Hoti: Në rrugën e Lurës nuk punohet. Zv/ministrja Balluku: Do të dorëzohet sipas afateve kontraktuale

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, tha sot në seancën plenare se qytetarët në Lezhë e Mirditë i dinë mirë investimet që qeveria ka bërë në këto qytete.
”Për rrugën Milot-Balldren sot është hapur gara zyrtarisht dhe është bërë publike. Edhe shkodranët me këtë rast mirë është që të na dëgjojnë edhe nga Parlamenti. Nuk po gatuhet ndonjë çorbë se nuk e di pse i keni qejf këto çorbat. Po i kthehem asaj që thatë që ika unë nga qarku dhe mora makineritë. E ndjej që keni në grup një dëshirë shumë të madhe të më ngrini vlerat që unë paskam edhe makineritë dhe i çoj ku të dua”, replikoi ajo me deputeten e Partisë Demokratike, Elda Hoti e cila pretendoi që në rrugën e Lurës nuk po punohet ndërsa u premtua përfundimi i saj në vitin 2023.
Zv/kryeministrja i quajti akuzat e deputetes Hoti të pavërteta, ndërsa puna në kantiere vazhdon dhe është lehtësisht e verifikueshme. ”E vlerësoj faktin që dilni këtu dhe thoni të pavërteta, por vetëm kështu ju më jepni mua mundësinë të përsëris ato punë që kemi bërë. Çfarë kemi bërë në Lezhë dhe në Mirditë janë të gjitha në kantiere të verifikueshme dhe qytetarët kanë votë në këtë vend dhe në 11 maj, siç ka ndodhur në tre mandatet e fundit ju do të merrni përgjigjen e duhur. Ndërkohë që ju flisni dhe hidhni baltë ne punojmë, kjo është diferenca e madhe mes nesh”.