Intervista e Edi Ramës në gazetën italiane La Stampa
Edi Rama ka postuar një shënim për intervistën e tij në gazetën La Stampa dhe ku shkruan:
Nuk pushojnë kërkesat e mediave italiane për intervista, gazeta e televizione të mëdha janë nën efektin e magjisë së Shqipërisë Turistike dhe memeja humoristike që postova pak ditë më parë, me fotomontazhin e anijeve të ikjes së madhe të vitit ‘91, ka bërë xhiron e Italisë, duke i nxitur edhe më shumë mediat italiane të flasin për bumin turistik të Shqipërisë
Kjo është një intervistë me të përditshmen La Stampa, për të gjithë ata ndër ju që s’rrinë dot pa lexuar gazeta në këtë gusht fantastik
Shijojeni
Ndërkohë që kryeministri Edi Rama po pushon, vetëm pak ditë, në shtëpinë e tij të pushimit në Dhërmi, aeroporti i kryeqytetit shqiptar ”nuk fle”.
Pothuaj 200 fluturime ulen mes ditës dhe natës në aeroportin i Rinasit, pa llogaritur transportin tokësor apo detar. Të gjithë janë të çmendur për bregdetin më të kërkuar të verës 2023. Nga Shkodra, në Adriatik, në Sarandë dhe ishujt e Ksamilit në Jon, çmimet e ulëta të shtëpive të peshkatarëve u bashkangjiten resortet dhe makinat luksoze që drejtohen nga shumë të rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Lideri socialist gëzohet me suksesin e vendit të tij dhe poston një meme autoironike: Vlora e 1991 plot njerëz të dëshpëruar drejt Italisë dhe një fotomontazh me të njëjtën skenë, por këtë herë ata që largohen me anija janë pushuesit italianë drejt vendit të shqiponjave.
”Një nga karakteristikat e Ramës është aftësia për t’i parë gjërat nga një lartësi prej dy metrash”, thonë ata që e njohin mirë.
Rama së bashku me kryebashkiakun e qytetit të Lezhës, planifikon zhvillime për të rritur PBB e asaj zone përmes turizmit, por në drejtimin që nuk e pret.
“Lezha do të bëhet një “Spanjë e vogël”, një destinacion i ri mesdhetar me 5 yje”. Kushdo që mendonte se ambicia ishte Riviera Romanjole e kohëve të shkuara, e ka shumë gabim.
Ju quajnë Maldivet e Mesdheut, po flasim për “Alb-mania”. Cilat janë shifrat e këtij bumi festiv?
Rama: Ne po përshkojmë rrugën e ecurisë turistike të vendit tuaj. Kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur më shumë se +35% turistë, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Kur mora detyrën si kryeministër (2013), aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350,000 pasagjerë në vit. Tani mbi 6.5 milionë.
Jeni të përgatitur për këtë sulm?
Rama: Pas tre apo katër viteve më në fund ka ardhur një ndryshim imazhi. Deri para disa vitesh vuanim nga paragjykimi i krijuar në vitet ’90, të të qenit kriminelë, mafioz, emigrantë të varfër që ëndërronim “Lamerica”, siç do thoshte Gianni Amelio. Sot vijnë turistët dhe shkrihen me kënaqësi mes njerëzve tanë. Era ka ndryshuar. Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por kujdes: nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive dhe kostoja e ulët mund të shkatërrojë të ardhmen dhe të lërë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore.
Kushton më pak se Italia, Greqia dhe Kroacia. Natyrë e mrekullueshme, e lehtë për t’u arritur. Si planifikoni të ndryshoni trendin?
Rama: Ne kemi barazuar Greqinë dhe sapo e kemi kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë. E pabesueshme, por kemi punuar shumë në këto vite Rilindjeje Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të ekuilibruar dhe të nivelit gjithnjë e më të lartë. Duhen edhe tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar krahas më të mëdhenjve.
A thua se ky pushtim ishte i padëshiruar?
Rama: Unë them se jemi një tokë e pasur nga pikëpamja natyraliste, nga deti në mal. Kemi disa vende nën mbrojtjen e UNESCO-s. Vizioni ynë i Shqipërisë 2030 e ka si objektiv kyç turizmin, po ne nuk duam të biem në grackën e mjaltit: numrat e sotëm mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm. Turizmi masiv nuk është i qëndrueshëm për mjedisin. Duhet ekuilibër për të mbrojtur natyrën. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.
Emiratet po ndërtojnë një nga marinat më të mëdha në Europë në Durrës?
Rama: Është një investim i madh, nga 2.3 në 2.5 miliardë. Shqipëria dëshiron të jetë lider edhe nga pikëpamja energjetike. Pak e dinë se ne bazohemi në 100% burime të rinovueshme. Por fatkeqësisht është e gjitha e bazuar mbi ujin. Ne po diversifikohemi, sepse nëse “Zoti nuk qan”, domethënë nuk bie më shi, për shkak të ndryshimeve klimatike, mbështetja në energjinë e ujit bëhet e vështirë dhe importi kushton. Ne kemi investitorë të mëdhenj të fotovoltaikëve (mes tyre Voltalia e Totali francez) dhe dy parqet më të mëdhenj të rajonit në ndërtim. Po përqëndrohemi edhe te energjia e erës: francezët, turqit dhe austriakët sapo kanë fituar një sfidë. Pastaj, është Shell dhe Eni juaj me operacione të mëdha për gaz dhe naftë në tokë. Jemi ende të paeksploruar në atë front.
Kur do të fillojnë shpimet?
Rama: Tashmë ato kanë nisur dhe me pritshmëri vërtetë të bukura.
Italia? Investon pak në Shqipëri?
Rama: Italia është një aleat shumë i fortë. Nëse do të ishte dinake dhe do të ishte në lartësinë e reputacionit të saj për këtë, do të kishte bërë shumë më tepër investime. Mendoj se dinakëria ekonomike e vendit tuaj është më shumë një mit sesa realitet.
Ti si socialist, je një admirues i madh i Melonit. Ju madje e puthët atë në funeralin e Berlusconit. Çfarë po ndodh?
Rama: Unë kam pasur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha qeveritë, si edhe vendi im që kur hymë në botën e lirë. Giorgia jo për mua, por për klubin euroatlantik është një surprizë e madhe. Në të gjitha rrethanat ndërkombëtare ajo shihet me respekt. Është karizmatike dhe thotë të gjitha gjërat e duhura. Unë jam 198 cm i gjatë, por kur ajo flet duket më e gjatë se unë.
Je i dashuruar me të?
Rama: Jo, njeriu nuk puthet vetëm për dashuri. Unë e admiroj atë. Giorgia është motra e vogël e Shqipërisë, unë jam një vëlla i vjetër i Italisë dhe e kemi njohur njëri-tjetrin si të tillë në Tiranë, duke u përqafuar para se të fillonim të flisnim.
A e ngadalëson apo favorizon anëtarësimin tuaj në BE lufta në Ukrainë?
Rama: Besoj dhe shpresoj se do të përshpejtojë integrimin e plotë të vendeve europiane në BE. Nuk është më vetëm çështje financiare, por mbi të gjitha gjeopolitike. Do të ishte largpamëse që Ballkani Perëndimor të hynte pa ”u zvarritur”, për të mos lënë vrima të zeza dhe hapësirë për palët e treta që tashmë kanë krijuar probleme për rajonin.
Po flisni për infiltrimin e Rusisë dhe Wagnerit, si në Niger? Tensionet në Kosovë, Bosnje gjithmonë në prag të shpërthimit: jeni të shqetësuar se një front i ri do të hapet në Ballkan?
Rama: Me sytë nga e ardhmja, ka shumë për të qenë të sekëlldisur. Por deri para 10 vitesh ishte e pamendueshme që liderët ballkanikë të uleshin në të njëjtën tryezë.
Megjithatë, edhe sot, marrëdhëniet nuk janë të thjeshta. Nuk e takuat Kurtin në Prishtinë, serbi Vuçiç vazhdon flirtin me Rusinë, Dodik kërcënon me shkëputjen e Republikës Srpska. Ku është harmonia?
Rama: Serbia duhet parë ndryshe. Ajo ka një të kaluar shumë serioze si agresore, është autore e një spastrimi etnik që duhet ta lërë pas. E ka ndërtuar politikën e saj të jashtme si një korridor pasqyrash midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Serbia duhet të marrë një vendim, por mendoj se do të zgjedhë Perëndimin, botën demokratike.
A nuk e shihni një rrezik Donbass?
Rama: Po, sigurisht dhe jam shumë i shqetësuar, por gjithçka varet nga ne. Askush nuk mund ta ritrazojë Ballkanin nëse nuk i japim shanse. Konflikti në Kosovë mund të bëhet i madh, edhe pse në shkallë të vogla. Situata e pakicës serbe në veri mund të kthehet në një Donbass i vogël. Ëndrra e Putinit. Por Serbia nuk mund të jetë Rusi, edhe sikur të donte.
Ju dhe Kurti, dy liderë shqiptarë nga vende të ndryshme. Çfarë po gabon kryeministri i Kosovës?
Rama: Unë e respektoj atë, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është i fiksuar dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë në tavolina përgjithmonë. Pastaj, historia të bën të presësh.
Ju jeni mik i Erdoganit. A mund ta gjejë Turqia çelësin për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë?
Rama: Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Europës dhe është një bashkëbiseduese e aftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për ndryshimin e një vizioni imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putinit. Të gjitha luftërat përfundojnë në tavolinën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë.