Hazizaj: Produkti i reformës në drejtësi do të jetë i kufizuar
Flet për “Koha Jonë”, Konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj
Intervistoi: Redjon Shtylla
Konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj, shprehet se më 21 korrik në Kuvend, shqiptarët do të shohin as më pak e as më shumë veçse deklarata politike midis palëve. Në një intervistë për “Koha Jonë”, juristi i njohur analizon procesin në të cilin po kalon reforma, ku ndër të tjera thekson se: “Në funksion të dështimit të këtij procesi, padyshim ndikon dhe mentaliteti anadollak dhe jo profesional i përbërjes së institucionit konfirmues të ndryshimeve, i cili për të thënë të vërtetën ka indicion e vet që nga komisionet e ngritura për këtë qëllim”.
21 korriku mbetet dita vendimtare për reformën në drejtësi. Drafti është drejt përfundimit, por janë qeverisja e sistemit gjyqësor dhe mbi të gjitha ligji i vetingut që po mban larg opozitën duke krijuar një ngërç politik. Mendoni se palët duhet të gjejnë dhe do e gjejnë konsensus për të miratuar reformën?
Sqaroj se ndonëse deklarohet se data 21 korrik, e enjte do të konsiderohet si momenti final i pohimit apo pranimit ose e kundërta e tyre mbi paketën kushtetuese të ndryshimeve të mëdha në drejtësi. Nisur kjo nga eksperienca e deritanishme dhe paragjykimi politik që nga nisja e këtij procesi, më rezulton se nuk do të ndodhë asgjë më tepër se deklarata politike midis palëve. Ky konkluzion më forcohet dhe nga vështrimi teknik dhe formal i karakterit të ndryshimeve kushtetuese. Mjafton që të pohoj se Kuvendi i Shqipërisë vendoset përpara dilemave kushtetuese, të cilat në rastin e kalimit të të gjitha ndryshimeve, kapin përmasat e 1/3 të gjithë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Duke shtuar mbi të njëjtën normë dhe faktin se, ndryshimet kanë të bëjnë me shtyllat institucionale të Kushtetutës dhe bëjnë të pamundur teknikisht kalimin në kohë dhe në parim kalimin e paketës kushtetuese të ndryshimeve. Në funksion të dështimit të këtij procesi, padyshim ndikon dhe mentaliteti anadollak dhe jo profesional i përbërjes së institucionit konfirmues të ndryshimeve, i cili për të thënë të vërtetën ka indicion e vet që nga komisionet e ngritura për këtë qëllim. Të gjitha këto, duke shtuar dhe arsyetimin e nëndheshëm, apo paragjykimin se reforma do të ndërpres përfundimisht korrupsionin dhe lidhjet e politik-gjyqësorit me krimin, ndonëse e transferojnë në formë tjetër, për hir të së vërtetës e bën të pamundur edhe pranimin në parim nga një maxhorancë e cunguar, e parealizuar në 2/3 e kushtit të kalimit të drafteve kushtetuese. Sa i përket vetingut, i cili parashikohet në aneksin e ndryshimeve kushtetuese dhe në detaj ka të bëjë me krijimin e procesit të ndërtimit dhe pranimit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit, rivlerësimin, vlerësimin e pasurive, kontrollin e figurës, vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve, konstatoj se qendra, pesha e vërtet e ndryshimeve kushtetuese janë këto momente dhe jo çka është parashikuar në më se 60 ndryshimet themelore në Kushtetutë. Në fund të fundit eksperienca e këtyre viteve ka treguar se për politikën dhe për institucionet ligjzbatuese se ligji ka qenë i parëndësishëm përpara njerëzve me pushtet, ose pushteti prevalon çdo germë ligjore në Shqipëri, sado e rëndësishme qoftë ajo, shkak për të cilën merr rëndësi të madhe reforma kushtetuese në fushën e drejtësisë. Në këtë vështrim është fare normale që arena politike në standardin në të cilin ndodhemi të gjejë të gjitha mënyrat që vetingu të menaxhohet dhe posedohet prej saj. Gjetja e një konsensusi midis palëve në rastin më të mirë do jetë formula dëshpëruese e krijimit të komisioneve me pjesëmarrje të barabartë politike, e cila në të vërtetë jo vetëm që e bën drejtësinë plotësisht politike, por ja hedh dhe formulës së sotme të krimit të institucioneve të deritanishme të menaxhimit të drejtësisë. Pra çdo kompromis politik mbi varësinë e drejtësisë, nuk është kryqëzim për të ecur më mirë, por hibrid i barasvlershëm me etydin popullor, “sipas kokës vëri festën”.
Debati qëndron te mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Cilin shihni si propozimin më të pranueshëm?
E kam deklaruar që në krye të herës se, riformatimi i mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese nuk mbart ndonjë gjë novatore përveç faktit të shtimit të institucionit të Këshillit të Lartë Gjyqësor ndërmjet Kuvendit dhe Presidentit, pra nga dilemë e çon procesin në trilemë, kur dhe kjo e fundit në rastin më të keq krijon ngërçin e deritanishëm të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Lartë. Në këtë kuptim duhet gjetur një formulë apo model më i thjeshtë dhe më i varur nga karriera në drejtësi, se sa nga formula të ngrira, të cilat e rëndojnë procesin.
Vizita e ndihmës/sekretares amerikane Victoria Nuland u pa si shpresa që partitë të arrijnë në konsensus. Paketa e propozimit që iu la krerëve në tryezë shkaktoi një kundërshtim nga ana e PD-së. Si i shihni propozimet që ndërkombëtarët të jenë pjesë e procesit dhe jo vetëm vëzhgues siç pretendon PD-ja?
Mendoj se asistenca e partnerëve euroatlantik ka qenë gjithmonë e domosdoshme në fushën e hartimit të legjislacionit dhe forcimit të institucioneve në vendin tonë. Parë në këtë vështrim dhe vizita e znj. Nuland duhet konsideruar më tepër si vëmendje ndaj një vendi, i cili po gëlon nga padrejtësia. Në këtë kuptim, unë konstatoj se hibridi i bashkimit të dy gjysma mollëve me ngjyra dhe natyra të ndryshme deri në papajtueshmëri, nuk duhet konsideruar si akt që tregon optimizëm nga ndërkombëtarët, por lodhje deri në ekstrem të tyre nga mos kuptimi i vendalinjve për situatën në të cilin jetojnë dhe jetojmë të gjithë. Ajo më shumë se gjithë të tjerët e kupton shumë mirë se rritja e varësisë së drejtësisë nga politika nuk është gjë e drejtë, sepse vendi nga i cili erdhi, ka shekuj që gjyqtarët i nënshtrohen zgjedhjeve dhe jo politikës. Në këtë vështrim me formën hibride të ngritjes së komisionit, nuk bëri gjë tjetër vetëm se vuri dyshekun siç kemi këmbët dhe kokën bashkë. Nisur nga ky vështrim, monitorimi ndërkombëtar, jo vetëm duke konsultuar ose vëzhguar, siç deri tani është parë si mjet i dobishëm prej tyre. Në këtë kuptim gjetja e instrumentit ligjor dhe financiar të duhur, brenda të cilit është krijimi i Byrosë së Hetimit dhe SPAKU-t, është rruga e duhur e përmirësimit të gjithë sistemit. Madje, krijimi i vetëm këtyre institucioneve nuk do ta pështjellonte fare situatën pa fund në të cilën ndodhemi.
A e cenon vetingu sovranitetin?
Në një vend ku nuk ka vlerë jeta dhe prona, në një vend ku instrumenti më i përdorur në familje është dhuna, në një vend, ku prona nuk është e garantuar së pari nga ligji, pastaj nga zbatimi, në një vend ku shteti është i pari që përdor fjalor dhune dhe përdor institucionet si strehë familjare, neopolitike, ku nuk ekziston sovraniteti human, pra është i nëpërkëmbur, nuk di për cilin sovranitet flitet. Këtu është një vend që sovraniteti shitet dhe blihet çdo katër vjet dhe si e tillë nuk mendoj se është e vërtetë përbetimi se cenohet sovraniteti, se këtu vetëm kjo e fundit nuk ekziston. Në qëndrimin tim çdo monitorim në kuptim të kujdesit të hartimit ligjor dhe zbatimit të tij do të ishte shumë i rëndësishëm për të gjetur solucionin e duhur në shërbim të ruajtjes së sovranitetit të jetës, pronës dhe lirisë.
Sipas jush pse edhe pas dy vjetësh diskutim ende nuk ka konsensus për një draft që synon të rregullojë pushtetin e gjyqësorit në Shqipëri?
Dua të kujtoj se vet procesi i reformës në drejtësi filloi si proces vendosjesh prangash, filloi si proces, i cili mori natyrën e reformës së institucioneve dhe ashtu siç duhej të ishte, reformë ndaj dhe mbi të drejtën. Sa kohë që mbrapa stilit të krijimit të institucione të reja qëndronin ëndrra veshur në sirtar, produkti do të ishte i njëjtë, pra i kufizuar dhe jo transparent. Po të shohësh me vëmendje gjithë procesin e diskutimit të ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese, konstaton se shumë pak njerëz kanë dijeni se çdo të ndodhë për pasojë të ndryshimeve. Të gjithë janë të përqendruar dhe dinë mirë se kush u takua, çfarë thanë për konsensusin, ku vajti dhe çfarë i tha. Çdo ditë informacioni ka qenë i të njëjtës natyrë, duke u rrotulluar rreth përgjigjeve të pyetjeve kush, si, pse dhe kur, kush do ikë dhe kush do vijë, kush do futet në burg dhe kush del. Ndonëse në të vërtetë situata duhej të ishte tërësisht ndryshe, ku reforma në drejtësi të konsiderohej realisht siç dhe ka misionin terminologjik të saj, zgjerimin e hapësirave të lirisë për të jetuar, gëzimin dhe garantimin e pronës.
Si e keni parë tezën e referendumit, e cila po artikulohet ditët e fundit nga deputetë të maxhorancës?
Nuk më duket ndonjë ide e mençur aksioma e përdorur jo pak herë për referendumin. Madje, shpesh herë mëshiroj personat që deklarojnë këtë ide, si njerëz që nuk njohin dhe dispozitat kushtetuese, të cilat të tregojnë se kur janë dhe për cilat raste kërkohen referendumet, si dhe nuk kanë lexuar asnjëherë se si organizohet një proces i tillë. Perceptimi mbi një drejtësi të korruptuar i ka kaluar përmasat e referendumit, që do të thotë se sot nuk jemi në situatën e pikëpyetjeve mbi reformën, por jemi në pyetjet se ky duhet të korrigjohet e drejta dhe drejtësia. Drejtësia sociale te ne është diseikulibruar jo për shkak të shoqërisë, por për shkak të politikave dhe sa kohë ky është shkaku, zgjedhjet janë referendumi më i mirë që mund të ndodhë.
A i trembet politika faktit që Byroja e Hetimit do të merret nga amerikanët?
Ndonëse nuk dua ta besoj, por sa kohë paragjykimi për gjithë procesin reformues në drejtësi erdhi si shtrëngim prangash nga politikanë ndaj politikanëve, çdo dyshim duhet konsideruar si i vërtetë. Gjithsesi,përvoja ligjore e deritanishme nuk ka krijuar dhe nuk krijon mundësi që politika të dekurajohet nga institucione hetimore, sepse vendimmarrja e saj mbulohet nga përgjegjësisë kolektive. Sa kohë një akt, nismë, qoftë dhe individuale e një ministri apo dikujt tjetër vishet nga miratimi kolektiv, përgjegjësia individuale humbet. Në këtë kuptim, siç dhe ka ndodhur, kanë dështuar “ligjërisht” të gjitha proceset. Sa më i gjatë në kohë do të vazhdojë ky moment ligjor, aq më i largët do të jetë dhe funksionimi si dhe sa duhet i çdo institucioni, sado të rëndë ta ketë emrin dhe nga çdo anë e botës të vijë. Në këtë kuptim dhe nëse do të pranohej krijimi i një apo dy institucioneve, mosrregullimi ligjor i mënyrës së funksionimit të disa institucioneve do të jetë pengues i përhershëm i funksionimit të institucioneve hetimore, procedurale dhe penale.