Greqia “mbyll dyert”, Micotaqis: Pas 1 korrikut, kushdo që do kërkojë të hyjë duhet të ketë vërtetimin që s’ka virus
Në kuadër të masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të pandemisë së koronavirusit Greqia dhe vende të tjera të BE-së, do të vënë si kërkesë për lëvizjen në zonën Shengen një dokument shëndetësor të bazuar mbi testimin, kryesisht atë imunologjik, metodë kjo e anatemuar nga Qeveria “Rama” e cila refuzon realizimin e testimeve masive të popullatës shqiptare.
Dhe si pasojë e kësaj, duket se shqiptarët pas një korrikut, datë kur Greqia do të çelë zyrtarisht dhe sezonin turistik, do të jenë të penalizuarit duke mos pasur mundësi të futen në shtetin fqinj, sepse qeveria shqiptare nuk realizon testime masive për Covid-19.
Lajmi u bë me dije nga kryeministri i Greqisë Kyryakos Micotaqis gjatë një interviste dhënë dje për “CNN”, ku ka folur në lidhje me turizmin dhe menaxhimin e pandemisë së koronavirusit që përfshiu shtetin helen.
Gjatë intervistë, kryeministri grek u shpreh se qeveria e tij parashikon hapjen e sezonit turistik më 1 korrik, duke theksuar se:
“Çdo kush që do vijë duhet të ketë vërtetimin që s’ka virus, pastaj turistët do të monitorohen për pjesën e tyre të qëndrimit”.
Ai shton ndër të tjera se:
“Ajo që unë ruaj si trashëgimi të kësaj krize është ndjesia e suksesit kolektiv. Gjërat kanë ndryshuar për sa i përket vetbesimit tonë dhe besimit. Qytetarët kanë besim tek shteti dhe tek ekspertët”, u shpreh kryeministri grek.
Përgatiti: Koha Jonë