Gjykata e Durrësit lë të lirë Mark Frrokun dhe 7 të tjerë. Jashtë e presin miqtë e tij
Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Mark Frrokun, Antonio Lazarin, Pal Dodën, Martin Lazerin, si edhe për 4 banorët e fshatit Shetaj, Bajram Kaçuli, Ylli Reka, Erjon Reka dhe Orgito Reka.
Arrest me burg në mungesë u dha vetëm për shtetasin Besnik Toma, familjarin dhe shoferin e ish-deputetit Frroku, i cili dyshohet se është personi që qëlloi në ajër me armë zjarri.
Frroku ka dalë i qetë nga gjykata dhe është drejtuar te miqtë që e prisnin jashtë ku janë përshëndetur.
Dy palët u përfshinë në konflikt për një pronë tek Kepi i Rodonit të dielën (29 Tetor).
Sherri mes tyre ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Por banorët e fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Fillimisht ata kanë konfliktuar fizikisht më pas sherri ka agravuar në përdorimin e sendeve të forta dhe armës.
“Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri”, raportoi policia.