Jo me Berishën, as me Bashën. Alibeaj po punon për partinë e re, zbulohen detajet e para
Anti-Berishistët më të zëshëm, me në krye Enkelejd Alibeajn kanë vendosur që të çojnë para idenë e krijimit të partisë së re. Ata janë drejt përfundimit të mbledhjes së firmave të nevojshme, 3000 të tilla që duhen për krijimin e një partie të re, ndërsa ekspertët ligjorë po punojnë për detajet e fundit të Kushtetutës së një partie politike, statutit.
Partia sipas statutit parashikohet të funksionojë mbi një ndarje pushtetesh brenda organizmit politik. Njëjtë si shteti, edhe ndërtimi i partisë është bazuar mbi ‘‘ndarjen e pushtetit politik, atij administrativ dhe atij gjyqësor, të cilët ndihmojnë dhe kontrollojnë njëri-tjetrin, duke balancuar të gjithë funksionimin e brendshëm të saj”. Sipas ”Report Tv”, risi është edhe krijimi i një entiteti garantues për ruajtjen e vijës politike dhe ideologjike të partisë. Ky entitet do të ketë kompetencat e thirrjes dhe ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë sa herë që do të vihen re deformime të parimeve mbi të cilat është krijuar dhe ndërtuar partia.
Edhe kryetari, njëjtë si në PD do të zgjidhet përmes votës së anëtarësisë. Shumë shpejt do të vendoset edhe emri dhe pritet që kjo alternativë e re të prezantohet publikisht. Do të mbetet për t’u parë nëse do të jenë zërat kundër Berishës ata që do t’i bashkohen si anëtarë kësaj partie të re dhe nëse do t’i besohet Enkelejd Alibeajt, si një prej kritikëve më të mëdhenj të Berishës drejtimi i forcës më të re politike brenda së djathtës.