Hazizaj: Vetingu, Gjykata Kushtetuese pjesë e lojës, vendimi nuk del para 15 dhjetorit

Flet për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj: Ka humbur vullneti për të zbatuar ligjin e Vetingut

Intervistoi: Redjon Shtylla

Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Europian, lidhet me zbatimin e Vetingut, por ky i fundit po endet në Komisionin e Venecias. Aludimet se ka gabime në përkthim në draftin, Konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj, i quan të mirëkuptueshme, të cilat mund të rregulloheshin nga Gjykata Kushtetuese dhe pa iu drejtuar Komisionit të Venecias. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Hazizaj shton se:”Ndërthurja e vullneteve politike në këtë çështje, nuk është gjë tjetër veçse shprehje elektorale, heqje vëmendje nga probleme shumë të mëdha që ka vendi me vet ekzistencën e  tyre”.

Ligji që bën rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, e ku PD-ja aludon se pikat kryesore të draftit që iu dërgua Venecias u përkthyen gabim në anglisht. E shihni si pengesë për zbatimin e reformës, duke e lënë pezull zbatimin e Vetingut?

Përpara se të vijoj me përgjigjen e drejtpërdrejt të pyetjes tuaj, në formë të shkurtër duhet që të bëj me dije se Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është përmbushje detyrimit të ndryshimeve kushtetuese me Ligjin nr. 76/2016, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 138, datë 27 korrik 2016. Kushtetutës i janë bërë ndryshime në pjesën që rregullon sistemin e drejtësisë në vend. Pjesë e ndryshimeve kushtetuese, në aneksin e saj është edhe përfshirja e masave që kanë të bëjnë me kryerjen e një procesi tërësor rivlerësimi kalimtar, për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri, përfshirë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Madje Kushtetuta në ndryshimet e saj, parasheh në nenin Ç të Ankesit të Kushtetutës “Rivlerësimi dhe kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale”. Në një farë mënyre ndryshimet kushtetuese jo fort në mënyrë të përmbledhur kanë hedhur dritë si në formë dhe në përmbajtje se çfarë dhe mbi kë subjekt do të ushtrohej detyrimi i rivlerësimit të aftësive dhe pasurive të tyre. Ndonëse shihet qartazi që në mënyrë të hapur dhe shumë “transparente” maxhoranca ka devijuar nga parimi përgjithshëm i pavarësisë së pushteteve, gjithsesi, në mirëkuptim të rrugës së shkurtër historike që ka kaluar vendi ynë drejtë demokracisë, këto deformime janë të mirëkuptueshme, të cilat mund të rregulloheshin nga Gjykata Kushtetuese dhe pa iu drejtuar Komisionit të Venecias, opinioni i të cilëve ka kohë që është dhënë mbi ndryshimet kushtetuese. Në këtë kuptim nuk ka pasur arsye logjike dhe ligjore që për Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” Gjykata Kushtetuese t’i drejtohej sërish Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese duhej të tregohej më dinjitoze dhe më profesionale në konstatimin e jo kushtetushmërisë së disa dispozitave të ligjit organik të sipërcituar. Fakti ndodhi, dhe si i tillë nuk ka kuptim të jepet opinion më tepër mbi kërkesën e tyre ndaj Venecias, por duhet pranuar se si gjithmonë, gjyqësori e ka humbur betejën me pushtetin ekzekutiv dhe politik përhershmërisht në të gjitha kuptimet dhe në të gjitha betejat e ashtuquajtura ligjore. Në këtë vështrim, duhet konsideruar dhe i ashtuquajturi “gabim” apo “lajthim” në përkthim. Është i padyshimtë fakti që tani ekzistojnë dy realitete vullnetesh politike, ku njëri u shpreh në ndryshimet kushtetuese, ndoshta i imponuar, por gjithsesi me rezultat pozitiv, ndërsa vullneti i dytë duket sikur ndodh për drejtësinë, por fsheh brenda vetes dëshirën për të sunduar mbi drejtësinë. Nuk është e rastësishme që në realitetin e qeverisjes së gjyqësorit sot kemi dy institucione, Këshilli Lartë i Drejtësisë, i cili është jo kushtetues, por që mblidhet dhe kryen funksionin e vet, sikur të jetë i tillë dhe nga ana tjetër kemi institucionin kushtetues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që jo vetëm nuk funksionon por ende nuk është krijuar. Në këtë kuptim është e tepërt të konstatosh në se një gabim përkthimi do të ndikojë në vonesën e zbatimit të ligjit të vetingut, kur në këtë vend ka humbur vullneti për të zbatuar ligjin, sado i keq qoftë ai.

Edhe pse nuk bëhen me dije se cilat çështje, paragrafë apo fjalë janë përkthyer gabim, për ju a mund që një Gjykatë Kushtetuese të tregohet e “dobët” për një çështje kaq madhore? A mundet që përkthimi të kthehet nga një çështje teknike në një çështje politike?

Në të vërtet “përkthimi”, apo”lajthimi” nuk është çështje teknike dhe as ligjore, sepse thjeshtazi Komisioni Venecias nuk është një institucion dallkukësh apo të paditurish, siç janë këta këtu. Ata ecin mbi  kufij të vendosur jo sot, as përpara 20 vjetësh, por mbi themele të së drejtës të krijuara me qindra vitesh. E keqja jonë dhe gjyqësorit gjithashtu, është se kur këtij pushteti i cenohet e drejta nga vullneti politik i drejtohen ndërkombëtarëve apo komisioneve dhe gjykatave ndërkombëtare për tu mbrojtur nga të drejtat e gjithpranuara ndërkombëtare apo nga Konventa e të Drejtave, duke harruar se në mënyrë të përditshme, për shkak të mungesës së profesionalizmit etj, institucionet dhe gjykatat shkelin në mënyrë të përditshme të drejtat e njeriut. Ndaj në mënyrë të kahershme prej meje është konstatuar se shumë dispozita kushtetuese dhe ligjore të ndryshuara së fundmi nuk do të realizojnë misionin e vullnetit politik të ndërkombëtarëve dhe një pjesë të politikës vendase. Ndodhur në këtë konflikt politik dhe vullnetesh, Gjykata Kushtetuese nuk është treguar e dobët se ka lejuar të përkthehet gabim një apo disa fjalë apo paragrafë, por është treguar e dobët dhe e nënshtruar sa kohë nuk ka konstatuar jo kushtetushmërinë e shumë dispozitave të ligjit të vetingut, të cilat janë qartazi jo korrekte dhe ngatërrestare. Ndërthurja e vullneteve politike në këtë çështje, nuk është gjë tjetër veçse shprehje elektorale, heqje vëmendje nga probleme shumë të mëdha që ka vendi me vet ekzistencën e  tyre. Për ta ilustruar këtë opinion, thjeshtazi bëj me dije se nuk është më e madhe çështja e një përkthimi të gabuar, se sa kompromisi i heshtur politik ndaj vendimit të fundit të KQZ-së lidhur me heqjen e të drejtës së përfaqësimit të mijërave qytetarëve në periferi të Shqipërisë, duke reduktuar numrin e zonave elektorale në disa bashki.

Qëndrimi i gjykatësve kundër ligjit dhe fakti që ai do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese është parë si konflikt i mundshëm interesi, si afrim me një krah të politikës. Si e keni parë qëndrimin e tyre deri më tani?

Nuk do ta dëshiroja të konstatoja që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë dhe të jetë krah i politikës, sepse në të vërtet në historikun e saj mbarten vendime, të cilat kanë sjellë shumë pozitivitet rrjedhës ligjore në vendin tonë. Ajo ka qenë dhe është një rojtar shumë i mirë i frenimit të orekseve politike të shprehura në ligje apo akte të tjera, të cilat në se nuk do të rrëzoheshin me vendimet e saj, rrjedha e demokracisë do të kishte marrë drejtim tjetër tani. Po kaq të larmishme kanë qenë dhe konfliktet e saj me të gjitha qeveritë në këto vite, siç dhe e kundërta është shfaqur në jo pak raste, pra që kanë mbajtur dhe qëndrime politike të qarta, por pa dëme ligjore dhe sociale. Sa i përket analizës së qëndrimit dhe veprimit të saj midis konfliktit të interesit dhe politikës, sqaroj se as Kushtetuta dhe as ligji nuk e ka zgjidhur mirë dhe si duhet pozicionin dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mënyrën se si dhe deri ku do të shtriheshin detyrimet dhe të drejtat e saj mbi ndryshimet e fundit kushtetuese dhe ligjet organikë në zbatim të tyre. Pa hyrë shumë në detaje, por kjo është arsye e fortë që shoqatat e profesionistëve dhe gjyqtarëve i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i reformës në drejtësi dhe Kuvendi gjithashtu, në veprimtarinë e tyre harruan ose neglizhuan faktin se sot gjyqtarët për shkak të eksperiencës së tyre janë më teknik dhe më të hollë se fodullët që bëjnë sikur merren me drejtësi, nuk e dinë që e drejta është materiale dhe procedurale në themel, nuk është fjalë, fjalë dhe vetëm sharje.

Zbatimi i Vetingut është shndërruar në kushtin kryesor për çeljen e negociatave, ndërsa presioni i SHBA-BE është maksimal. E shihni mundësinë që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim para datës 15 dhjetor, kur është edhe mbledhja e Këshillit Europian?

Duke mos qenë pjesë e personave apo individëve të shumtë të dëshpëruar në këtë vend, po përgjigjem sërish teknikisht, duke pohuar se zbatimi i Vetingut apo i Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk është çështje ditësh, por është proces i gjatë, kjo e cituar dhe në ligj. Në këtë kuptim përgjigjen më të mirë për kushtet dhe çeljen e negociatave e tha vet Ministrja e Integrimit, znj. Gjosha, kur pohoi se, nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave por procesi. Referuar përmbajtjes së këtij citimi, theksoj se do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese të ishte shprehur edhe kundër për dispozita të veçanta që nuk shkojnë me frymën e kushtetutës nëse ishte e mundur, me qëllimin që politika të tregonte më qartë qëllimin e saj në hartimin e ligjit. Gjykata Kushtetuese, ndoshta nga presioni u bë pjesë e lojës, nga e cila nuk mund të dalë përpara datës 15 dhjetor, sepse beteja e kundërshtimit të ligjit sapo ka filluar.

Nëse Këshilli i Lartë i Gjyqësorit nuk ngrihet brenda 8 muajsh siç parashikohet në ligj, çfarë ndodh? A do jemi në një gjendje kolapsi të Gjyqësorit apo dhe të gjithë shtetit?

Proceset ligjore dhe ndryshimet e tyre, sidomos këto të fundit duhen konsideruar shumë të rëndësishme, jo vetëm nga përmasat, përmbajtja por dhe forma apo mënyra se si u realizuan. Në historikun e ligjbërjes në vendin tonë në të ardhmen do të mbahen mend si koha kur ndonëse vullneti nuk ekzistonte, ai mund të imponohet. Sot ne ndodhemi rreth gjashtë muaj pas ndryshimeve kushtetuese, ku asnjë detyrim i parashikuar në to nuk ka gjetur zbatim. Kjo tregon se realiteti politik është më i rëndësishëm se vullneti masës, ndaj kur duhen marrë reforma ligjore etj, duhet të studiosh mirë vendin, traditën, kohën dhe cilët individ duhen zgjedhur për realizimin e misionit. Nëse bën një krahasim midis elementëve apo faktorëve të sipërcituar, konstatohet lehtë që procesi i drejtësisë do të jetë i gjatë, konfliktual dhe i komplikuar. Sa i përket kolapsit të shtetit për shkak të vonesave të zbatimit të reformës në drejtësi, nuk mendoj se ekziston, për dy arsye. Së pari, sepse institucionet qeverisëse tek ne ngrihen mbi procesin e rezultateve të njohjes dhe legalizimit të paligjshmërisë, dhe së dyti, jam i bindur se më keq se kaq nuk ka dhe nuk mund të ketë, kur beteja nuk fillon me të drejtat e qytetarit, por me të drejtat dhe detyrat e gjyqtarit.

Politika e vendit ka deklaruar se me Reformën në Drejtësi, do shihnin edhe arrestime të niveleve të larta ligjvënësish? Sipas jush a do të bëhen këto arrestime edhe për politikanë apo klasa politike mbron sferën e saj, përtej debateve?

Çdo përgjigje që do të jepja për këtë pyetje, do të merrte pamje qesharake dhe pa vlerë. Në një vend ku vulnerabiliteti merr fuqi, qeverisja nuk ka kosto, burgu është detyrë e qytetarit, ndërsa liria është lëmoshë.

 

SHKARKO APP