Hajdarmataj: Rrofshin demokratët që nuk kanë ambicie për pushtet
Pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha se opozita nuk regjistrohet për zgjedhjet e 18 qeshorit dhe i qëndron besnike bojkotit, tre deputetët e PD-së, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Eduard Selami janë shprehur kundër linjës së kryedemokratit. Ata janë shprehur pro pjesëmarrjes në zgjedhje të forcës tyre politike.
Këto deklarata duket se kanë nxitur edhe njëherë debatin dhe retorikat mes grupit parlamentar të PD-së, gjithmonë në distancë.
Deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, ka zgjedhur rrjetin social facebook, për të shprehur qëndrimin e saj pro Bashës dhe kundër deputetëve që flasin për pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje.
Hajdarmataj shkruan se deputetët e vërtetë, thjesht pa mandat KQZ-je, por me shumë dinjitet e ndërgjegje, me mençuri dhe me heshtje, janë çdo ditë tek “Sheshi i Lirisë”, tek çadra përballë kryeministrisë.
“Çdo fjalë e tyre, hall apo vlerësim, këshillë apo pyetje, uratë apo mallkim për këtë qeveri e kryeministër, vlen shumë më shumë se çdo fjalim që ne kemi mbajtur këto katër vite në podium, live në tv apo statuse në fb. Ballafaqimi për besim dhe mbështetje popullore është sot më shumë se kurrë në peshoren e Lirisë, pikërisht aty, në Çadër, në shesh”.
Duke marrë shkas nga dita e 73 e protestës, deputetja shkruan se kjo kauzë për zgjedhje të lira e të ndershme, është një fakt që shqiptarët kanë shpresë. Çadra, është vend i qëndrestarëve të vërtetë, shkruan Hajdarmataj.
“Prandaj besoj edhe më shumë (në ditën e 73 por kaq të shumtë në numër e në shpresë) në kauzën për zgjedhje të lira e të ndershme, që të kemi një parlament të lirë dhe qeveri kombëtare e jo klanore. Më shumë do të bëhemi nesër dhe në vijim. Sheshi i Lirisë, Çadra është vendi i rezistencës dhe i qëndrestarëve të vërtetë”.
Në fund deputetja ka edhe një mesazh, e që sipas saj shkon për demokratët, ata që e duan këtë vend pa interesa e ambicje për pushtet.
“Rrofshin demokratët në shpirt e në vlera, me apo pa kartë anëtarësie, që e duan këtë vend dhe nuk kanë vetëm interesa e ambicje për pushtet. Republika e Re u përket atyre dhe bëhet vetëm me ta”,- mbyll komentin e saj në facebook, deputetja Mimoza Hajdarmataj.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

