Gjosha: Zgjedhjet online për anëtarësinë e LSI-së, risi për politikën
Ish-deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka folur për zgjedhjet në LSI. Duke folur për procesin e zgjedhjeve në LSI, Klajda Gjosha tha se i gjithë ky proces online është një risi në politikën shqiptare.
”LSI është parti që gjithnjë sjell risi. Gjithmonë kemi pasur diçka te re por edhe për të treguar që ka mënyra të mira që ti mund ta afrohesh qytetarit në këto kohë që po kalojmë sot. Kohërat po shkojnë drejt inovacionit. Ne do të votojmë online si për kryetarin e LSI dhe anëtarët e Konventës Kombëtare por sigurisht që kemi edhe qendra të shpërndarë ku mund të votohet. Nuk është çështje Covid-i por çështje risie. Edhe nëse nuk do të ishim në pandemi do ta zhvillonim në të njëjtën mënyrë. Ne e kemi përdorur gjithmonë teknologjinë dhe këtë herë jemi një hap më tej”, tha Gjosha për ”Report Tv”.
Sa i përket faktit që Kryemadhi është e vetmja kandidate, për Gjoshën sfida e zonjës Kryemadhi nuk ka mbaruar ende. ”Ne jemi ende një parti opozitare që do të duhet të provojmë forcën tonë por edhe të përfundojmë të gjithë aksionin tonë opozitar, që i nis nga zonja Kryemadhi. Dhe unë jam e bindur që do të kurorëzohet me fitoren e LSI–së në zgjedhje të ardhshme”.