Intervistë/Mele: Platforma e LSI-së për Korçën, rinia do rrëzojë Rilindjen e çoroditur më 25 prill

Flet për “Koha Jonë”, drejtuesi i LSI-së në Korçë, Petrika Mele: Personalitete nga fusha akademike dhe profesionale i janë bashkuar LSI-së në Korçë në kuadrin e promovimit të figurave të reja

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Problematikat e banorëve në Mborje, Dishnicë, Biranj, Barç, Drenovë janë ulëritëse dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme”. Kështu shprehet drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Korçës, Petrika Mele në një intervistë për “Koha Jonë”. I pyetur për problematikat që ka Fusha e Korçës, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë, ai thotë se LSI-ja ka një platformë të prekshme në shërbim të fermerëve.

“Platformë e cila përfshin: Subvencion të drejtpërdrejtë për çdo fermer, çdo fermë të ndërtuar dhe çdo dynym toke të punuar. Heqjen e akcizës së naftës për fermerët. Heqjen e barrierave për subvencionim dhe përkrahjen e produktit vendas”,- thotë ai. Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta dekretoi datën 25 prill 2021, për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryeministri Edi kërkon 74 mandate për mandatin e tretë. Opozita politike kërkon fitoren por si arrihet ky qëllim? “Edi Rama dhe rilindja ka përgjegjësi direkte për rënien e konsumit të familjeve në rekorde historike, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 30%, për rritjen e borxhit publik në stratosfere, për rritjen e pensioneve në masën 0% (vetëm indeksim inflacioni), për kanabizimin e vendit, për shëndetësinë dhe arsimin në kolaps”,- nënvizon drejtuesi i LSI-së në Korçë. Rinia është forca vitale e LSI-së. Mele thotë se aktivizimi masiv i të rinjve ka rritur motorin konkurrencial. “Konkurrenca prodhon debat, debati prodhon vlera dhe vlerat derivojnë në ekipe”,- nënvizon më tej ai.

Bashkë me sekretarin e LSI-së, Endrit Braimllari prej kohësh jeni duke zhvilluar takime në të gjithë zonat që përfshin qarku i Korçës. Me çfarë problematikash jeni hasur? Çfarë kërkojnë banorët në Kolonjë, në Braç, në Mbrojë, në Dishnicë, në Biranj etj?

Problematikat e banorëve në Mborje, Dishnicë, Biranj, Barç, Drenovë janë ulëritëse dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Atje uji i pijshëm është me orar, mungojnë kanalizimet e ujrave të zeza, mungon ndriçimi i hapësirave publike dhe për më tepër infrastruktura rrugore është mizerabël. Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari kemi konstatuar se strukturat e Rilindjes i vizitojnë banorët vetëm një herë në katër vjet dhe kjo për ti mashtruar. Vetëm makiazh elektoral dhe një sagë e gjatë premtimesh të parealizuara.

Keni kërkuar përgjigje nga institucionet përgjegjëse për këto probleme dhe çfarë reagimi keni marrë? Nga ana tjetër, keni akuzuar që Rilindja shkatërroi bujqësinë në këtë qark por çfarë konkretisht duhet të përmirësohet që fermerët të jenë më të sigurtë dhe produktet që të mos i hedhin në kosh?

Korrupsioni është i strukutuar në qelizat drejtuese të institucioneve përgjegjëse, të cilat janë tepër efikase për të grabitur dhe krejtësisht të paafta për ti shërbyer qytetarëve. Fusha e Korçës ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë. LSI ka një platformë të prekshme në shërbim të fermerëve. Platformë e cila përfshin: Subvencion të drejtpërdrejtë për çdo fermer, çdo fermë të ndërtuar dhe çdo dynym toke të punuar. Heqjen e akcizës së naftës për fermerët. Heqjen e barrierave për subvencionim dhe përkrahjen e produktit vendas.

Pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta dekretoi datën 25 prill 2021, për zgjedhjet e përgjithshme. Kryeministri Edi kërkon 74 mandate për mandatin e tretë. Opozita politike kërkon fitoren, si do të arrini qëllimit? E keni besimin e shqiptarëve që LSI dhe PD, bashkë me partitë e vogla do të sjellin ndryshimin që pritet në vend?

Në 25 prill, lokomotiva opozitare fiton thellë në çdo qendër votimi ndaj Rilindjes gërmadhë. Edi Rama dhe rilindja ka përgjegjësi direkte për rënien e konsumit të familjeve në rekorde historike, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 30%, për rritjen e borxhit publik në stratosfere, për rritjen e pensioneve në masën 0% (vetëm indeksim inflacioni), për kanabizimin e vendit, për shëndetësinë dhe arsimin në kolaps. Cirku i fjalëve apo batutave nuk e shmang dot të pashmangshmën. E çoroditur, e shpartalluar dhe me koeficentin e besueshmërisë në zero, qeveria rrumpallë do të korrë një humbje mbresëlënëse më 25 prill.

Angazhimi i brezit të ri është vendimtar në përcaktimin e drejtimit sesi do të jenë zhvillimet në vend. Rinia është pika e fortë e LSI-së dhe hapësria që i jep partia është e madhe. Sa i takon qarkut të Korçës, është rinia e angazhuar? Konkretisht, çfarë programi ka LSI-ja për rininë dhe që ta të qëndrojnë në Shqipërinë e të mos largohen masivisht nga vendi?

Rinia është forca vitale e LSI-së në Korçë dhe në gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë. Aktivizimi masiv i të rinjve ka rritur motorin konkurrencial brenda partisë. Konkurrenca prodhon debat, debati prodhon vlera dhe vlerat derivojnë në ekipe. Ekipi i të rinjve në Korçë do të bëjë diferencën në zgjedhjet e 25 prillit. Në Korçë fushata e shpopullimit e orkestruar në mënyrë tinëzare nga Rilindja është më e prekshme se në çdo vend tjetër. E gjithë rinia është larguar ose kërkon të largohet. Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një arsim cilësor ku pjesë e projektit të saj është reformimi i arsimit të lartë. LSI-ja do të jetë e përqëndruar në punësimin e të rinjve dhe lidhjen e tyre me tregun e punës, si një mjet efikas për të ndalur hemoragjinë e largimit të të rinjve.

LSI-ja ka nisur prej kohësh punën për zgjedhjet e 25 prillit. Si po shkon puna në qarkun e Korçës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe a do të jeni ju pjesë e listës për deputet? Së fundmi keni bërë me dije se pjesë e LSI-së në Korçë janë shtuar edhe personalitete të qytetit dhe a do të jenë këta figurat e forta për garën zgjedhore?

Vektori i lëvizjes që ndjek LSI si forcë politike është i lidhur ngushtë me vendimet e strukturave të saj në bazë. Janë pikërisht strukturat, të cilat në përfundim të zgjedhjeve brenda partisë, do të vendosin dhe për listën përfaqësuese të kandidatëve për deputet. Personalitete nga fusha akademike dhe profesionale i janë bashkuar LSI-së në Korçë në kuadrin e hapjes së partisë dhe promovimit të figurave të reja. Këto afrime kanë patur rezonacë pozitive edhe tek strukturat e partisë. Jam besimplotë që integriteti i tyre profesional dhe respekti që gëzojnë në komunitet i kthen ata në figura tejet konkurruese për garën e afërt zgjedhore.

SHKARKO APP