Incidenti me Vjosa Osmanin në Shkup, Presidenca: Keqardhje për mënyrën sesi u trajtua në konferencën Kurti-Mickoski
Presidenca e Kosovës shprehu të martën keqardhjen për mënyrën se si u trajtua incidenti në aeroportin e Shkupit, gjatë konferencës së shtypit një ditë më parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski. Bëhet fjalë për incidentin e 1 gushtit, pas së cilit zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroportin e Shkupit. Presidenca e Kosovës tha se e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, si sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e konsiderojnë këtë rast si provokim nga ana e Maqedonisë së Veriut ndërsa kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski shprehu keqardhjen për incidentin. Në reagimin e presidencës së Kosovës thuhet se “mënyra se si u trajtua incidenti” gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, “sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.
Presidenca e Kosovës tha se ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe zbatuara botërisht. Pala maqedonase thekson se në fluturimet komerciale të gjithë krerët e shteteve apo qeverive u nënshtrohen protokolleve të njëjta të kontrollit sikur udhëtarët e tjerë. Ngjarja ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut ndërsa autoritetet atje thanë se pas hetimeve, një raport zyrtar pritet të ndriçojë incidentin me presidenten Osmani.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha të hënën se nuk ishte ky rasti i parë por rasti i tretë ndërsa ofroi që ta takonte presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ta shoqëronte kur ajo do të udhëtonte dhe të shfrytëzonte shërbimet e aeroportit të Shkupit. Presidenca e Kosovës tha se përderisa e vlerëson shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, “për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë”, thuhet ne reagim.
Sipas presidencës, presidentja Vjosa Osmani nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Kosovë në aeroportin e Shkupit. Ai tha se autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë shprehur keqardhjen dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardh këtë çështje në tërësi dhe në hollësi. “Le të zbardhet plotësisht dhe në hollësi ajo situatë dhe unë jam shumë optimist për të ardhmen”, u shpreh Kryeministri, Albin Kurti.
Presidenca e Kosovës tha se raportet për incidentin e pashembullt në aeroportin e Shkupit të përgatitura nga presidenca dhe policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme dhe kanë qenë tash e sa ditë. “Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare”. Nuk është rasti i parë që udhëheqës të Kosovës janë përballur me situatë të ngjashme në aeroportin e Shkupit, por është hera e parë që kjo është bërë publike. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore. /VOA/