Intervistë/Hajri Laçi: Anija e Ramës drejt mbytjes. Nga Beqaj-Xhaçka, dibranët ndihen të nëpërkëmbur
Kreu i LSI-së në Dibër, Hajri Laçi: Kemi një ekip përfaqësues për qytetarët, dhe jo një ekip që bën vota dhe harron qytetarët më pas. Ekipi ynë përbëhet nga mësues, mjek, juriste, inxhinier
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Anija të cilën po drejton është drejt mbytjes përfundimtare, dhe po përpiqet të bëjë përpjekjet e fundit të dëshpëruara, por tashmë është shumë vonë”. Mjeku Hajri Laçi është pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit, i cili mban detyrën si kreu i LSI-së në Dibër dhe i pari në listën për deputet në këtë qark. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai thekson se “Të qenurit pjesë e kësaj gare, unë e shikoj si përgjegjësi në radhë të parë, në të njëjtën kohë edhe privilegj, sepse kam mundësinë që të jem përfaqësues i qytetarëve dibranë në parlamentin e ardhshëm”. Nga ana tjetër, Laçi ka analizuar edhe punën e Rilindjes në këtë qark. “Infrastrukura rrugore për të ardhur keq, shëndetësia falas keq e më keq, arsimi në nivelet më të dobëta, fondet për bujqësinë dhe blegtorinë nuk ekzistojnë, të gjitha këto falë udhëheqjes së Beqajt dhe Xhaçkës. Nga kjo dyshe qytetarët dibranë ndihen mjaft të ofenduar, të nëpërkëmbur dhe të vjedhur”.
Për herë të parë u angazhuat në politikë në korrik të vitit 2015 si anëtar i Këshillit Bashkiak Dibër. Tashmë jeni kreu i LSI-së në qarkun e Dibrës, dhe i pari në listë si kandidat për deputet. Çfarë do të thotë kjo për JU? Është ky momenti i duhur që të bëheni deputet?
Absolutisht që ky është momenti i përshtatshëm për t’u përfshirë më thellë në politikë, mendoj se kam arritur pjekurinë e duhur për të qenë pjesë e një sfide elektorale, pjesë e garës së 25 Prillit nën siglën e LSI-së. Të qenurit pjesë e kësaj gare, unë e shikoj si përgjegjësi në radhë të parë, në të njëjtën kohë edhe privilegj, sepse kam mundësinë që të jem përfaqësues i qytetarëve dibranë në Parlamentin e ardhshëm.
Si po Ju shkon fushata zgjedhore? Çfarë emocionesh përjetoni kur takoheni me bashkëqyetarët? Çfarë presin ata nga ty?
Fushata ka filluar të intensifikohet sepse edhe dita po afrohet, është mjaft dinamike dhe në të njëjtën kohë qytetare. Takimet dhe bashkëbisedimet me qytetarë të ndryshëm, me të rinjtë dhe të rejat, me intelektualë, me shtresa në nevojë më emocionojnë çdo ditë e më shumë. Në sytë e tyre zhgënjimi është shumë i madh, gjithashtu është shumë e madhe edhe shpresa për një ndryshim më 25 prill, kjo më motivon më shumë, të takoj sa më shumë qytetarë për t’i dëgjuar hallin dhe problemin.
Peshkopia ishte zona elektorale e ministres Olta Xhaçka. Në këto 8 vite qeverisje, sa u realizuan premtimet e Rilindjes për Dibrën? Po ashtu cilat janë disa nga idetë që keni për ndryshimin e situatës pas 25 prillit, nëse fitoni mandatin si deputete?
Peshkopia ishte zona elektorale e Ilir Beqajt dhe Olta Xhaçkës, të cilët aktualisht janë drejtues politik në qarqe të tjera. Është për të ardhur keq për Dibrën sepse përgjatë 8-viteve nuk është bërë asgjë pothuajse në çdo aspeket. Infrastrukura rrugore për të ardhur keq, shëndetësia falas keq e më keq, arsimi në nivelet më të dobëta, fondet për bujqësinë dhe blegtorinë nuk ekzistojnë, të gjitha këto falë udhëheqjes së Beqajt dhe Xhaçkës. Nga kjo dyshe qytetarët dibranë ndihen mjaft të ofenduar, të nëpërkëmbur dhe të vjedhur. Qarku Dibër është një zonë e bekuar, me resurse të shumta natyrore nëntokësore dhe mbitokësore, të cilat në mandatin tonë do të marrin vëmendjen e duhur, duke i kthyer në funksion të qytetarëve dibranë, dhe jo në funksion të xhepave të pushtetarëve dhe oligarkëve. Unë do të jem një zë i fortë për qytetarët dibranë, do të punoj fort për t’i rikthyer dinjitetin qytetarëve dibranë.
Pas një eksperiencë të konsiderueshme në fushën e shëndetësisë, ju tashmë vini në atë të politikës. Si ju ka shërbyer kjo përvojë në njohjen e nevojave të njerëzve të zakonshëm dhe a mendoni që mund të jetë ky raport me njerëzit, pika juaj e fortë edhe në politikë?
Unë kam ushtruar veprimtarinë time në Dibër për rreth 30 vite. Fakti që jam mjek me profesion më bën që unë të jem më shumë në brendësi të halleve dhe probleme që kanë qytetarët dibranë. Ju të gjithë e dini sesi në Dibër kanë ardhur, edhe vijnë kandidat nga Tirana apo rrethe të tjera, marrin mandatin edhe nuk i shikon për herë të dytë. Kjo për arsye sepse ato nuk i lidh asnjë gjë me Dibrën, përveçse janë shqiptar (kjo nuk mjafton). Gjatë veprimtarisë time private, publike, por edhe politike përgjatë këtyre viteteve kam ditur të jem pranë halleve dhe problemeve të qytetarëve dibranë. Jam i bindur se këtë gjë dibranët do të dinë ta vlerësojnë më 25 Prill. Kam besim se pavarësisht presionit që po u bëhet qytetarëve dibranë, në këto zgjedhje do të jenë në lartësinë e duhur për të bërë zgjedhjen e duhur, duke votuar ekipin fitues të LSI-së më 25 prill.
Çdo tensioni politik që ka ndodhur së fundmi, qeveria i vendos edhe pandeminë, e cila nga ana tjetër do ta vështirësojë fushatën zgjedhore. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën për grumbullimet dhe takimet që po zhvillon. Si e gjykoni, presion apo një problem që shqetëson me të vërtetë kryeministrin?
Ai e di se anija të cilën po drejton është drejt mbytjes përfundimtare, dhe po përpiqet të bëjë përpjekjet e fundit të dëshpëruara, por tashmë është shumë vonë. Pse ndodhin grumbullimet? Sepse qytetarët janë të irrituar, janë të ngopur me këtë qeveri, pakënaqësia ka arritur kuotat maksimale, kështu që qytetarët nuk duan t’ia dinë as për virusin dhe as për kërcënimet e Edi Ramës. Talljet e kryeministrit ndaj opozitës, presioni ndaj opozitës, shantazhi ndaj opozitës thjesht e opozitën e bashkuar më të fortë drejt rruges së fitores më datë 25 prill.
15 kushtet e BE-së, kanabisi dhe dosjet “339” dhe “184” sipas opozitës do të “fundosin” Rilindjen më 25 prill. Përtej këtyre, një qytetar i thjeshtë që nuk preket nga këto akuza politike, pse duhet të votojë LSI-së?
Themeli i qeverisjes sonë janë njerëzit, janë rinia, gratë, shtresat në nevojë, është përfaqësimi i qytetarëve, prandaj qytetarët e thjeshtë do ta gjejnë veten shumë komod pranë LSI-së. Një arsye tjetër është se LSI-ja ka përzgjedhur një ekip përfaqësues për qytetarët, dhe jo thjesht një ekip që bën vota dhe harron qytetarët. Ekipi ynë përbëhet nga mësues, mjek, juristë, inxhinier, të cilët janë në lartësinë e duhur për të adresuar hallet edhe problemet e qytetarëve.
Ka një synim LSI në këto zgjedhje? “30 mandate por edhe më shumë”. Kështu thotë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Si e shikoni ju këtë objektiv? Nëse do të pyesin për qarkun e Dibrës, sa mandate keni llogaritur që fitoni?
Ne, LSI-ja, duke qenë një forcë politike me fokus rininë, me fokus individin, qytetarin, përfaqësimin, arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik të vendit, edhe kësaj here do të arrijmë të fitojmë mandatin tonë në qarkun e Dibrës falë besimit që qytetarët kanë ndaj nesh. Qytetarët shqiptarë do të votojnë LSI-në për premtimet e mbajtuara. Duke parë situatën në të cilën ndodhet qarku Dibër, ku pakënaqësia është në nivelet më të larta, jam besim plotë së bashku me ekipin që unë drejtoj do të arrijmë një fitore spektakolare në zgjedhjet e 25 prillit. Qytetarët dibranë mezi po presin që t’i drejtohen qendrave të votimit. Me punë dhe përpjekje absolutisht do të arrijmë objektivin e vendosur nga Monika Kryemadhi.