Ilir Meta pritet në Kongresin dhe Senatin Amerikan
Në vijim të axhendës së takimeve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Ed Royce.
Pasi e falënderoi për ftesën, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e uroi z. Ed Royce për rizgjedhjen e tij. Meta në takim theksoi rëndësinë e një partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke nënvizuar se: “Shqipëria është e vendosur për të forcuar edhe më tej partneritetin e saj me SHBA-të. Shqipëria është dhe do të jetë aleate e vendosur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja amerikane në Ballkan është jetike për stabilitet dhe siguri”.
Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, z. Ed Royce ndau bindjen e përbashkët me Meta se aleanca solide SHBA-Shqipëri duhet forcuar më tej në përballje të sfidave të përbashkëta globale e rajonale.
Me pas Ilir Meta u prit nga nga Presidenti i Senatit Amerikan Orrin Hatch
Gjatë qëndrimit të tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Amerikan z. Orrin Hatch.
Senatori Orrin Hatch i uroi mirëseardhjen në Washington Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në ceremoninë inauguruese të Presidentit 45-të të SHBA z. Donald Trump.
Duke diskutuar mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Senatori Hatch theksoi se Administrata e re do t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe aleatëve të saj.
“Kemi kënaqësinë që merrni pjesë në inaugurimin e Presidentit Trump. Administrata e re do t’i kushtojë vëmendje Shqipërisë dhe aleatëve të saj. Në këtë kuadër duhet të rrisim bashkëpunimin në disa fusha si siguria dhe tregtia dhe Senati i Shteteve të Bashkuara e mbështet partneritetin në rritje mes dy vendeve”, – theksoi Presidenti i Senatit Amerikan z. Orrin Hatch.
Kryetari i Kuvendit Meta, gjatë takimit, vuri në dukje se betimi i Presidentit Trump është një ngjarje me rëndësi jo vetëm për SHBA por edhe më gjerë.
“Inaugurimi i Presidentit Trump është me rëndësi jo vetëm për SHBA por edhe në aspektin global. Besoj në një bashkëpunim në rritje për të ardhmen ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”,- u shpreh Kryetari i Kuvendit Meta.
Gjatë bashkëbisedimit, Meta vlerësoi gjithashtu rëndësinë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Ballkanit duke theksuar se: “Angazhimi i SHBA është shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë e rajonit”.

KOHA JONË SONDAZH

