Ish-kreu i Leskovikut: Akuzat ndaj meje, hakmarrje dhe shantazh politik
Ish-kreu i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda i ka cilësuar hakmarrje të pastra politike të gjitha akuzat e ngritura kundër tij për korrupsion.
“Procedim penal ndaj meje erdhi menjëherë pas fushatës së ashpër elektorale për zgjedhjet e parakohshme vendore të bashkisë Kolonjë. E gjitha është një hakmarrje e pastër politike, e cila vjen pas presionit të bërë gjatë kësaj fushate nga strukturat e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë Korçë, elementë të së cilës duke më kërkuar të rrija rehat më kanë komunikuar se në lidhje me personin tim ka disa çështje për t’u sqaruar”, thotë Guda.
Ish-kryebashkiaku i Leksovikut, Fatmir Guda, është proceduar penalisht dhe do të hetohet për shpërdorim detyre. 43-vjeçari akuzohet se ka shitur toka truall në pronësi të Bashkisë Leskovik gjatë kohës që ai drejtonte bashkinë në fjalë, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Korçës.
Me aktet e tij nga hetimet e kryera rezulton të ketë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe të ketë konsumuar veprën penale “Shpërdorim detyre”. Materialet në ngarkim të Gudës i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Korçës.
Ish-kryebashkiaku shton se pjesë e këtij presioni, sipas tij, ka qenë edhe një përplasje fizike mesnatën pas zgjedhjeve në Kolonjë, ku pretendon se është kërcënuar nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar.
“Momenti pas një viti nga lënia e detyrës dhe menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme vendore për Bashkinë Kolonjë, që është bërë ky proçedim penal më japin gjitha arsyet se kjo është një hakmarrje dhe shantazh politik. Duke lënë veten time në dispozicion të drejtësisë për zbardhjen e këtij proçesi të montuar politikisht, garantoj gjith qytetarët e Leskovikut se asnjë rast nuk i kam tradhëtuar, por më i vendosur se kurrë do jem me ta kundër kësaj Qeverie armike për vdekje të votës së lirë dhe kundërshtarëve të saj politikë”, mbyll reagimin e tij ish-kreu i Bashkisë së Leskovikut.
KOHA JONË SONDAZH

