Gonxhja: Transport dhe drekë falas për fëmijët në shkollat publike, 300 milionë euro për banesa me kosto të ulët

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja thotë në bashkitë kryesore të qarqeve, transporti publik i shkollave publike do të garantohet nga shteti. Gjatë një takimi me punonjës të një kompanie që operon në fushën e industrisë së lehtë në Tiranë, Gonxhja tha se shkolla publike do të fillojë nga dera e shtëpisë dhe do të mbarojë po para derës së shtëpisë.

”Po bëhet një kompani e re e transportit publik në rang kombëtar që do të ketë brenda një degë për transportin shkollor me ngjyrat e autobusëve. Do të jetë edhe kjo në ndihmë të familjes, pasi edhe kjo është kosto”, tha ai.

Ministri po ashtu paralajmëroi nisjen e programit dreka në shkollë. ”Do të jetë një vakt i shëndetshëm për fëmijët në shkollë dhe orari do të zgjatet duke shkuar në 16:30 nga 12:30 që është tani, duke u krijuar lehtësi prindërve në punë. Gjatë kësaj kohe do të ketë një program pas shkolle të paguar nga shteti: rekreativ, sportiv artistik, në mënyrë që ata të rrinë në shkollë”, tha ai.

Ministri bëri të ditur sot se qeveria do të shtojë investimet në fushën e strehimit social për të bërë të mundur sigurimin e banesës për të gjitha familjet, edhe ato me të ardhura të ulëta. ”Strehimi do të jetë arma e dytë për t’u ardhur në ndihmë. Do të konkurrojmë çmimet e privatit, pasi strehimi ka dalë jashtë mundësive të një pjese të popullatës. Do të investojmë 10-fish në strehimin social, duke ofruar mundësi përmes Entit Kombëtar të Banesave që po rindërtohet. Do të ofrohen banesa, duke nisur nga 3,5 milionë lekë deri në 5,5 milionë lekë”.

Gjatë një takimi me punonjës të një kompanie që operon në fushën e industrisë së lehtë në Tiranë, Gonxhja tha se në 5 vitet e ardhshme do të investohen rreth 300 milionë euro për ndërtimin e godinave të strehimit me kosto të ulët, ku çmimet do të konkurrojnë tregun privat.

”Duam që përmes këtyre fondeve të qeverisë dhe fondit prej 3% që merret nga bashkitë zhvilluesve privatë, është një fond i madh, gati 300 milionë euro në 5 vitet në vijim, në mënyrë që të shpërndajmë më tepër shtëpi”. Gonxhja foli edhe për masa të tjera mbështetëse për familjet me ardhura të ulëta dhe ato me fëmijë, ndër të cilat edhe pagesa e disa kësteve nga qeveria.

SHKARKO APP