Idrizi takon Lu dhe Vlahutin: Referendum nëse nuk ka konsensus
Sot pasdite, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi zhvilloi një takim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu dhe ambasadoren e BE, Romana Vllahutin, njofton zyra e shtypit të PDIU.
Takimi u përqendrua tek Reforma në Drejtësi. Idrizi u informua për zhvillimet e fundit për reformën në drejtësi dhe propozimim e zëvendës sekretares së Shtetit, Viktoria Nuland, si dhe një propozim që afron palët. Por dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me kontestimin e fortë të PDIU për ndryshimin Kushtetutës mbi diskriminimin gjinor.
“Idrizi falenderoi ambasadorët për ndihmën shumë të çmuar për reformën në drejtësi dhe angazhimin e tyre për miratimin e kësaj reforme ekstremisht të rëndësishme për shëndoshjen e institucioneve e të shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Ai theksoi faktin që 90 përqind e shqiptarëve, por dhe të gjitha forcat politike janë shprehur për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e kësaj reforme”,- thuhet në njoftim.
Shpëtim Idrizi vuri theksin në qëndrimin e PDIU-së në favor të kësaj reforme dhe mbështetjen për variantin e ri të kompromisit të dhënë së fundi nga partnerët tanë. PDIU i bën thirrje të gjitha partive parlamentare dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ta miratojnë dhe këtë nen të fundit duke e konsideruar një mundësi të qartë kompromisi propozimin e zëvendës sekretares së Shtetit për rekomandimin 88.
Në rast të mos arritjes së konsensusit, Idrizi ka theksuar se reforma duhet të kalojë në referendum. “PDIU insiston që dhe pas miratimit të kësaj reforme të shkohet drejt referendumit si shprehje direkte e demokracisë. Zoti Idrizi shprehu pozicionin e PDIU-së që në rast mos gjetjes së kompromisit për rekomandimi 88 të shkohet në referendum për këtë nen duke ju drejtuar sovranit të shprehet për këtë nen që po mban peng një reformë kaq të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e PDIU.
Zoti Idrizi i shprehu ambasadorëve qëndrimin e qartë të PDIU-së që neni 18, i cili i hap udhë martesave homoseksuale nuk është pjesë e reformës në drejtësi, por megjithë qëndrimin tonë kundër, ka nevojë për një debat më të gjerë publik.
Ai ngulmoi se pjesë e këtyre ndryshimeve kushtetuese duhet të jenë edhe propozimet e janarit të bëra nga PDIU, veçanërisht e Presidentit nga populli dhe kalimi i akteve kushtetuese me referendum po nga populli, për t’i rikthyer sovranit të drejtën e vendimarrjes. Shpëtim Idrizi i shprehu kënaqësinë ambasadorëve për dialogun e hapur për këto çështje dhe për investimin e tyre për Reformën në Drejtësi.
KOHA JONË SONDAZH

