Gomonia godet për vdekje 5-vjeçaren në plazhin e Potamit në Himarë! Shoqërohet drejtuesi polic
Një fëmijë 5-vjeç ka humbur jetën pasi është goditur nga një gomone mesditën e kësaj të marte në plazhin e Potamit në Himarë. E mitura ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e skafit dhe më pas trupi i tij është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në plazhin e Potamit, një plazh i mbi populluar. Fëmija me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones, shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si A. Tase është shoqëruar në polici ku po kryhen procedurat për arrestimin e tij.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, njofton policia.