Italia “në këmbë”, në kërkim të turistit që gdhendi emrin e të dashurës te Colosseum

Placeholder Image

Ministrat e Kulturës dhe të Turizmit të Italisë janë zotuar se do ta gjejnë dhe do ta ndëshkojnë turistin i cili u filmua duke gdhendur emrin e tij dhe emrin e të dashurës së tij në murin e Colosseumit të Romës.

Një akt i tillë përbën vepër penale e cila ka çuar në gjoba të mëdha në të kaluarën.

Videoja e incidentit u bë virale në mediat sociale, ndërsa banorët e Romës kanë filluar të ankohen për turma turistësh që kanë vërshuar qytetin e lashtë në numër rekord këtë sezon.

Ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano, grafitin “Ivan+Haley 23” të gdhendur në Amfiteatrin Flavian gati dy mijë vjet të vjetër e ka quajtur “serioz, jodinjitoz dhe një shenjë e pafytyrësisë së madhe”, duke theksuar se ai shpresonte se fajtorët do të gjenden dhe ndëshkohen.

“Ne nuk mund të lejojmë që ata që vizitojnë vendin tonë të ndihen të lirë të sillen në këtë mënyrë”, citohet të ketë thënë ministrja e Turizmit, Daniela Santanche, duke bërë thirrje për respekt për kulturën dhe historinë italiane.

Në vitin 2014, një turist rus u gjobit me 20 mijë euro për gdhendjen e një shkronje të madhe K në murin e Koloseumit, për të cilën ai u dënua me katër vjet burgim me kusht.

Një vit më pas dy turistë amerikanë u gjobitën për shkaktimin e dëmeve të rënda pasi gdhendën emrat e tyre në Colosseum.

SHKARKO APP