Intervista/ Rrokaj: Do t’ia kujtoj shpesh Ramës se është deputet i Vlorës
Shezai Rrokaj është i vetmi përfaqësues i LSI-së, i cili arriti të fitonte mandatin e deputetit në Vlorë. Rrokaj ka qenë para pak kohësh në rolin e akademikut dhe dekanit në UT në Tiranë, ndërkohë që në këto zgjedhje ai ndërmori një tjetër rrugë, atë politike. Në një intervistë për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Rrokaj ka folur lidhur me sfidat që e presin në këtë detyrë të re; përse zgjodhi rrugën politike, duke qenë akademik. Gjithashtu, deputeti i LSI-së për Vlorën ka folur edhe për marrëdhënien e tij me kryeministrin dhe pozicionimin që do të ketë në parlament sapo të nisë detyrën në shtator.
Si ndiheni tani që fituat mandatin e deputetit të LSI për Vlorën?
Ndihem krenar, sepse jam deputet në qytetin tim të lindjes, me të cilin më lidhin një mijë fije si: dashuria për vendlindjen, fëmijëria, malli, të afërmit, njohjet e shumta, por edhe që vij nga një qytet ku antikiteti e lidh me Orikun e lashtë dhe Amantian. Mesjeta me Kalanë e Kaninës dhe Donika Kastriotin, me pavarësinë dhe lindjen e shtetit, Luftën Nacionalçlirimtare me të cilën Vlora e Labëria ka një lidhje të pandashme etj. Ndihem gjithashtu mirënjohës ndaj të gjithë votuesve të LSI-së, që në kushte të pazakonta të trysnisë shtetërore dhe të blerjes së votës, e dhanë votën e tyre, me qëllim që edhe qarku Vlorë të përfaqësohej në Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht që ndiej përgjegjësi për t’i përfaqësuar ata dhe të gjithë qytetarët e këtij qarku me dinjitetin që meritojnë.
Cili do të jetë pozicionimi juaj në Parlament? Roli kyç që do të keni?
Kjo gjë do të varet nga detyrat që do të më ngarkohen prej grupit parlamentar, si dhe prej ndarjes së përgjegjësive në komisione. Por, përtej kësaj, roli im do të jetë një rol prej opozitari, që shkon edhe me vetë natyrën jokonformiste që kanë intelektualët. Përveç problematikave që do të dalin gjatë jetës parlamentare, besoj se në fushën e arsimit dhe shkencës, në fushën e kulturës dhe të qeverisjes vendore, roli im ka për të qenë më i spikatur.
Si do të jenë marrëdhëniet me Edi Ramën tani që jeni deputet i Vlorës?
Do t’ia kujtoj shpesh se është deputet i saj, në mënyrë që qarku Vlorë të marrë vëmendjen që meriton. Në planin e komunikimit etik do të jenë korrekte dhe të ndërsjella. Në planin politik do të ketë një opozitarizëm konstruktiv. Por, natyrisht qëndrimet e mia do të jenë të lidhura me nevojat konkrete që kanë qytetarët e këtij qarku.
Kryeministri ka thënë se deputetët e qarqeve duhet të nxjerrin emrat e punonjësve të administratave që nuk kanë dhënë rezultat pozitiv gjatë bashkëqeverisjes. Ç’mendim keni lidhur me këtë?
Nëse është kështu si thoni ju, më duhet të pohoj se ky veprim është një nonsens institucional, pasi ngatërron pushtetet, ku deputetët marrin role të ekzekutivit, gjë që nuk është normale për pushtetin legjislativ. Pra, është një deformim kushtetues. Lidhur me faktin se pas kësaj fshihet gjuetia e shtrigave për të krijuar një alibi për goditjen e LSI-së, kjo nuk përbën më risi. Goditja politike për shkak të bindjeve politike është shfaqur qysh gjatë fushatës elektorale dhe kjo dëshmon se gjithçka flitet si propagandë për një administratë shteti demokratik, është vetëm një truk populist për të goditur LSI-në. Ne po e ndjekim këtë problematikë. Ne nuk i kemi dalë dhe nuk do t’i dalim mbështetje kujtdo që shkel ligjet e shtetit, por Edi Rama dhe kushdo qoftë nuk e kanë pronë private shtetin, ndaj do t’u dalim zot mbështetësve tanë dhe cilitdo që ndëshkohet për shkak të bindjes politike.
Edi Rama është një ndër deputetët në Vlorë, kurse ju jeni i vetmi i LSI-së. Sipas jush, kë vlerësojnë më shumë vlonjatët, kryeministrin apo ju?
Se kë duan më shumë vlonjatët, mua apo Edi Ramën, kjo nuk më xhelozon edhe po të duan atë më shumë, ndonëse vetëm këto vite ai po përmendet si vlonjat. Unë uroj që 8 deputetët e PS-së dhe unë, por edhe 3 deputetët e PD-së, kur është puna për investime në qarkun tonë, të mos kemi ngjyra partiake. Mjafton që ata të zgjidhin çështje jetike si: rrugët, uji, dritat gjatë gjithë vitit, shëndetësia, arsimi, punësimi, zhvillimi i turizmit në 170 km bregdet, ambienti etj.
Cila është arsyeja e zgjedhjes së politikës?
Në vitin 2008 unë u bëra pjesë e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, ku siç dihet PS-ja dhe PD-ja brenda një nate ndryshuan Kushtetutën, mu si në 17 maj të këtij viti. Asokohe, LSI-ja e bëri pjesë të aksionit të saj kundërshtimin e kësaj ndërhyrjeje, të cilën vite më vonë edhe këto forca politike e kanë njohur si gabim. Së dyti, gjatë mandatit tim si rektor i UT-së, në betejën time për autonominë universitare, kuptova se kjo betejë mund të fitohej edhe me, e sidomos, aksion legjislativ. Së treti, iu bashkëngjita LSI-së, sepse kjo forcë promovon rininë si një pasuri kombëtare, me të cilën lidhej edhe jeta ime akademike. Në këtë periudhë zoti Meta më bëri një ftesë dhe unë e pranova. Katër ditë më vonë më erdhi një ftesë nga PS-ja. U përgjigja se e dhashë fjalën, nuk më shkon të tërhiqem. Pavarësisht ku je, e rëndësishme është të përpiqesh për t’i bërë më mirë gjërat, duke iu përmbajtur disa parimeve themelore në jetën e një njeriu.
Ju keni qenë dekan i Fakultetit Histori-Filologji, si ishte kalimi nga profesor në deputet?
Prej vitit 2008, kur u përfshiva në LSI, detyra ime themelore ka qenë ajo e akademikut. Në politikë kam pasur funksione si: kryetar i Tiranës, anëtar i kryesisë, anëtar i KDK-së dhe tani jam kryetar i KDK-së. Gjithashtu, kam qenë këshilltar në Bashkinë e Tiranës dhe në qarkun e Tiranës. Kanë qenë marrëdhënie përplotësuese. Por, për një gjë jam i sigurt: asnjëherë nuk kam shfrytëzuar njërën, për të realizuar tjetrën. Bie fjala, nuk jam zgjedhur dekan duke shfrytëzuar politikën, apo qenien time dekan ta vija në shërbim të politikës. Tani më duhet t’i kushtohem prioritarisht politikës, pa harruar rolin e akademikut, sepse mendoj se kështu mund të jem edhe më i dobishëm në politikë.
A ka ndikuar orientimi juaj politik në detyrën tuaj si profesor?
Nuk besoj, në të kundërtën mundet. Qenia profesor më ka rritur përgjegjësinë ndaj arsimit, shkencës dhe të bërit politikë. Arsimi është një e mirë kombëtare, një pasuri që lidhet me vetë misionin e tij: hapja ndaj dijes, botës, universit nga njëra anë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës nëpërmjet zotësisë profesionale nga ana tjetër. Politika është qasje për mirëbërjen a keqbërjen e kësaj pasurie, por çdo parti si entitet është shumë më pak se vlera kombëtare e universale e arsimit të një vendi.
Ju jeni zgjedhur deputet i LSI-së në Vlorë. Çfarë roli do të luani për Vlorën si deputet. Cili është programi juaj?
Kam thënë gjatë fushatës se do të jem një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Do të bashkëpunoj me deputetët e spektrit tjetër politik për të mbrojtur dhe promovuar interesat e këtij qarku, sikundër do të jem i vendosur që siç e theksova më lart, të kërkoj të mosshpërdorohet prej politikës me heroizmin vlonjat, që t’i kthehet Vlorës dinjiteti i qytetit prej nga lindi themelimi i shtetit. Qeveria duhet të heqë dorë nga megalomania për një Vlorë ‘perlë e Mesdheut’ dhe më parë t’u kthehet punëve jetike për qytetarët: rrugëve, ujit, dritave, harmonizimit të pjesëve përbërëse të njësive administrative, llojeve të turizmit, arsimit dhe shëndetësisë, rrugëve brenda rajoneve, zonave informale për legalizim dhe urbanizim. U duhet dhënë rëndësi punëve të vogla jetike për qytetarët, pra fasadave. Vlora duhet të kthehet në një qendër kombëtare historike, duke harmonizuar periudhat historike me llojet e turizmit ekologjik, bregdetar. Porti i Vlorës nuk është as për turizëm dhe as për mallra, nuk ka një markatë peshku, gjelbërimi është në shifra alarmante 0,7/m2 nga 7/m2, që është standardi. Rrugët komunikuese me rivierën janë një kalvar vuajtjesh për pushuesit etj. Nëse në një mandat të dytë nuk do të konkurronit sërish ose nuk do të fitonit, a do t’i riktheheshit detyrës suaj të mëparshme?
Besoj se po. Kam investuar shumë për profesionin e studiuesit. Do të mbaj si pedagog i jashtëm lëndën e Gjuhësisë teorike. Sigurisht, me sa do të kem mundësi, edhe do të shkruaj apo do të marr pjesë në tubime shkencore. Nëse nuk do të kem angazhim të drejtpërdrejtë si deputet, do të vazhdoj si tani.
Në rolin e deputetit çfarë do të bëni për arsimin, duke qenë se jeni profesor? Keni ndonjë plan lidhur me këtë?
Unë këtë problematikë e njoh mirë në të gjitha nivelet e arsimit: si profesor, si autor tekstesh, si drejtues, si hartues politikash arsimore etj. Do të kontribuoj nëpërmjet politikave konstruktive për një strategji arsimore, që është e lidhur me strategjinë e zhvillimit dhe të punësimit. Sistemi arsimor duhet shkundur nga mbingarkesa me informacion të vjetruar dhe të panevojshëm, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të kenë kohë për të menduar dhe jo të mësojnë për riprodhuar. Buxheti për arsimin është më i ulëti në Evropë, nuk shkon as 3% e PPB-së, ku universitetet marrin vetëm 0,5%. Për shkencë shpenzohet më pak se 0,17%. Brenda arsimit të lartë buxheti për shkencë nuk arrin as 1%. Buxhetimi për arsimin e lartë nga shteti nëpërmjet fondit të pakushtëzuar nuk mjafton as për 10 muaj rrogë. Taksimi i lartë i profesorëve ka ulur ndjeshëm të ardhurat e tyre, deri 25% më pak se 4-5 vite më parë. Investimet në arsim nuk kanë shkuar në proporcion me dinamikën e zhvillimit dhe demografinë e zhvendosjes së popullsisë. Cilësia në arsim është sfida e jonë e përbashkët./GSH