I hoqën fjalën në Kuvend, Vasilika Hysi publikon fjalimin e pambajtur për Vetingun
Vendimi i minutave të fundit për të tërhequr të gjithë fjalimet e kërkuara nga deputetët në punimet e djeshme parlamentare ku u miratua projeligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve duket se nuk është mirëpritur nga deputetja socialiste, Vasilika Hysi. Anëtarja e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, e ka pritur me padurim zbardhjen e ditës së sotme për të publikuar në rrjetet sociale që në orët e para të mëngjesit fjalimin që ajo mesa duket e kishte parashikuar që ta mbante nga foltorja e Kuvendit një natë më parë.
Në tentativën e saj për t’iu përgjigjur pretendimeve të opozitës, Hysi shprehet se jo vetëm drafti i vetingut, por edhe 6 projektligjet e tjera që janë pjesë e ligjeve bazë për zbatimin e Kushtetutës së re duheshin miratuar mbrëmjen e djeshme. “Miratimi i kornizës ligjore të reformës në drejtësi ishte themeli i reformës. Në fakt, e mira do ishte që këto ndryshime të kalonin si paketë se bashku me 7 ligjet bazë për të cilat kanë punuar për më shumë se 20 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtare. Kjo gjë nuk u bë e mundur, për aq kohë sa debatet profesionale, teknike qoftë edhe politike nuk u bënë në komisione dhe kur duheshin, por në momente të vonuara dhe që shpesh synojnë të kthejnë procesin në nivelin fillestar”- thotë Hysi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “facebook”.
Ndryshimi i fjalimeve
Gjatë ditës së djeshme Fillimisht, u raportua se seanca do të zgjaste deri në mesnatë, por më pas u bë me dije se në punimet parlamentare do të ishin vetëm pesë diskutime, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve që ishin parashikuar të flisnin mbi reformën në drejtësi dhe që ishin më shumë se 30 ligjvënës të të dyja kampeve, pak minuta para nisjes së seancës u tërhoqën nga fjalimet e tyre. Kështu në emër të Partisë Socialiste, ndryshe nga sa pritej, në foltoren e Kuvendit do të ngjitej vetëm Pandeli Majko dhe jo kryetari i komisionit të reformës Fatmir Xhafaj. Po ashtu Eduard Halimi, dhe jo nënkryetari i komisionit Oerd Bylykbashim, prezantoi qëndrimin e Partisë Demokratike. Ndërkohë, fjalime mbajtën edhe Fatmir Mediu për grupin e PR-së, dhe Mesila Doda në emër të PDIU-së. Por një tjetër ndryshim rrotacion emrash të minutës së fundit në listën e përfaqësuesve të partive politike parlamentare ishte edhe ai i kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, i cili ia la vendin kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. / H. Mesi/
KOHA JONË SONDAZH

