Islami: Rama i futur rrezikshëm në politikën e SHBA, do të digjet…

Flet për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Kastriot Islami: Presidenti është duke mbrojtur Kushtetutën e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thënë ndryshe interesin publik

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Ky sulm i Ramës me kartën ruse është sulmi i tretë kundër Presidentit të SHBA-së dhe vetë SHBA-së. Është një çmim që do ta paguajë rëndë Rama, por fatëkeqësisht edhe një çmim që i duhet shqiptarëve ta paguajnë, si qytetarë të një vendi të cilësuar “vend armik” të SHBA-së”. Këtë përgjigje jep ish-deputeti i PD-së, ish-ministër i Jashtëm, Kastriot Islami, i pyetur për çështjen e shkrimit mbi lobimin rus të PD-së në SHBA. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Islami e cilëson kreun e qeverisë Rama, si vegël të një çështje të “varrosur”, fjalën e ka për ndërhyrjen ruse në SHBA. Mbi diskutimin e zgjedhjeve lokale, ish-deputeti i PD-së e sheh 2019 si test të bashkëpunimit mes forcave opozitare. Ndërsa për situatën në PD, Islami jep mesazhin që selia blu të merret seriozisht me ngritjen dhe vënien në lëvizje të struktuarave organizative dhe elektorale, “për të mundësuar kontaktet kapilare që çojnë alternativën e re të shpresës tek çdo votues përmes një komunikimi njerëzor e efikas”.

Revista amerikane “Mother Jones” në një artikull të gjatë investigativ, shkruan se kompanitë ruse punësuan ish-ndihmësin e Trump për të lobuar për PD-në. A e shfrytëzuan rusët sistemin politik amerikan për të promovuar të djathtën shqiptare në Uashington dhe nxitur trazira në Ballkan?

Sulmi anti-Trump i Ramës me kartën ruse ndonëse duket sikur është kundër Bashës e PD-së, s’ka të bëjë aspak as me Bashën e as me PD-në, por sigurisht ka efekte kolaterale mbi imazhin e vendit. Në fakt ky është një sulm i orkestruar nga e njëjta makineri që sulmon Trump, dhe është pjesë e strategjisë për të goditur Trump e enturazhin e tij, si gjoja të lidhur me rusët.

Në fakt përmes këtij sulmi synohet të tregohet konkretisht se edhe lobistët pranë Trump janë të lidhur me rusët dhe me shërbimin e fshehtë rus. Kjo do të thotë ndryshe se Trump është i rrethuar nga agjentë ruse dhe për ta takuar atë duhet kaluar përmes këtyre agjentëve. Pra përmes këtij sulmi, në shënjestrën kryesore është vënë përsëri Trump. Në këtë “lojë” kundër Trump është përfshirë edhe Rama. Thënë ndryshe, ky mund të quhet një sulm anti-Trump që Rama po përdor edhe kundër Bashës e PD-së. Sulm kundër Trump, që vazhdohet nga Rama në Tiranë, ndërkohë që Komisioni amerikan i Shërbimeve Inteligjente në Kongres e “varrosi” kartën ruse të ndërhyrjes në fushatën e Trump dhe përtej saj.

Ky sulm i Ramës me kartën ruse është sulmi i tretë kundër Presidentit të SHBA-së dhe vetë SHBA-së. Sulmi i parë u krye nga Rama gjatë fushatës elektorale, kur ai do të deklaronte në CNN e Nju Jork Times, se kandidati për president i SHBA është “turpi i njerëzimit”, duke i bërë thirrje amerikanëve të mos votonin për Trump. Sulmi i dytë kundër Trump, do të ishte votimi i Ramës në sesionin e OKB-së kundër nismës së Trump për Jeruzalemin, gjë që e detyroi atë ta klasifikonte Shqipërinë, partneren e saj strategjike, në grupin e “vendeve armike” të SHBA-së. Ky është sulmi i tretë, që SHBA-së dhe Presidentit Trump i vjen nga Shqipëria, më konkretisht nga Rama. Është një çmim që do ta paguajë rëndë Rama, por fatëkeqësisht edhe një çmim që i duhet shqiptarëve ta paguajnë, si qytetarë të një vendi të cilësuar “vend armik” të SHBA-së.

Pjesëmarrja e z.Basha në kongresin e Komitetit Kombëtar të republikanëve, ku foli edhe Donald Trump, fotoja me Presidentin Trump pak javë para zgjedhjeve të 25 qershorit, dhe shkrimi i medias “Breitbart”, janë tre elementë kyç për të cilën “Mother Jones”, shkruan se PD-ja ka paguar 25 mijë dollarë për vetëm 3 muaj lobistin rus Nick Muzin. Keni një qëndrim tuajin mbi këtë çështje? Pasi prokuroria ka nisur dhe një hetim mbi akuzat e PS-së?

Përsëris, sulmi anti-Trump i Ramës me kartën ruse, edhe këtë rradhë, duket qartë se është i orkestruar nga e njëjta makineri që sulmon Trump në SHBA, përderisa është angazhuar një media periferike e majtë, agresive anti-Trump dhe e financuar nga miliarderë Anti-Trump. Një media, e cila çdo ditë boton artikuj kundër Trump duke sajuar lidhje të Trump dhe enturazhit të tij me rusët. Sulmi i fundit i rimarrë nga Rama është njëri prej tyre. Ky sulm po ashtu duket qartë se sponsorizohet financiarisht nga e njëjta makineri anti-Trump, sepse mediatizimin e saj e ka bërë një media periferike, e cila dihet se financohet nga miliarderë anti-Trump dhe me tej artikulli i saj është rimarrë edhe nga një gazetë e madhe, që po ashtu është një media e pozicionuar anti-Trump, që çdo ditë sulmon Presidentin e SHBA. Kjo rimarrje bëhet për të mbajtur gjatë në media këtë çështje si dhe për të krijuar idenë se çështja është serioze. Ndërkohë që “çështja e ndërhyrjes ruse” është “varrosur” në Kongresin e SHBA, Rama me kartën ruse po vazhdon sulmin kundër Trump në Tiranë, duke provuar se është veçse vegël periferike që përdoret për një çështje tashmë të “vdekur” dhe duke u implikuar rrezikshëm në çështjet e brendshme të SHBA.

Kritikët janë shprehur se ndonëse qeverisë i ka rënë besueshmëria për shkak të skandaleve dhe korrupsionit,  opozita nuk po arrin të ngrihet. Çfarë nuk po shkon konkretisht me PD-në?

Duke vlerësuar të gjithë mendimet dhe alternativat e dhëna publikisht nga personazhe të rëndësishëm të PD, gjykoj se kjo është një çështje e debatit të brendshëm dhe unë do të jepja mendimin e opinionin tim në vetëm në një debat brenda PD-së. Veçanërisht në pozicionin që jam.

Në një shkrim tuajin, theksoni se: “Shqipëria është një vend tipik me regjim oligarkik dhe drejtim autoritar e qeveri klienteliste”. Çfarë pret PD-ja për të denoncuar me fakte aferat e qeverisë dhe ligjet me krimin siç pretendon?

Kjo që kam thënë e përsëritur është për mendimin tim mëse e vërtetë dhe nuk i heq asnjë presje.  Vlerësoj se opozita duke pasur të njëjtin vlerësim, po bën çdo ditë e më mirë denoncimin e këtij rregjimi. Nuk ka mbetur asnjë shqiptar e tashmë edhe partner ndërkombëtar që nuk e ka të qartë se Shqipëria është një vend me rregjim oligarkik, pra e qeverisur nga një grusht njerëzish të pasur. Ku votat blihen dhe votuesit kërcënohen.

Ku krimi është i lidhur ngushtë me qeverinë, prandaj Rama largoi 20 profesorë nga PS-ja dhe solli në kuvend mbi 20 individë me rekorde kriminale dhe qindra të tjerë në administratën publike. Ku përmes një strategjie të qartë e të mirëpërgatitur Shqipëria u kthye në kultivuesen kryesore të kanabisit në Europë. Ku qeverinë e drejton një kupolë oligarkësh, të korruptuar dhe të lidhur me klanet e drogës, që e kanë kthyer Shqipërinë në vendin kryesor tranzit të narkotrafikut në Europë. Ku në qeveri bëjnë pjesë një grusht individësh të paaftë dhe që nuk realizojnë asnjë objektiv, por që janë anëtarë të qeverisë vetëm për shkak të lidhjeve klienteliste e korruptive me kryeministrin.

Ku qeveria ka vënë nën kontroll biznesin e madh duke i shndërruar një pjesë të tyre në anëtarë të kupolës oligarkike e klienteliste. Ku shoqëria civile është nën kontrollin e qeverisë. Ku median e kontrollon oligarkia qeverisëse. Dhe ku goditet opozita për tu rrudhur apo eleminuar. Dhe më së fundmi ku qeveria ka vënë nën kontroll edhe sistemin e drejtësisë. Pa përjashtur dhe kompromentimin e disa zyrtarëve të lartë në Bruksel dhe përfaqësuesve në Tiranë.

Deklarata e Ministrit Bushati se: “Jemi një skuadër me Presidentin Meta”, si e lexoni. Çfarë nuk shkon në marrëveshjen me greqinë, që PD-ja e sulmon? A po e jep qeveria detin për rrugën drejt BE-së, duke siguruar mbështetjen e Greqisë?

Meta është duke mbrojtur Kushtetutën e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, thënë ndryshe interesin publik, aq më shumë që bëhet fjalë për një çështje delikate siç është çëshjtja e kufirit detar me Greqinë dhe për të cilën ka pasur një histori e debat të gjatë. Nuk mendoj se Meta po e vonon procesin sepse ai vetë është shprehur qartë edhe në mbledhjen e përbashkët me Komisionin e Politikës së Jashtme se nuk ka asnjë prapamendim të bllokojë marrëveshjen, por veçse kërkon të vendosë marrëveshjen në shinat kushtetuese.

“Loja” e Ramës me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi është e turpshme, sepse njëherë i tensionon ato pa asnjë arsye dhe pastaj thotë se i tensionova që të bëj marrëveshje?! Kjo është “lojë” e një mediokri. E një hileqari e tinzari të paaftë. As Rama dhe as Bushati nuk duhet të mendojnë se qytetarët kanë memorien e shkurtër apo se janë naivë dhe kështu nuk kuptojnë “lojën” e tyre me grekët. Marrëdhënie të cilat për 5 vjet u tensionuan në mënyrë të njëanshme nga Rama e Bushati që sot kërkojnë të mbyllin të gjithë çështjet delikate përmes veprimesh jo transparente dhe duke përjashtuar kuvendin apo presidentin.

Aq më pak grekët i besojnë këtyre “lojrave” të Ramës e Bushatit, pavarësisht se për momentin janë të interesuar vetëm që marrëveshja e detit të përmbyllet apo ndonjë cështje tjetër delikate të mbyllet. Dhe akoma më të shqetësuar janë qytetarët e komunitetit çam që kanë kuptuar qartë “lojën” e pistë të Ramës e të Bushatit.

Së fundmi duhet sqaruar se marrëveshja eventuale Rama-Cipras, nuk ka asnjë lidhje me hapjen e negociatave, sepse hapja e tyre do të përcaktohet nga vlerësimet e disa shteteve të rëndësishme që nuk mund të tolerojnë korrupsionin, krimin dhe narkotrafikun shqiptar të drejtuar nga qeveria Rama, gjë që ju shkaktuar atyre probleme të konsiderueshme me qytetarët e tyre për shkak të emigrimit të pashëmbullt të shqiptarëve që ka shkaktuar qeveria Rama.

Në prill qeveria shqiptare pritet të takohet me atë greke. Besoni se do nënshkruhet “Traktani i Miqësisë” dhe marrëveshjet e tjera, përfshi dhe atë të detit?

Nuk kam informacione për këtë takim, dhe as se çfarë do të nënshkruhet, prandaj e kam të vështirë të jap një mendim. Por shpresoj e dëshiroj që marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë të përmirësohen vazhdimisht dhe të vendosen në korniza të qëndrueshme. Sepse ka shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi dhe presin vetëm marrdhënie të mira mes Greqisë e Shqipërisë. Në Shqipëri ka një minoritet grek që dëgjon me vëmendje dhe pret vetëm marrëdhënie miqësore Shqipëri-Greqi. Por duhet patur parasysh, se gjithçka vendoset mes Shqipërisë e Greqisë, për vetë sensibilietin e këtyre marrëdhënieve, duhet të realizohet me shumë transparencë dhe e gjithë kjo marrëdhënie duhet të jetë gjithëpërfshirëse e perspektive afatgjatë. Rama dhe Bushati duhet të kenë mirë parasysh se nuk mundet ti monopolizojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë.

Jemi mësuar që nuk i zgjidhim dot problemet tona dhe shpeshherë kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve. A mund të jetë ky një rast për të kërkuar ndihmën e SHBA-së ose BE-së?

Marrëdhëniet e mira me Greqinë nuk besoj se është nevoja të realizohen me ndihmën/asistencën e ndërkombëtarëve. Që të ketë sukses në realizimin e këtyre marrëdhënieve duhet që bashkëveprimi mes palëve të jetë i) i përhershëm, ii) i hapur, iii) transparent; iv) gjithëpërfshirës dhe v) i guximshëm për të përfshirë e diskutuar gjithcka, edhe çështje të vjetra dhe tema tabu. Dhe mbi të gjitha i ndershëm e duke respektuar interesat reciproke.

znj.Kryemadhi la të hapur mundësinë e bashkëpunimit PD-LSI për zgjedhjet lokale të 2019. E shihni të mundur një aleancë të tillë?

Më duket racionale dhe e natyrshme që të gjitha forcat politike të pozicionuara në opozitë me qeverinë Rama të bashkërendojnë të gjithë qëndrimet e veprimet kundër kësaj të keqeje që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi. Përfshi edhe veprimet në prag të ngjarjeve elektorale, siç janë zgjedhjet e ardhshme vendore. Largimi i kësaj qeverie do të ndodhë me siguri, por detyrë e opozitës është shkurtimi i ditëve të saj përmes bashkëpunimit dhe bashkimit të të gjithë forcave opozitare me këtë të keqe. Zgjedhjet e ardhshme vendore do të ishin një moment i përshtatshëm për të testuar bashkëpunimin apo bashkërendimin e veprimeve të të gjithë forcave opozitare. Natyrisht mënyrat e realizimit të këtij bashkëpunimi mes forcave të ndryshme opozitare kanë nevojë të debatohen e diskutohen në mënyrë transparente brenda secilës forcë politike për të shkuar më tej në negocime mes të gjithë faktorëve politikë opozitarë. Vendimarrja për një aleancë opozitare duhet të pasojë këto diskutime dhe duhet të merret në kohën e duhur, që do të vlerësohej me maturi nga vetë partitë politike opozitare.

Gjatë intervistave të mëparshme, jeni shprehur pro protestave. Duke parë edhe qëndrimin e LSI-së që foli për mbëshetje të qeverisë për të çelur negociatat, po i mungon PD-së një strategji më efikase për të bërë opozitë?

Kam mbështetur protestat e opozitës në kohën e duhur dhe për çështje të caktuara dhe jo si qëllim në vetvete. Gjykoj se protestat duhet të organizohen të mirëmenduara dhe të bashkërenduara me veprime të tjera opozitare. Po ashtu duhet patur parasysh se protestat nuk janë një mjet për të fituar pushtetin i cili alternohet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Qëndrimi aktual i LSI-së nuk do të thotë aspak që opozita nuk do të mbështesë më apo organizojë protesta. Por për momentin, kur do të merret vendimi për hapjen e negociatave, është normale që opozita ti fokusojë qëndrimet e veprimet e saj në mënyra të tjera opozitare. Kjo natyrisht bëhet edhe për të shmangur lojën e pistë të Ramës, i cili një dështim probabël me hapjen e negociatave për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar, lidhjeve të qeverisë me klanet mafioze dhe narkotrafikantët, do të përpiqej tja faturonte opozitës.

Strategjia e opozitës për të fituar zgjedhjet e ardhshme, besoj se është përpunuar ose është në fazën e fundit përgatitore nga lidershipi i opozitës. Krahas veprimeve reaktive ndaj qeverisjes apo demaskimit të saj në parlament, në konferencat e shtypit e protesta, opozita duhet të hartojë platformën alternative të qeverisjes dhe; të ngrejë ekipin e madh të qeverisjes. Në platformën e qeverisjes duhet ti jepen përgjigje të thjeshta të gjithë halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve; kjo platformë duhet të debatohet e plotësohet përmes një dialogu me qytetarët, më shumë duke dëgjuar prej qytetarëve sesa duke bërë deklarata, monologje apo duke ju deklamuar zgjidhje të parafabrikuara që nuk i beson më askush. Individët, anëtarë të ekipeve të qeverisjes së nesërme duhet të propozohen apo miratohen, përmes mekanizmash adekuatë e transparentë nga qytetarët dhe jo të imponohen nga partitë apo të parashutohen.

Po ashtu është shumë e rëndësishme, sidomos për PD-në që të merret seriozisht me ngritjen dhe vënien në lëvizje të struktuarave organizative dhe elektorale, për të mundësuar kontaktet kapilare që çojnë alternativën e re të shpresës tek çdo votues përmes një komunikimi njerëzor e efikas. Qëllimi i kësaj strategjie do të ishte ndërtimi i një alternative të shpresës për qytetarët që aktualisht mendojnë vetëm si të largohen nga vendi, për shkak të keqqeverisjes Rama që ka gjeneruar papunësi, varfëri, pasiguri dhe pamundësi për të jetuar e punuar në Shqipëri, por edhe për shkak të një mungesë besimi te opozita për të ndryshuar gjendjen.

SHKARKO APP