Gjosha: Reformën në drejtësi e miratojmë brenda tetorit
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ripërsëriti edhe njëherë angazhimin e mazhorancës qeverisës për të miratuar brenda tetorit reformën në drejtësi, si një ndër 5 prioritet kyçe në proçesin e integrimit të vendit.
Duke folur në mbledhjen e grupeve të përbashkëta, ku po diskutohet mbi ecurinë e 5 prioriteteve, Gjosha tha se qeveria ka mbajtur ritmin dhe po vijon të ecë sipas udhëzimeve të BE.
Klajda Gjosha: “Ne nuk kemi ndaluar asnjëherë punën tonë për implementimin e prioriteteve.Ne kemi mbajtur ritmin dhe po vazhdojmë të ecim sipas udhëzimeve. Që nga takimi i fundit janë marrë disa angazhime të tjera të mëtejshme, ku kemi pasur dhe mbështetjen e zyrës së Kryeministrisë dhe qeverisë shqiptare për të shtyrë përpara reforma të rëndësishme. Një nga reformat më të mëdha është reforma në administratën publike. Mendoj që duhet një punë e madhe për sa i përket këaj reforme. Edhe reforma në drejtësi mbetet një nga reformat më të rëndësishme dhe reformat e nevojshme për të plotësuar këtë prioritet janë duke vazhduar.
Është ngritur dhe Komisioni ad-hoc nga parlamenti si dhe grupet nga Ministria e Drejtësisë. Kjo reformë nuk mund të përmbushet pa marrë pjesë në të edhe të gjithë grupet e interesit. Ne e kemi ndarë këtë punë edhe me bashkëpunëtorët tanë të BE dhe kemi hartuar një plan dhe dokument strategjik të cilin e kemi prezantuar. Qëllimi ynë është miratimi i kësaj reforme në tetor të këtij viti në parlament. Ndërkohë që një nga prioritetet e tjera është lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet tona janë tashmë të njohura. Lufta kundër korrupsionit vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e dosjeve të korrupsionit nuk dënohen dhe hetimet financiare janë rritur. Janë marrë disa masa dhe duket një tendencë pozitive. Besoj që kjo mbledhje do jetë një sukses dhe do nxjerrim një dokument shumë të mirë”.
Nga ana tjetër, Drejtoresha për Zgjerimin për Bosnjen dhe Shqipërinë, M.Matuella, duke vlerësuar progresin e bërë, tha se fokusi i diskutimeve më shumë sesa të sasia duhet të fokusohet tek dakordësia mbi rekomandimet dhe instrumentat me të cilat mund të ndërhyhet për rezultate më të mira.
KOHA JONË SONDAZH

