Jorida Tabaku: Arrestimi i Dakos i bën nder drejtësisë, dosje të tjera flenë në SPAK
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku gjatë fjalës së saj në Kuvend, ka folur edhe për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, duke u ndalur edhe tek arrestimi i bërë më herët të sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Për të arrestimi Dakos i bën nder drejtësisë, edhe pse siç tha, dosje të tjera flenë në SPAK.
”Në një vend ku qeveria është kthyer në një notere të ligjeve favorizuese dhe të ligjeve selektive, duket sikur ekzistenca e SPAK-ut është jetike. Nuk ka politikanë që nuk ka shkuar në dyert e SPAK-ut më shumë së unë. Sigurisht jo për ato arsyje që shkojnë dhe duhet të shkojnë tjerët. Kam çuar një numër dosjesh që shpresoj të shohin dritën e diellit dhe të hetohen e investigohen.
Arrestimi i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës i bën nder SPAK-ut. Unë do të kisha preferuar që ai të arrestohej për arsyje të tjera, pak rëndësi ka se për çfarë shkon përpara drejtësisë, rëndësi ka që shkon përpara drejtësisë. Unë shpresoj që krimet elektorale si dosja 339, akuzat për korrupsion, për pastrim parash dhe shumë element të tjerë të hetohen. Jo se akuzon politika, jo se vijnë këtu politikanët dhe hedhin lumë akuzash kundër njëri tjetrit, ku pas një viti i shkelin me këmbë dhe thonë nuk ishin të vërteta. Por le të hetohen nëse ka prova dhe dosje reale.
Ndërkohë dosje të tjera flenë në SPAK, dosje të cilat lidhen me koncesione, me prokurime, me hetimin e zgjedhjeve, me rindërtimin, me tërmetin dhe me shumë element që unë besoj i bëjnë nder SPAK-ut të hetohen”,-tha Tabaku.