Jorida Tabaku prezanton amandamentin e PD-së për paketën fiskale: Të ulet TVSH-ja për ushqimet e shportës në 6%
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, ku po diskutohet për buxhetin e vitit të ardhshëm, foli për paketën e re fiskale, pasi sipas saj sjell një rritje të taksave për qytetarët me 50 milionë euro, si dhe rrit barrën mbi fermerët.
Tabaku prezantoi gjithashtu dhe amandamentin e PD-së për uljen e TVSh-së nga 20% në 6 % për ushqimet e shportës, pasi një vendimarrje e tillë sipas deputetes së PD-së do t’i vijë në ndihmë familjeve në vështirësi ekonomike dhe do të nxisë konsumin.
“Të nderuar qytetarë që mezi prisni për të miratohet buxheti që të shihni nëse ka ndonjë përfitim apo jo, të nderuar fermerë që keni protestuar me dinjitet edhe sot përpara parlamentit, megjithëse përpiqeni të sillni propozime kurrë nuk jeni dëgjuar në 9 vite. Të nderuar familjarë, studentë dhe nxënës të cilët do paguani çdo vit e më shumë taksa edhe me këtë paketë fiskale. Në 8 vite paketat kanë pasur një ngarkesë shtesë prej 2.2 miliardë euro. Këtë vit me të drejtë nuk është aq e lartë vetëm 50 milionë euro shtohen taksat këtë vit.
Shtohen për fermerët, shtohen për ata që punojnë. Vazhdon nga ana tjetër ulja e taksave për një pakicë. Sot diskutime duhet të ishte se si mundet që pas dy viteve të vështira ekonomike ne të dalim nga ky cirkuit rënie konsumi, nga ky cikël i vështirë që familjet shqiptare po kalojnë, nga rritja e papunësisë, por sot në këtë parlament do të ngrenë kartonët për të miratuar një ndryshim skeme që është në dëm të fermerit. Një ndryshim skeme që para pak vitesh e mbrojtën vetë. Kundërshtojnë atë që thoshin dhe thonë se kjo skemë favorizon të mëdhenjtë.
Unë e kam të vështirë në këtë parlament ta ndaj të vërtetën nga gënjeshtra, por besoj se kushdo çdo qytetar e ndjen dhe e ka parë në xhepin e vet. Unë sot jam këtu të prezantoj një amandament për TVSh-në. 120 amandamente ka prezantuar Partia Demokratike në 9 vite. Në fakt kisha hequr dorë nga paraqitja e amandamenteve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike gjykoi se duhet të paraqesë një amandament për uljen e TVSh-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6% me qëllim nxitjen e konsumit”, u shpreh nga foltorja e Kuvendit Tabaku.