverie në luftën kundër krimit të organizuar, respektimit të rregullave për lëvizjen e lirë, si dhe dështimit të politikës së jashtme shqiptare dhe kredibilitetit që institucionet tona kanë në vendet anëtare. Vendimi i sotëm është tejet i rrezikshmëm për vazhdimësinë e diskutimit mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe nga vendet e tjera. Të gjitha vendet mund të përdorin mekanizmin frenues të vizave nëse i cënohet siguria kombëtare dhe në rastin tonë krimi organizuar shqiptar ka cënuar sigurinë e qytetarëve europiane.

Vendimi për çeljen e negociatave me BE-në do të jepet në qershor. Me Holandën që e mori vendimin, me Francën e cila është e shqetësuar për rritjen e azilit nga shqiptarët dhe Belgjika e cila vë në pah krimin shqiptar, si e shihni vendimin e BE-së për Shqipërinë?

Qershori tashmë është i qartë se nuk do të jetë muaji i dritës jeshile për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Problemet me të cilat ndeshet vendi janë evidente në shumë vende anëtare. Për herë të parë këtë vit Komisioni Europian do të duhet të paraqesë dy raporte për Shqipërinë dhe njëri prej tyre do të jetë mbi cështjen e azilkërkuesve, problematikë të cilën e ngre fort Franca, Belgjika etj.

Kapja e shtetit dhe përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë ka bërë që shteti i së drejtës të vihet në pikëpyetje dhe drejtësia të mos funksionoj njësoj për të gjithë. Partneriteti i qeverisë me krimin, cënimi i zgjedhjeve, kthyerja e Shqipërisë në bazë operacionale për krimin e organizuar në Europe dhe në botë, thyerja e rregullave të marrëveshjes së stabilizim asocimit per tenderat me mungese trasparence dhe konkurence. Për të mos folur më pas për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut, ku bën pjesë edhe çështja e pronës. Ajo çka po ndodh në disa zona të Tiranës ku qytetarët po dëbohen nga shtëpitë e tyre me anë të gazit lotsjellës nga policia është totalisht kriminale.

Shqipëria ka ende rrugëtim të gjatë për të bërë mbi plotësimin e kushteve për celjen e negociatave edhe pse kemi qe nga viti 2016 që marrim një rekomandim pozitiv!

Zëra nga LSI-ja kanë folur edhe për përshkallëzim të protestës në forma të tjera. Protesta e së shtunës ishte më e fortë dhe agresive se protestat paraardhëse. Kjo do të thotë shtim të agresivitet të opozitës në rrugën për dorëheqjen e Ramës si kryeministër, sidomos pas vendimit të Holandës?

Vendimi i Hollandës është padyshim një kauzë më shumë për të protestuar por për të trajtuar këtë çështje na duhet më parë të kthehemi në binarët e demokracisë dhe të çlirojmë shtetin nga ky sistem antivlerash. Do të ketë shumë protesta në vijim që do ta detyrojnë qeverinë t’i hapë rrugë një zgjidhjeje politike ashtu siç e kërkojnë vetë qytetarët shqiptarë.

SHKARKO APP