Ilir Alimehmeti: Berisha kryetar i PD? I takon forumeve të vendosim, por që nuk po mblidhen!
Ilir Alimehmeti: PD ka nevojë për reflektim dhe rotacion – Berisha është kryetar, por fjala i takon forumeve.
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, shprehet se çdo diskutim për lidershipin e PD duhet të zhvillohet në mënyrë institucionale, brenda forumeve të partisë. Në një prononcim për “Top Channel”, ai theksoi se statusi i Sali Berishës si kryetar nuk është çështje që zgjidhet në media, por në organet statutore të partisë.
“Berisha është kryetar i PD. Statutin e vendos partia dhe është e drejta jonë që ta bëjmë këtë diskutim brenda forumeve tona, kur të mblidhen. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar, siç dihet, por ai nuk është mbledhur ende. Ne do kemi diskutimet tona kur të vijë momenti”, tha Alimehmeti.
Duke komentuar situatën pas zgjedhjeve, ai theksoi se mungesa e dorëheqjeve është një tregues i nevojës për një analizë të thellë të performancës zgjedhore dhe për një proces të qartë reflektimi që duhet të sjellë ndryshim në strukturat drejtuese.
“Po të kishte qenë puna për dorëheqje të menjëhershme, duhej të ishin dhënë. Ndryshimet, përndryshe, duhet të jenë pasojë e një reflektimi më të matur dhe më kolegjial. Kush ka performuar mirë, duhet të ecë përpara. Kush jo, të tërhiqet. Ne s’mund të predikojmë rotacion në nivel kombëtar pa e praktikuar atë në familjen tonë politike”, shtoi ai.
Alimehmeti i bëri thirrje partisë që të hapet realisht për brezin e ri, duke kujtuar se edhe ai vetë është produkt i një hapjeje të tillë, ndonëse të kufizuar. “Numrat kanë qenë të vegjël. PD ka nevojë për një oksigjenim të brendshëm përmes përfshirjes reale të të rinjve dhe energjive të reja”.
Ai u shpreh kritik edhe ndaj sistemit zgjedhor aktual, që sipas tij, penalizoi kandidatë të votuar masivisht nga qytetarët, përfshirë edhe vetë atë. “Demokratët nuk janë gati për një garë të parakohshme, por ka ardhur koha për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Ky sistem la jashtë Parlamentit zërat që morën më shumë vota – dhe unë isha një prej tyre”, përfundoi Alimehmeti.
KOHA JONË SONDAZH

