Jorida Tabaku: Lufta kundër fenomenit bëhet përmes ndërtimit të një ekonomie të drejtë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh sot se lufta kundër korrupsionit bëhet përmes ndërtimit të një ekonomie të drejtë, me më shumë mundësi për biznesin, kosto më të ulëta dhe më shumë ndershmëri.
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Tabaku u shpreh se kriza e vërtetë, që duket qartë në numrin alarmant të shqiptarëve që zgjedhin emigracionin, buron pikërisht nga korrupsioni i thellë që ka pllakosur çdo cep të vendit tonë.
“Korrupsioni është kudo, në çdo institucion. Ti nuk mund të marrësh as shërbimin më të thjeshtë pa një ryshfet. Ky është realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve, të cilët përballen me një ekonomi të rrënuar. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 55%, pagat janë më të ulëtat në rajon dhe çdo mundësi zhvillimi mbytet nga korrupsioni”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, “Kadastra është kthyer në një makth, ku të varfrit nuk kanë më as pronat e tyre, ndërsa të pasurit përfitojnë gjithçka”.
“Ky është një tjetër shembull i qartë se si buxheti i shtetit është kthyer në një arkë private për një elitë të vogël, ndërsa shumica e shqiptarëve varfërohet çdo ditë. Sa më shumë thellohet varfëria, aq më shumë taksa paguajnë qytetarët, duke u bërë burim i pashtershëm për sistemin korruptiv”, shtoi Tabaku.
Sipas saj, “për 11 vite me radhë, socialistët kanë shkatërruar çdo të ardhur të ndershme, duke bërë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve”.
“Ndërkohë, shërbimet publike degradojnë dhe qytetarët mbeten pa mbështetje. Sot, Shqipëria është e kapur nga një elitë që sundon shumicën për interesat e një pakice të korruptuar. Parlamenti është kthyer në noter të interesave të kësaj pakice, ndërsa ligjet e “qepura me porosi” nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Koha për ndryshim ka ardhur. Paratë e shqiptarëve nuk duhet të shkojnë për një pakicë të privilegjuar, por për mirëqenien e të gjithëve. Ne nuk mund të pranojmë më një sistem që ushqehet nga korrupsioni. Shqiptarët meritojnë një vizion të ri dhe një angazhim për ndershmëri dhe llogaridhënie”, u shpreh Tabaku.