Greqia: Nuk folëm për çështjen çame

 

-PDIU ndjehet e tradhtuar nga qeveria Rama. Me sa duket ndaj ia vodhi PS-ja mandatin Shpëtim Idrizit që të mos kishin përfaqësim komuniteti i madh çam.

Greqia ka zbardhur dje negociatat për marrëveshjen me Shqipërinë duke rrëzuar gjithë propagandën e deritanishme qeveritare për suksesin e Tiranës zyrtare në këto bisedime. Sipas kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm, Dimtir Bushati në këto negociata po diskutohet për çështjen çame, kufirin detar, varrezat e ushtarëve greke dhe të drejtat e shqiptarëve në Greqi. Për Edi Ramën dhe Bushatin në të gjitha këto çështje është shënuar progres. Kjo ka qenë mënyra sesi ministria e Jashtme e ka servirur dialogun me Greqinë duke mos dhënë asnjë detaje tjetër. Por atë që Rama dhe Bushati nuk e kanë bërë prej disa muajsh, ministri i Jashtëm Grek, Niko Kotsias e ka bërë vetëm me një deklaratë.

Në një reagim të bërë ditën e djeshme kryediplomati grek, Niko Kotsias nxjerr lakuriq gjithë mashtrimet e ministrit tonë të jashtëm Bushati. Sipas deklaratës së ministrit grek, “çështja çame nuk ka qenë pjesë e dialogut mes dy vendeve”.  Me pak fjalë, gjithë retorika e muajve të fundit se në Kretë dhe Korçë po diskutohej edhe për çamët ka qenë një gënjeshtër e palës shqiptare. Ministri i jashtëm grek tha dje se “është tjetër gjë që një palë të kërkoj diskutimin e një çështje dhe tjetër gjë që një çështje të futet në axhendën e diskutimit”. Pra çështja çame nuk është vendosur fare në tryezën e bisedimeve dhe Greqia nuk e ka pranuar as të hapët si temë dhe jo më të vendoset diçka.

Ky reagim i ministrit të jashtëm grek erdhi vetëm pak orë, pasi në Komisionin e Jashtëm të parlamentit shqiptar, Ditmir Bushati deklaroi me mburrje se marrëveshja e Greqinë zgjidh dhe çështjen e pronave të komunitetit çam. Në mënyrë diplomatike, Bushati tha heqja e ligjit të luftës shërben dhe për pronat “nën sekuestro të shqiptarëve dhe të shtetasve shqiptarë me origjinë greke”, duke nënkuptuar komunitetin çam. Kjo deklaratë e Bushatit ka nxitur dhe reagimin urgjent të Ministrisë së Jashtme greke që ka hedhur poshtë çdo aludim të qeverisë shqiptare. Pas kësaj deklarate të Greqisë, pyetja që shtrohet është se çfarë ka fituar Shqipëria nga negociatat me Athinën? Qeveria Rama pranoi të shtonte numrin e varrezave për ushtarët grekë, pranoi dhe kushtet për minoritetin dhe lehtësira e tjera për palën greke. Ka gati dhe marrëveshjen e re për paktin detar. Por çfarë ka marrë në këmbim? Deri tani as ligji i luftës nuk është hequr nga Greqia dhe Athina i kujtoi dje qeverisë “Rama” që të mos bëjë as deklarata të pa menduara. Madje as duhet ta përmendin publikisht çështjen çame. Ndërkohë në Tiranë, Rama dhe Bushati mburren dhe se po realizojnë negociata historike me Greqinë. Qëndrimet e qeverisë shqiptare, pas reagimit të palës greke duken si një tallje me shqiptarët dhe me çështjen çame. Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës së fundit elektorale goditi Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitetet që përfaqëson interesat e komunitetit çam. Me ndërhyrjen direkte të kryeministrit kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi humbi mandatin e deputetit në Tiranë për më pak se 50 vota. Ndërkohë që qindra vota të PDIU rezultuan të manipuluara. Me të njëjtën strategji u eliminua dhe deputetja tjetër e PDIU, Mesila Doda. Ndërkohë PS mbështeti për deputetë të kësaj partie disa kandidatë që vetëm me çamët dhe Çamërinë nuk kanë asnjë lidhje. Sot në Kuvend, çështja çame përfaqësohet nga Reme Lala, deputete e Dibrës që nuk ka as origjinë apo lidhje me Çamërinë dhe nga Elena Xhina, deputete e Elbasanit. Reme Lala i mori vetë votat në Dibër dhe nuk ka asnjë detyrim për PDIU. Asnjë prej emrave që kanë mbetur nga formalisht nga PDIU në Kuvend nuk kanë detyrime ndaj komunitetit çam, por vetëm ndaj Edi Ramës. Ndaj largimi i Idrizit dhe të tjerëve nga Kuvendit, sot kur diskutohen negociatat me Greqinë duket si një plan i hartuar prej kohësh nga qeveria e PS.

Çamët ndjehen jo vetëm të tradhtuar, por edhe të ironizuar, pasi ministri Bushati tha se u fol dhe u vendos edhe për çamët në Korçë, por pala greke nxitoi dhe përgënjështroi ministrin shqiptar, duke thënë troç se nuk është folur fare për çështjen çame.

SHKARKO APP