Jorida Tabaku publikon letrën: Fermerët shqiptarë, më të varfrit

Nga Jorida Tabaku:

Në vapën e korrikut mes lajmeve që vinin nga SPAK për vërtetësinë e aferave të denoncuara në vite u njoftuam dhe me “akuzat” për korrupsion me fondet e bujqësisë dhe hetimin e OLAF (zyrës së hetimit të fondeve të BE).

Shqipëria ka pasur një rrugëtim ta vështirë në procesin e përthithjes së fondeve ta BE, në shumë raste institucionet shqiptare kanë qenë të paafta për të përgatitur e zbatuar projekte të qëndrueshme, një pjesë e madhe e fondeve ka shkuar për asistencë teknike, të tjera janë dhe keqpërdorur apo dhe projekte që janë tërhequr zvarra më vite kurrë nuk kish ndodhur që të kishte një hetim për fonde dhe pezullim te programit me akuza për korrupsion.

Në pak fjalë pazotësia jonë ishte shndërruar në një korrupsion duke e përkeqësuar situatën.

Strukturat e AZHBR janë akredituar në vite për të përfituar nga fondet e IPARD, me qindra punonjës të trajnuar e certifikuar nga 2018 kanë filluar të punojnë në mënyrë të decentralizuar, pra të pavarur nga institucionet e BE, në marrjen e vendimeve për projektet dhe në zbatimin e tyre.

Në dhjetor të vitit të kaluar pata një diskutim me përfaqësues të qeverisë në parlament pikërisht për këtë temë ku kërkova informacion për fondet e bujqësisë: çfarë po ndodh dhe si ka mundësi këto fonde janë të pamundura të përfitohen nga fermerë individualë por shkojnë ose te grumbullues të mëdhenj në rastin më të mirë, ose në përfitues abuzivë në rastin më të keq.

Letra e dërguar institucioneve shqiptare ku akuzat për korrupsion, ngritja e kompanive përfituese abuzive, rritja e kostove, lidhjet nepotike në projektet me fondet e IPARD ishte e paprecedentë dhe në vend të ofronte informacion e transparencë qeveria përsëri hodhi baltën e sulmin kundër kujtdo që fliste për këtë.

Unë jam mësuar këto vite ta duroj dhe sulmin e padrejtë vetëm pse kam denoncuar korrupsion, dhe baltën e qeverisë sa herë kam folur të vërteta dhe mos reflektimin në portale, dhe lukuninë e komentuesve në kanalet digjitale, sa here kam denoncuar korrupsionin e rrugëve a lojërat e fatit ose sa herë kam folur për inceneratorët në një betejë të gjatë prej 7 vitesh ku pak flisnin, por të dëgjoja në parlament që duhet të më vinte turp mua për korrupsionin e faktuar të qeverisë se kisha hasur ndonjëherë.

Njolla ndaj AZHBR nuk është veç njollë për qeverinë apo për këdo që ka qenë në postin drejtues të këtij institucioni. Ajo është një njollë ndaj Shqipërisë, përpjekjes së çdo shqiptari të ndershëm që punon në këto institucioneve. Ajo është një njollë që mbështet padrejtësinë ndaj bujqve dhe fermerëve të këtij vendi që rropaten përditë dhe nuk përfitojnë nga fondet e BE-së që vijnë për to. Mbi të gjitha është një njollë që e mbart si kusur mbi shpinë Shqipëria që sot ka marrë një paralajmërim me pezullim projektesh dhe fondesh duke iu hequr mundësia për disbursimit e fondit prej 148 mln euro dhe sigurisht dhe përfitimit të fondeve në të ardhmen.

Për këtë arsye nga mesi i muajit korrikut kur kjo aferë u bë publike kam nisur kërkesa për informacion në institucioneve shqiptare nga të cilat po pres përgjigje nga dita në ditë. Sikundër jam drejtuar dhe zyrës së OLAF dhe Komisionerit për Bujqësinë për të marrë më shumë i formacion në lidhje me këtë hetim. Jam në kontakt me komitetin për buxhetin në parlamentin Europian si dhe me nën-komisionin për kontrollin e financave po në PE.

Raporti me gjasë nuk do të jetë publik, do t’i vendoset në dispozicion shtetit shqiptar dhe SPAK i redaktuar duke ruajtur dhe privatësinë e të dhënave (se BE ndryshe nga ne ka ligje që sigurojnë privatësi, ndërkohë që institucionet tona i kanë varur në tel të gjitha të dhënat e shqiptarëve), por unë jam e vendosur që të bëj transparencë për këtë çështje me aq informacion sa do të marr. Një transparencë që ka për synim për të dëshmuar se si këneta e korrupsionit progresiv të kësaj mazhorance operon me çdolloj fondi.

Kjo nuk është një çështje e qeverisë shqiptare, kjo është një çështje e Shqipërisë! Fermerët shqiptarë nuk janë njerëzit më të pasur në Shqipëri, madje nuk janë as më pak të pasurit. Ata janë më të varfrit dhe më të lënët pasdore. Ndjehem ligsht sa herë që Shqipëria përmendet për keq e sa herë fonde abuzohen me papërgjegjshmërinë më të madhe e me arrogancën maksimale.

Më poshtë letra dërguar OLAF dhe Komisionerit të Bujqësisë!

SHKARKO APP