Jorida Tabaku kundër shtyrjes së ligjit për investimet: Është për oligarkët, vjedh pronat e qytetarëve

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku është shprehur kundër shtyrjes së ligjit për investimet strategjike. Në një postim në rrjetet sociale ajo thekson se ky ligj është për oligarkët, duke grabitur pronat e qytetarëve.

“Nuk ka logjikë ekonomike shtyrja në kohë e këtij ligji që ka prodhuar më shumë beton, më pak zhvillim. E vetmja logjikë në përputhje me shtyrjen në kohë të këtij ligji është ajo e oligarkisë politike. Ta mbajmë shqiptarin e mesëm më të shtypur dhe shqiptarin e varfër më të varfër për të pasuruar ministrat, kryeministrin, sekretarët e ministrive dhe kryesekretarin e tyre në kryeministri dhe padyshim pjesën tjetër oligarkinë dhe krimin e organizuar që është mes dy të parëve si veshka mes dhjamit.

Dobia e këtij Ligji mbetet vetëm ajo e vjedhjes dhe abuzimit me pronat e qytetarëve si dhe me ndërtimin e resorteve turistikë në toka që u merret pronarëve për hiçgjë. Këto nuk janë investime strategjike pasi e gjithë kjo është një maskim për atë që realisht po ndodh në këtë vend; vjedhje me ligje dhe procedura në kurriz të pronarëve dhe shqiptarëve. Nën frymën e vjedhjes me ligje dhe parlament qeveria është angazhuar për të kurorëzuar disa skema abuzimi ndaj pronës private dhe asaj publike. Të gjitha këto lëvizje bëhen ndërsa zyra e kadastrës në jug të vendit ka ndërruar drejtuesin e hipotekës më shumë se sa vite qeveri ka kjo mazhorancë”.

Sipas Tabakut, problemi me ligjin e Investimeve është raportuar edhe nga raporti i DASH ku theksohet që nuk është miqësor me investimet e huaja. Dhe kjo provon sipas saj që nuk kemi asnjë investitor të huaj strategjik në vend.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndër të tjera, evidentonte se problem i Ligjit të Investimeve Strategjike është se korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj. Kështu neni (që u kundërshtua nga opozita) në lidhje me shpronësimin e tokës private të pronarit nga shteti për interesat e një privati tjetër, nuk është eficent dhe dobiprurës. Deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë investitor të rëndësishëm të huaj që të jetë bërë përfitues nga ky Ligj i Investimeve Strategjike që i heq të drejtën e pronës pronarit”.

Duke e konsideruar si një nga ligjet më korruptive të qeverisë Rama 1, nënkryetarja demokrate shprehet se në 2015 ky lijg u kundërshtua nga opozita në lidhje me cenimin e çështjeve të pronësisë.

“Në vitin 2015 qeveria Rama 1 miratoi një nga ligjet më korruptive dhe që i hapi rrugë edhe ligjërisht krijimit të oligarkisë ekonomike në vend. Ligji Investimeve Strategjike u kundërshtua nga opozita dhe në emër të saj unë dërgova në kuvend një amendim të këtij ligji në lidhje me çështjen e pronësisë. Sipas ligjit, e drejta e pronësisë së tokës do të njollosej pasi investitorit strategjik i jepej një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës. Duke cenuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, atë të kapitalit të tokës”.

SHKARKO APP