Jorida Tabaku: Nuk ka anëtarësim të plotë të Ballkanit pa Kosovën
Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian Jorida Tabaku takoi sot përfaqësues të Komisionit homolog të Kosovës. Ajo theksoi se ky është takimi i parë i përbashkët i dy Komisioneve të Integrimit të dy vendeve dhe se do të jetë pikënisja e një bashkëpunimi të frytshëm dhe të gjatë.
Tabaku tha se nuk ka dhe nuk do të ketë anëtarësim të plotë të Ballkani pa Kosovën, duke theksuar se Shqipëria do të jetë mbështetëse kryesore për të.
Gjatë takimit Tabaku përgëzoi parlamentin e Kosovës për maturinë dhe pjekurinë e treguar lidhur me zhvillimet politike.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës është një lajm i mirë që si shqiptarë po e prisnim këtë muaj.
Dua të përgëzoj shtetin e Kosovës për standartet e larta që ka vendosur lidhur me luftën ndaj korrupsionit, zhvillimin e zgjedhjeve, treguesve të demokracisë dhe politikbërjen, që duhet të jenë patjetër një leksion për qeverinë Shqiptare, që nga ana tjetër, nuk gëzohemi dot në të njëjtën mënyrë, pasi nuk tregon të njëjtin standart në këta tregues.”, u shpreh ajo.
Tabaku tha se Këshilli i Intregimit në Kuvendin e Shqipërisë duhet t’i japi mbështetje jo vetëm anëtarësimit të Kosovës në KiE, por edhe në procesin për liberalizimin e vizave, pasi ka arritur të gjitha objektivat dhe të mundësohet që qytetarët kosovarë të takojnë familjarët e tyre, që fatkeqësisht shumica jetojnë jashtë Kosovës.
“Republika e Shqipërisë e ka për detyrë se çfarë të jetë në dorën tonë, përsa i përket procesve të integrimit, ku Shqipëria është pjesë e strukturave ku Kosova po aderon, duhet të jetë e hapur për bashkëpunim dhe pse jo, edhe lider i këtyre proceseve”, shtoi ajo.
Kryetarja Tabaku përfundoi fjalën e saj duke theksuar se Kosova ka kaluar një proces të gjatë pas luftës dhe ka patur rezultate konkrete, prandaj e meriton të aderojë në çdo strukturë ndërkombëtare.