Guvernatori i BSH: Nëse eurobondi nuk plotëson nevojat, mund të ketë huamarrje në tregun e brendshëm
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, ka folur lidhur me eurobondin 700 milionë euro që do të marrë nga Qeveria, por sipas tij, ka një parashikim nga Ministria e Financave që mund të ketë edhe huamarrje në tregun e brendshëm.
“Ka një parashikim, me sa kemi parë nga ana e Ministrisë së Financave që mund të ketë edhe huamarrje në tregun e brendshëm. Pavarësisht nga shifra që fiksohet, eurobondi mund të ketë një ofrim që mund të jetë mbi 700 milionë. Në këtë rast do të shohim nëse do të plotësohet nevoja me eurobondin, por nevoja për huamarrje në tregjet e brendshme nuk do të jetë imediate”, tha Sejko.
Ai tha se nëse do të lindte nevoja për tregun e brendshëm, sistemi bankar është i gatshëm të marrë pjesë, sepse ka likuiditet të tepërt.
Sejko tha se raporti kredi/opozitë është 50 me 50 dhe bankat janë të gatshme, por sipas tij, nëse do të merrej në tregun e brendshëm do të ishte një shumë e madhe, pavarësisht se likuiditetin e ka.
“Një shumë e madhe do krijonte disbalanca ekonomike. Një tërheqje nga 100-200 mln nuk do krijonte disbalanca. Në vlera më të mëdha nuk do ishim dakord”, tha ai.
Guvernatori Sejko është ndalur edhe tek rritja e çmimeve në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me inflacionin. Ai theksoi se një rritje e tillë vjen si pasojë e faktorëve të ofertës, pasi produktet janë të importuara nga tregjet ndërkombëtare.
“Rritja e çmimeve të naftës, energjisë, transportit, transmetohet te produktet e tjera, qoftë edhe ato ushqimore”, tha Sejko.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë instrument bazë ka normën e interesit dhe zbatimin e politikës monetare.
“Nuk e shikojmë të nevojshme të ndryshojmë kahun e politikës monetare. Nëse do kishim një inflacion më të lartë, goditje më të fortë, do konsiderojmë kahun e politikës monetare”, tha Sejko.