Humbja në zgjedhje, Berisha shkon në Bruksel: Partitë pjesëtare të IDU mbështesin përpjekjet për rikthimin e votës së lirë

Sali Berisha ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Forumin Botëror të IDU-së. Sipas tij, partitë pjesëtare të IDU mbështesin 100% përpjekjet e PD dhe opozitës shqiptare për rikthimin e votës së lirë. ”Unë erdha këtu me urgjencë për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Për të paraqitur para audiencës dhe personaliteteve të pranishme në këtë forum, farsën e turpshme zgjedhore të 11 majit. Këtu ka një terren jashtëzakonisht të përshtatshëm, pasi që të gjitha këto që ndodhën në 11 maj janë të parashikuara në mënyrë të plotë në rezolutën e dhjetorit të forumit të Uashingtonit të IDU-së”,-tha Berisha.

I pyetur lidhur me garancitë që mori nga drejtuesit e partive politike, Berisha tha se ”ata mbështesin plotësisht 100 për qind përpjekjet që po bën PD dhe opozita shqiptare për rikthimin e votës së lirë qytetarëve shqiptarë, dhe dënojnë farsën elektorale të Edi Ramës. Ne u jemi pafundësisht mirënjohës IDU-së, PPE-së dhe CDI-së, të cilat kanë folur në rezoluta të tyre në një gjuhë të njëjtë ndaj narkoshtetit shqiptar dhe shndërrimit të procesit zgjedhor në një farsë elektorale nga Edi Rama, narkodiktatori që ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet”.

A do të ketë një dëgjesë në Kongresin Amerikan sa i takon çështjes së zgjedhjeve? ”Ne vijmë për t’ia paraqitur gjithçka ligjvënësve, administratës së SHBA të gjitha faktet flagrante që kemi, të cilat rrëzojnë këtë farsë elektorale dhe dëshmojnë në Shqipëri është i instaluar narkoshteti. Ne po përpiqemi dhe jam optimist. Natyrisht, agjenda e Kongresit amerikan dhe e senateve është një agjendë shumë e ngjeshur. Unë kam shumë besim që do arrijmë që, në një mënyrë ose një tjetër të paraqesim kauzën tonë të drejtë”. Për betejën që do të bëjë opozita tashmë në parlament, Berisha tha se opozita do të hartojë agjendën e saj, por opozita do të vazhdojë betejën për votën e lirë në të gjitha format.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?