Gjylameti: Maxhoranca mund të kishte punuar më mirë

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti

Intervistoi: Redjon Shtylla

Vetëm 5 muaj e mbajnë vendin larg nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, koalicioni qeverisës është në kulmin e nervave. Por, a u është përmbajtur premtimeve qeveria dhe a ka bilanc të mirë mandati i parë? Për deputeten e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, bilanci është pozitiv në shumë reforma por gjithmonë duke kërkuar më shumë nga vetja, që të vazhdohet me reforma të tjera. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo shprehet se:”Personalisht mendoj se duhet të kishim bërë edhe më mirë dhe më shpejt pasi jemi larg asaj që ne presim nga vetja dhe nga qeverisja jonë, por çfarë është fakt është se kemi bërë të pamundurën për t’u kthyer në drejtimin e duhur”. Duke folur per koalicionet, deputetja shprehet se:”Kushtet në një koalicion duhet të jenë në funksion të mirëqeverisjes dhe jo të përjashtimit”.

Akuzat e forta mes koalicionit, a janë normale? Lëvizjet e fundit në qeveri, bëjnë pjesë në përcaktimin e një koalicioni qeverisës për zgjedhjet e 18 qershorit? Si do të dalë PS në këto zgjedhje, e vetme apo me LSI?

PS ka një kontratë me zgjedhësit e saj dhe me gjithë Shqiptarët. Synimi ynë ishte dhe ngelet ai që kanë të gjithë shqiptarët: të kemi një Shqipëri më të sigurt, më të mirë dhe një ekonomi në rritje të qëndrueshme. Strategjia jonë është të punojmë deri ditën e fundit të kësaj legjislature në implementimin e reformave të ndërmarra në përmbushje të premtimeve që morëm para shqiptarëve. Ne kërkojmë gjithmonë e më shumë nga vetja. Pavarësisht se, ishte shumë e vështirë dhe shumë e pafavorshme situata, kur ne morëm drejtimin nuk u dorëzuam dhe vijuam në rrugën tonë drejt reformimit dhe zhvillimit. PS-ja si forcë e parë politike do të mirëpresë ashtu sikurse bëri në vitin 2013 të gjitha ato parti, të cilat mendojnë se e gjejnë veten në programet e saj qeverisëse. Ne mendojmë se bashkimi për një qëllim është pozitiv.

Cili është bilanci i qeverisjes PS-LSI gjatë këtij mandati, sidomos pas akuzave të z.Manjani? Kryeministri shpesh herë ka kërkuar ndjesë për gjërat që s’janë bërë mirë, por nga ana tjetër është shprehur se nuk është bërë asnjë gabim. Si pjesë e qeverinë, keni bërë më të mirën?

Unë mendoj sikurse edhe z.Rama që është njerëzore të gabosh, e rëndësishme që gabimet mos të jenë të qëllimshme në kurriz të shqiptarëve. Personalisht mendoj se duhet të kishim bërë edhe më mirë dhe më shpejt pasi jemi larg asaj që ne presim nga vetja dhe nga qeverisja jonë por çfarë është fakt është se kemi bërë të pamundurën për t’u kthyer në drejtimin e duhur. Ndërmorëm një sërë reformash të rëndësishme, shtet ndërtuese, të cilat rikthyen besimin e qytetarëve tek institucionet. U implementuan reforma strukturore në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë me qëllim një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Kur je në një koalicion qeverisës, duhet të respektosh dhe vlerësosh mendimet e ndryshme dhe në përgjithësi është zhvilluese rrahja e mendimeve edhe pse ndonjëherë debatet vonojnë implementimin e reformave. Shumë reforma kanë dhënë rezultatet e para, por ka akoma shumë për të bërë dhe besojmë si PS-ja, shqiptarët do të na rimandatojnë me votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme pikërisht për të vazhduar në rrugën drejt progresit.

Duke folur për zgjedhjet, reforma zgjedhore ka vënë në tension politikën, demokratët kanë paralajmëruar trazira nëse nuk pranohet votimi elektronik. Çfarë do të bëjë PS-ja që të përmbushë kërkesën për votimin dhe numërim elektronik?

Nuk mendoj se kemi të bëjmë me tension, por më shumë me frikë dhe panik nga rezultati në zgjedhjet e qershorit. PS e ka treguar se ka qenë e hapur, bashkëpunuese si me opozitën edhe me partitë brenda koalicionit. Aty ku mundësitë dhe propozimet janë reale dhe në funksion të përmirësimit të Kodit padiskutim. Kolegët, pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore së bashku me grupin e ekspertëve të PS-së, kanë bërë disa propozime të realizueshme në Kod, të cilat reflektojnë pikë së pari rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që mendojmë shërbejnë për të pasur zgjedhje të lira e të pakontestueshme, duke filluar nga kontrolli i burimeve të financimit të partive e deri në sistemin e votimit, numërimit apo votimit të emigrantëve.

A mendoni se kundërshtimi që PS-së po i bën votimit dhe numërimit elektronik, qoftë dhe listave të hapura, mund ta dëmtojë imazhin e partisë dhe mund të ketë kosto elektorale?

Kurrsesi nuk kundërshton numërimin elektronik, përkundrazi, ka qenë PS-ja e para që ka hedhur në tryezë idenë e numërimit elektronik. PS nuk e ka në historikun e saj tjetërsimin e votave. Opozita e tanishme dhe personat që ngrenë zërin për votimin apo për reformën po dhe besoj e kemi në kujtesë çfarë ndodhi në zgjedhjet e vitit 2011. PS ia ka lënë në dorë ekspertëve dhe institucioneve kompetente si OSBE ODHIR, të shprehen nëse shikohet si opsion i realizueshëm  numërimi elektronik.

Koalicioni me PDIU-në si po shkon? A do të kushtëzohet koalicioni me PS me përjashtimin e aleatëve të tjerë?

Kushtet në një koalicion duhet të jenë në funksion të mirëqeverisjes dhe jo të përjashtimit.

Nga ana tjetër, në denoncimet e opozitës, vihet re një lloj frike se zgjedhjet rrezikohen nga paratë e drogës dhe manipulimet. Si pjesë e maxhorancës, cilat janë provat konkrete dhe garancia që zgjedhjet e 2017-ës do të jenë të lira?

Po më thoni që Opozita mendon se ne do të sillemi me votën si është sjellë ajo gjithmonë kur ka qenë në pushtet? Natyrisht që jo. Ata e dinin si i përdornin lekët e Lazaratit, ata dinin si e përdornin Policinë e Shtetit, administratën, nuk mund dhe nuk duhet të harrojmë se kë kemi sot në opozitë. “Hajduti thotë kape Hajdutin” ne e treguam në vitin 2015 në pushtet që vota dhe vullneti i lirë janë parime bazë që nuk i shkelim. Ne kemi kërkuar që të deklarohen dhe të monitorohen të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e partive në zgjedhjet e Qershorit 2017 duke kërkuar transparencë të financimeve dhe fushatës, të pastrohen listat zgjedhore, të kemi komisioner apo numërues të depolitizuar në qendrat e votimit dhe numërimit. Lufta e Policisë me krimin e organizuar këto vite sikurse e tregojnë dhe rezultatet ka qenë e pa kompromis. Do të jenë edhe më të mira se ato të vitit 2015 që janë të vetmet zgjedhje të pa kontestuara në gjithë këto vite Demokraci. Reforma në Drejtësi do të ketë efekte pozitive edhe në zgjedhjet e radhës.

PS-ja nuk ka më sot të njëjtat figura kryesore që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. Besoni se me largimet e deputetëve, do ketë ndikojë në zgjedhjet e qershorit? Do ketë impakt largimi i kritikëve që pohuan se, qeveria ka probleme tek vota e shqiptarëve?

Partitë politike janë gjithmonë subjekt ndryshimi dhe rinovimi. PS nuk është një individ, por bashkimi i vlerave dhe idealeve të të gjithë anëtarëve të saj. Jemi në fazë organizimi, dëgjimi dhe konsultimi me strukturat, nga të cilat do të merren propozimet për përfaqësuesit në zgjedhjet e Qershorit 2017. Absolutisht jo.

PD është shprehur se Presidenti i ri mund të zgjidhet edhe nga Parlamenti i ri. Emri i Presidentit, del nga radhët e LSI-së apo PS-së, si një ekskluzivitet i maxhorancës? Si do ndikojë kjo çështje në koalicionin qeverisës?

PS është forcë e parë politike dhe duhet të jetë ajo që duhet të ruajë ekuilibrat si brenda koalicionit dhe jashtë tij. Mendoj që emri i Presidentit të ri duhet të jetë i pakontestueshëm nga të gjitha palët dhe duhet të zgjidhet nga ky Parlament.

 

SHKARKO APP