Hajdarmataj: Që të mbyllen çadrat e azilit, mbështesni opozitën
Çadra e PD-së në sytë e ndërkombëtarëve është parë edhe si pengesë për zgjidhjen e krizës politike. Disa prej tyre kanë kërkuar kthimin e opozitës në kuvend por për PD-në disa ndërkombëtarë nuk e kanë kuptuar kauzën e saj.
Për të theksuar këtë mosinformim të të huajve, deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj, në fjalën e saj gjatë seancës tek çadra, u ndal tek azili.
Mbi këtë temë, deputetja e opozitës ju është drejtuar ndërkombëtarëve, duke sjellë shqetësimet e qytetarëve dhe krizën që sipas saj ka kapur vendin me largimet në masë. Hajdarmataj theksoi se është takuar me qytetarë që tentuar azilin në vendet e BE-së dhe shkak për largimin është varfëria.
“Para disa kohësh takova një bashkëpatriot, një bashkëfshatar një bytycas të lodhur nga hallet e jetës i cili u nis për Francë me 6 fëmijë. Po iki më tha, aq sa të më mbajnë të paktën do të na ushqejnë dhe do të na trajtojnë si njerëz. Dy ditë më parë, këtu në Cadër takova një grua, nga Kukësi që jeton në Paskuqan dhe më tregoi historinë e saj prekëse. Dy fëmijët e saj, njëri i mitur dhe tjetri 20 vjec kanë emigruar në kamp në Gjermani. Shkaku, varfëria e madhe dhe pamundësia për të përballuar jetën këtu. Ikën në një rrugëtim plot sfida, mundime dhe rreziqe për të kërkuar shpresën”,-ka thënë Hajdarmataj.
Deputetja iu bën thirrje ndërkombëtarve që në mënyrë që çadrat e azilkërkuesve të mbyllen në vendet e tyre, ata të kuptojnë dhe të mbështesin kauzën e opozitës por mbi të gjitha të shqiptarëve.
“I bëj sot një apel diplomatëve europian: Zotërinj, në mënyrë që të mbyllen sa më parë çadrat e dhimbshme të pritjes së aziliantëve në vendet tuaja, kuptojeni më mirë çadrën e shqiptarëve të ngritur në këtë Shesh të Lirisë, mbështeteni kauzën jo vetëm të PD por të gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të lirë, për një vend ku të rinjtë të mos marrin rrugët e botës, por të kenë punë e mundësi shkollimi, ku mos ti vritet shpresa dhe të kenë një perspektiv europiane”,-tha deputetja për qarkun e Kukësit.
KOHA JONË SONDAZH

