Jorida Tabaku: Barra e taksave tek 95% e qytetarëve dhe përfitimet tek 5% e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, me anë të një video, shprehet se pushteti aktual punon kundër 95 përqind të shqiptarëve.

Gjithashtu, ajo shprehet se barra e taksave, bie tek 95 përqind e popullatës dhe përfitimet tek 5 përqind e tyre.

Ndër të tjera, Tabaku thekson; “Sot kemi shëndetësi që shkon tek privati jo tek publiku, sot kemi arsim më pak cilësor që reflektohet çdo ditë në çdo tregues. Sot kemi më pak investime në rrugë, sot kemi po të njëjtat çmime energjie”.

Pjesë nga fjala e Tabakut:

“Pra buxheti i shtetit paska mbledhur një numër rekord të ardhurash për 2023 6 miliardë euro! 12.6% më shumë se viti i mëparshem, por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në buxhetin e shtetit kanë ardhur më shumë të ardhura sepse ke paguar ti më shumë taksa, sepse çdo shqiptar ka paguar nga rritja e çmimeve më shumë taksa. Se tatimi mbi të ardhurat personale është rritur, se kontributi i sigurimeve shoqërore shëndetësore janë rritur, se e gjithë ngarkesa e taksave mbi shtresën e mesme është rritur!

Po a ka pasur shërbime më të mira? Sot kemi shëndetësi që shkon tek privati jo tek publiku, sot kemi arsim më pak cilësor që reflektohet çdo ditë në çdo tregues. Sot kemi më pak investime në rrugë, sot kemi po të njëjtat çmime energjie. Sepse sistemi i ngritur është i padrejtë! Sot sistemi që takson më shumë 95% të shqiptarëve ja jep këtë një pakice.

Sot sistemi i padrejtë i ngritur penalizon shtresën e mesme, penalizon punën, penalizon atë që paguan në favor të një pakice. Këtë sistem duhet të ndryshojmë ne, këtë koncept që buxheti i shtetit është për pakicën. Këtë koncept që duhet të paguajnë të gjithë dhe të marrin vetëm pak. Jo! Buxheti duhet të ketë në qendër qytetarët, duhet të ketë politika në qendër që vlerësojnë punën, që nxisin punën, që vlerëson atë që sjell sot më shumë në buxhetin e shtetit”, shprehet ajo.

SHKARKO APP