Ish-kreu i KQZ, Kume: Formula që zgjidh krizën për Presidencën dhe Zgjedhjet

Flet për “Koha Jonë”, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume: Zgjedhjet mund të bëhen të dielën e fundit të korrikut

Intervistoi: Redjon Shtylla

Raundet për zgjedhjen e Presidentit, po kalojnë pa kandidat dhe raundi i tretë pritet të digjet. Kjo lëvizje sipas ekspertëve, çon në zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për “Koha Jonë”, eksperti i KQZ-së, Kristaq Kume, shpjegon se Kushtetuta detyron Presidentin e vendit të shpallë zgjedhjet e parakohshme,”të cilat duhet të zhvillohen brenda një periudhe kohe deri në 45 ditë nga dita kur Kuvendi shpërndahet”. Ish-kryetari i KQZ-së, pohon se nëse kriza politike vazhdon, zgjedhjet mund të mbahen në fund të korrikut. “Zgjedhjet mund të bëhen të dielën e fundit të muajit korrik, që do të thotë 42 ditë më vonë se dita 18 qershor”.

Raundet për zgjedhjen e Presidentit po kalojnë njëri pas tjetrit pa kandidatë dhe kjo çon në planin e zgjedhjeve të parakohshme. A është e mundur të mbahen zgjedhje të parakohshme në një kohë që Presidenti ka dekretuar datën 18 qershor si ditën e zgjedhjeve?

Në rastin kur Presidenti i ri i Republikës nuk zgjidhet edhe në raundin e pestë, i cili, duke ju referuar kushtëzimeve kushtetuese, mund të zhvillohet maksimumi deri në datën 10 maj, Kuvendi shpërndahet. Pasojë e kësaj ngjarjeje është prodhimi i një situate legjislative të re, për zgjidhjen e të cilës Kushtetuta e vendit ka përcaktuar edhe rrugën që duhet të ndiqet për zgjidhjen e saj. Në këtë rast Kushtetuta detyron Presidentin e vendit të shpall zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të zhvillohen brenda një periudhe kohe deri në 45 ditë nga dita kur Kuvendi shpërndahet, pra deri në 25 Qershor. Për rastin e zgjedhjeve të parakohshme në Kodin Zgjedhor, për përgatitjen, organizimin dhe administrimin e procesit nuk ka të përcaktuara afate kohore, përveçse  afatit për ngritjen e KZAZ, sipas të cilëve KZAZ-të duhet të ngrihen jo më vonë se 10 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të presidentit për caktimin e ditës së zgjedhjeve. Kur për këto komisione KQZ emëron kryesisht anëtarë, ata mund të zëvendësohen nga të propozuar prej partisë përkatëse politike jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Për pasojë, duke qenë se KQZ-ja është organi që ligji e ka ngarkuar me detyrën për të organizuar dhe administruar procesin zgjedhor, në rastin e  zgjedhjeve të parakohshme, afatet  brenda të cilave duhet të realizohen procedura të ndryshme të këtij procesi, duhet të përcaktohen me vendim të këtij institucioni. Nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedh presidentin, afatet për regjistrimin e partive, koalicioneve dhe listat e kandidatëve do të rikonsiderohen. KQZ duhet të vendos për afate të reja, duke u kujdesur që në çdo rast të vendos afate, të cilat të mundësojnë rrjedhën normale të procesit zgjedhor.

Kreu i PD-së, ka shprehur alternativën që Presidentin ta zgjedhë populli. E shihni si zgjidhjen më të mirë?

Për mendimin tim zgjedhja e Presidentit nga populli do të ishte një zhvillim i mirëpritur. Kjo do të bënte që hapësirat për ta përdorur këtë proces zgjedhje në funksion të interesit politik dhe të situatës politike të radhës, të merrte fund. Një President i zgjedhur direkt nga populli, veç të tjerash do të ishte një figurë që shumë më mirë dhe me më shumë mundësi, përfaqësuese dhe simbol i bashkimit. Të shtrohet sot dhe të kërkohet sot që presidenti të zgjidhet nga populli, ndërkohë që, procedura kushtetuese për zgjedhjen e tij ka filluar, me shumë se sa shprehje dhe mbështetje për një zgjidhje që do t`i shërbente këtij institucioni dhe asaj se çfarë ai përfaqëson, për mendimin tim është pjesë e deklarimeve që bëhen në shërbim të interesit politik të ditës. Ashtu sikurse mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi i filluar të zhvillohet vetëm duke synuar që të arrihet në zgjidhje sa më të mira për këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe jo të përdoret zgjedhja e tij si një mundësi për të zgjidhur problemet e situatës aktuale.

Pak ditë më parë, PS dhe LSI depozituan në KQZ, kërkesën për të shtyrë datën e regjistrimit të koalicioneve, por nuk u aprovua. Si e patë kërkesën e tyre dhe që koalicionet do bëhen pas zgjedhjeve?

KQZ i dha përgjigje kësaj kërkese. KQZ-ja është institucion që ligji e ka ngarkuar me detyrën për të zbatuar ligjin dhe jo për të gjetur zgjidhje në përgjigje të kërkesave të partive politike. Më duhet të them se kërkesa e dy partive të mazhorancës, e artikuluar si kërkesë që kishte për qëllim të kishte më shumë kohë për të arritur në zgjidhjen e situatës së krijuar, për t`i dhënë mundësi dhe kohë partive të opozitës për t`u futur në zgjedhje, nuk ka pse prej tyre të konsiderohet  e konsumuar pa sukses. Zgjidhjen, që për mendimi tim e kërkuan në mënyrë të gabuar në sallën e KQZ, mund ta arrijnë pa vështirësi në sallën e Kuvendit. Ndërkohë, duhet thënë se, pamundësia për të garuar në koalicione, bënë që partitë e vogla politike të përballen me një situatë të paparashikuar prej tyre. Ato tashmë janë të detyruara që listën e kandidatëve të tyre ta shoqërojnë me listën mbështetëse të firmosur nga jo më pak se 5000 zgjedhës.

Nëse nuk arrihet në një dakordësi politike për daljen nga kriza, çfarë ndodh nëse opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare?

Kjo nuk duhet të ndodh. Për mendimin tim, klasa politike është e detyruar të gjejë zgjidhje për qytetarët e saj. Në fillim të viteve `90 ne vendosëm dhe filluam përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri që zhvillohet e qeveriset mbi bazën dhe në zbatim të parimeve të shoqërive demokratike. Ne zgjodhëm të bashkëjetojmë dhe të qeverisemi në bazë të parimit demokratit të delegimit të pushtetit nëpërmjet votës së lirë, të ndershme, të fshehtë e direkte. Të shkohet në zgjedhje pa partitë e opozitës aktuale, do të thotë që apriori një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve t`ju demotivohet dëshira për të ushtruar këtë të drejtë universale. Pasojat e këtij demotivimi janë lehtësisht të mendueshme. Një demotivim i tillë, si rregull do të sjell realizimin e një produkti zgjedhor me nivel të diskutueshëm përfaqësimi. Për këtë arsye madhore, partitë politike duhet të ulen, të bisedojnë e të gjejnë zgjidhje, që çdo shqiptar me të drejtë vote, të shkojë i motivuar dhe të marrë pjesë në votim për t`u shprehur i lirë për alternativen politike që dëshiron.

Varianti i marrëveshjes politike maxhorancë-opozitë, për të zgjidhur ekuacionin e krizës. Opozita marrëveshjen e sheh si një rrugë për të krijuar qeverinë dhe maxhoranca marrëveshjen e shih si një mundësi për të futur opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit. Cilat nga këto variante pritet të ndodh?

Nëse i referohemi pozicioneve të deklaruara të opozitës dhe maxhorancës, është e vështirë që midis tyre të gjendet zgjidhje. Koha për të gjetur zgjidhje të ndërmjetme, të baraslarguara nga të dy pozicionet e deklaruara, është në limite që po prekin pamundësinë, nëse dita e zgjedhjeve do të jetë 18 qershori. Megjithëse këtë, në rastin kur palët do të arrijnë të bien dakortë dhe të ulen për të gjetur zgjidhje, ndër rrugët që mund të sjellin produkte është edhe angazhimi i të gjithëve për të bërë ndryshime në ligjin zgjedhor. Është e mundur që të ndërtohen rregulla dhe të punohet për zbatimin e tyre, rregulla të cilat të sigurojnë garancitë procedurale e ligjore për zgjedhje në standarde demokratike, të lira dhe të ndershme. Ndër këto rregulla e procedura, për mendimin tim është e mundshme të përfshihen edhe ato që do të bëjnë të mundur përdorimin e teknologjisë së informacionit për identifikimin e zgjedhësve, votimin nëpërmjet klikimin në një fletëvotimi që shfaqet në një ekran dhe numërimin elektronik, rregulla që do të demotivojnë dhe do të zvogëlojnë në mënyrë efektive ndërhyrjen në procesin zgjedhor të parave të pista, botës së krimit. Rregulla që do të largojnë nga procesi zgjedhor dhe do të pamundësojnë përdorin e mjeteve, rrugëve dhe fuqive institucionale që ushtrojnë presionin mbi zgjedhësit dhe deformojnë vullnetin e tyre. I gjithë procesi zgjedhor administrohet nga trupa administrative që është e ndërtuar mbi bazën e partimit të përfaqësimit dhe balancimit të plotë mazhorancë-opozitë, garancitë që kërkohet që shumë më pranë plotësimit të tyre. Kjo mund të bëhet duke ndërhyrë dhe ndryshuar dispozitën përkatës në Kodin zgjedhor. Kështu zgjedhjet mund të bëhen të dielën e fundit të muajit korrik, që do të thotë 42 ditë më vonë se dita 18 qershor. Në kërkim të zgjidhjeve që do të dakortësojnë pjesëmarrjen në zgjedhje të të gjithë spektrit politik mund të konsiderohet edhe zhvillimi i zgjedhjeve më vonë se e diela e fundit e korrikut. Në këtë rast ndryshimet në Kodin zgjedhore nuk mjaftojnë. Duhet të ndërhyhet në Kushtetutë.

SHKARKO APP