Hoxha: Deputetët që kritikojnë Bashën, janë humbës në zonat e tyre

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Bedri Hoxha

Intervistoi: Redjon Shtylla

Humbja e thellë e PD-së në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Dibër, shkaktoi një debat të thellë brenda grupit  të Partisë Demokratike. Kritikat e “vjetra”, sollën trazira në selinë blu, ku përgjegjës bënin z.Basha dhe kërkonin që pozicioni i lidershpit të rishihe, duke dhënë dhe zgjidhje. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së për Qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha analizon humbjen e partisë. Sipas tij, ishte një garë tërësisht e pabarabartë, ku e gjithë makineria qeveritare, bandat dhe krimi i organizuar, u vunë në shërbim të kandidatit të majtë. Ai pranon se dega e PD-së Dibër ishte në një situatë kaotike. “Në këtë situatë strukturat ishin të demotivuara”,- shprehet ai. Duke folur për kritikët Brenda grupit, Hoxha sqaron se: “Kritikët së pari duhet të jenë model në aktivitetin e tyre politik, të kenë dhënë rezultate të kënaqshme në garat elektorale. Për sa kohë nuk janë rezultativ në betejat elektorale, kritikat edhe sugjerimet e tyre nuk kanë vlerën dhe peshën e duhur”.

Pse opozita pësoi një disfatë në Dibër? Në analizën tuaj edhe si deputet i qarkut, cilat ishin shkaqet që e çuan në humbje të thellë kandidatin e opozitës, duke ditur se zgjedhjet u bënë në një Bashki pas një skandali?

Zgjedhjet e 11 shtatorit për Bashkinë Dibër për vetë kushtet dhe klimën politike që u zhvilluan, do të çonin në një humbje të pa shmangshme të kandidatit të opozitës. Ishte një garë tërësisht e pabarabartë, ku e gjithë makineria qeveritare, bandat dhe krimi i organizuar, paratë e pista, klanet e narko-trafikut u vunë në shërbim të kandidatit të majtë për fitoren me çdo kusht dhe çdo çmim. Ne si opozitë kemi denoncuar me prova se qeveria ishte e tëra në fushatë si me logjistikë ashtu edhe me potenciale njerëzore edhe pse në orarin zyrtar duhej të ishin në shërbim të qytetarëve. Makinat e doganave shqiptare të pushtuara nga logo të PS-së dhe të PDIU-së, për një muaj ishin gjithë kohën në fushatë në kundërshtim të hapur me ligjin. Administrata shtetërore, mësuesit, mjekët dhe infermierët morën urdhër të prerë se nëse do të merrnin pjesë në takimet e opozitës dhe nuk faktonin votën pro kandidatit Muharrem Rama përmes fotografimit, do të largoheshin nga puna. Të mos harrojmë se Dibra ka afro 3500 punonjës shteti, të cilët u shantazhuan për të votuar në favor të kandidatit të majtë. Vetëm në 2 muajt e fundit në Bashki ishin futur pa asnjë lloj kriteri mbi 150 punonjës, kështu u veprua edhe në shumë institucione të tjera shtetërore. Në Dibër u instaluan bandat më të rrezikshme që jo vetëm shantazhonin qytetarët, por komandonin edhe Policinë e Shtetit për shkak edhe të lidhjeve mes tyre në kultivimin e Kanabisit. Në këto zgjedhje varfëri u ble më lehtë se çdo herë tjetër, pasi ajo ishte ulur këmbëkryq në shumë vatra dibrane. Faktet e paraqitura në media janë vetëm maja e ajsbergut, por dhe të mjaftueshme për t’u bindur se si u ble varfëria e shtuar nga kjo qeveri në Dibër. Padyshim edhe ne patëm defektet tona që çuan në thellimin e humbjes. Dega e PD-së Dibër ishte në një situatë kaotike për shkak të fillimit me vonesë të ristrukturimit të organeve drejtuese në të gjithë kapilaret e saj. Në këtë situatë strukturat ishin të demotivuara. Zgjedhjet në degën e PD -së Dibër, duhej të ishin kryer së paku një vit më parë.

Votat në Dibër, a tregojnë se pas tre vitesh mund të kemi sërish besim dhe shpresë te opozita?

Padyshim se shpresa e vetme e shqiptarëve për daljen nga kjo gjendje kolapsi, ku ndodhen. Nuk mendoj se kjo maxhorancë dhe Kryeministri Edi Rama, rilindja në tërësi të jetë më shpresë për shqiptarët. Në një vend, ku varfëria është rritur, papunësia gjithashtu, mungesa e rendit dhe pasiguria për të nesërmen kanë bërë që shqiptarët të jenë të dytët si azilkërkues pas Sirianëve në vendet e BE-së, ku shteti dhe mafia janë bërë një. Kjo qeveri u ka vrarë shpresën shqiptarëve edhe pse thonë se ajo vdes e fundit. Ajo tashmë ka vdekur. Ndaj rruga e vetme për daljen nga kjo situatë është programi ekonomik i PD-së, lufta ndaj korrupsionit dhe çmontimi i krimit të organizuar në çdo strukturë të shtetit.

Akuzat e kreut Basha janë se votat i bleu karteri i drogës, por si arritën përfaqësuesit e shumicës të blinin vota në Dibër, sipas qëndrimit të selisë blu, kur e gjithë struktura e PD-së ishte instaluar në çdo fshat të Dibrës, me “misionin” e ruajtjes së votës, ku gabuat?

Po votat i bleu karteli i drogës! Unë isha në Dibër 3 javë gjatë fushatës elektorale. Pashë me sytë e mi parcela me kanabis në Muhur dhe në fshatin Mustafaj, të gjithë banorët i dinin kush i kishte mbjellë, por kishin frikë të denonconin pasi parcelat ruheshin me banditë të armatosur. A mund të më thoni kush është ai fshatar që mund të denoncojë, kur policia është në një front me kultivuesit? Kush është i mbrojtur në këtë vend kur të huaj masakrohen për vdekje dhe detyrohen të largohen nga vendi duke tërhequr mbrapsht miliona euro investime? Blerja e votës nuk është një proces legal. Është një proces i sofistikuar si shumë fenomene negative si korrupsioni, krimi i organizuar, kontrabanda, e që janë fenomene, të cilat duhen luftuar nga qeveria. Por qeveria është aktori i realizimit të tyre, situata bëhet më e vështirë dhe më e komplikuar për t’u zbuluar. Faktet e paraqitura nga PD-ja dhe mediat investigative janë të mjaftueshme për të provuar atë se çfarë ndodhi në Dibër. Nuk është e vërtetë se e gjithë struktura e PD-së ka qenë në Dibër. Kemi qenë 15 deputetë nga një për njësi vendore për arsye të organizimit që i parashtrova më lart. Vetëm ditën e zgjedhjeve strukturat e PD-së kanë qenë në Dibër për të vëzhguar procesin. Gabuan ata që blenë votat jo opozita.

PD-ja zbarkoi në Dibër për një test lokal, por kishte një strategji të duhur?

Një gjë më çudit, pse nuk ju shqetëson prezenca e ministrave të kabinetit qeveritar pa përjashtim gjatë gjithë fushatës dhe shumica e deputetëve socialistë në çdo njësi vendore, kryesisht 10 ditët e fundit të fushatës. Nëse ne nuk do të ishim në Dibër, procesi do të ishte i masakruar totalisht. Me prezencën tonë ne faktuam se ky kryeministër zgjedhjet e lira nuk i ka në principet e tija. Ky fakt duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë shqiptarët dhe demokracinë në tërësi.

A ka nevojë PD-ja për një reformim, duke parë dhe zërat e grupit kundër kreut Basha. E shihni të nevojshëm një ndryshim? A i bind PD-ja shqiptarët se ajo ka shpresën, thënë ndryshe, a ngjall PD-ja shpresë?

Padyshim që PD-ja dhe partitë politike kanë nevojë për reformim të vazhdueshëm, për ndryshim dhe kohezion në programin e saj politik dhe ekonomik. Ndryshim duhet të ketë dhe në elitat politike duke harmonizuar me kujdes përvojën, njerëzit më kontribuues që nuk e shohin partinë si vend strehim për rehatinë e tyre. PD duhet të riorganizojë me shpejtësi disa degë të saj që patën rezultate jo të kënaqshme në zgjedhjet e fundit elektorale. Kjo gjë duhej bërë me kohë kur na ndajnë vetëm 9 muaj nga zgjedhjet e Qershorit 2017. Në PD ka zëra ndryshe që unë nuk i konsideroj si grup kundër Bashës, por si elementë me karrierë të gjatë politike, me të drejtë kërkojnë funksionim më të mirë të organeve drejtuese të partisë në vendimmarrjet politike. Unë mendoj se kritikët së pari duhet të jenë model në aktivitetin e tyre politik, të kenë dhënë rezultate të kënaqshme në garat elektorale. Për sa kohë nuk janë rezultativ në betejat elektorale, kritikat edhe sugjerimet e tyre nuk kanë vlerën dhe peshën e duhur.

PD-­ja me aleatët që ka nuk arriti rezultatin e dëshiruar. Kreu Basha nuk e ka mohuar një aleancë me LSI­-në, e cila shihet si një ekuilibër mes partive të mëdha. A vjen PD-ja në pushtet me një koalicion me LSI-në?

Personalisht jam kundër një koalicioni parazgjedhor me forca politike që nuk i përkasin spektrit të djathtë politik jo vetëm për arsye programore, por edhe për arsye të historisë sonë politike me koalicione të panatyrshme. LSI është një nga partitë e koalicionit të sotëm qeverisës dhe si e tillë është bashkëfajtor për situatën e krijuar në vend. Modeli i saj qeverisës është po aq i korruptuar sa ai i rilindjes. Parë në këtë kontekst një nga arsyet e humbjes sonë në 2013 ishte edhe koalicioni me LSI-në. Heshtja ndaj aferave korruptive të saj me qëllim qëndrimin në pushtet të PD-së bëri të mundur humbjen e besimit qytetar në 2013. Ne nuk do të vijmë kurrë në pushtet nëse nuk kemi një front të fortë opozitar transparent dhe fleksibël për qytetarët. Nëse rrimë dhe mendojmë se çfarë bën Ilir Meta, cilët janë raportet e tij me Edi Ramën, kurse ata do të ndahen. PD-ja me strategjinë dhe programin e saj duhet të luftojë për t’i larguar nga pushteti dhe jo të mendojë për koalicione me ta.

Keni besim te lidershipi i Lulzim Bashës në zgjedhjet e 2017?

Padyshim që kam besim të padiskutueshëm në lidershipin e z.Basha për zgjedhjet e 2017. Në këto tre vite në krye të opozitës shqiptare z.Basha ka arritur disa fitore të mëdha politike në dobi të shqiptarëve. Siç është ligji i dekriminalizimit të Parlamentit dhe administratës shtetërore. Reforma kushtetuese, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, lufta ndaj narko-trafikut. Sensibilizimi i faktorit ndërkombëtare për qeverisjen kriminale të dyshes Rama -Meta. Hartimi i programit politik dhe ekonomik për zgjedhjet e ardhshme ku në themel të tij është rimëkëmbja ekonomike, klima miqësore ndaj biznesit dhe taksat e ulëta. Basha po punon për një koalicion të gjerë për zgjedhjet e 2017. Të gjitha këto dhe cilësitë e tij intelektuale e bëjnë atë lider të padiskutueshme të frontit opozitar.

SHKARKO APP