Jorida Tabaku: Shqipëria e vogël, me ego elefanti!

Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me idenë e prezantuar nga kryeminstri Edi Rama, për krijimin e një shteti bektashian në Tiranë.

Nga Jorida Tabaku

Shqipëria ka kontribuar shumë në shërbim të paqes, tolerancës (jo vetëm fetare) dhe harmonisë.
Një vend i mbushur me probleme dhe shqetësime të shumta nga një kulturë politike toksike, ka pasur gjithmonë një pasaportë në harmoninë fetare. Aq e konsoliduar, fatmirësisht, ka qenë kjo harmoni mes religjioneve, saqë jo vetëm që asnjë hebre nuk u dërgua në kampet e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, por gjithashtu respekti ndaj këtij komuniteti ka qenë i rrënjosur thellë në traditën tonë.
Aq e ngulitur në vetëdijen tonë kombëtare ka qenë kjo harmoni, saqë, edhe kur në rrugët e Francës kjo harmoni paraqitej për arsye propagandistike personale, nuk e prishi kurrë punën. Shqipëria ka vuajtur shumë, por fatmirësisht kurrë nga ndasitë e thella dhe polarizuese fetare. Populli ka një thënie të urtë: “Më mirë prishet!”
Ditët e fundit, media ndërkombëtare ka transmetuar një intervistë të kryeministrit për një projekt “ala Vatikan” të komunitetit Bektashi. Projekti erdhi si një pusullë kaosi, ndërsa vendi është zhytur në një spirale krize të thellë ekonomike dhe sociale, si pasojë e një qeverisjeje të mbushur me skandale dhe korrupsion. Vjen në një çast kur qytetarët janë në zgripin e një krize financiare dhe ekonomike, dhe po largohen nga vendi.
Me pak fjalë, sfidat për një qeveri që mendon për shqiptarët janë të mëdha dhe në lartësinë e duhur për një kryeministër që pretendon të ketë aftësi për t’iu përgjigjur atyre, por që aspak çuditërisht nuk po i përgjigjet. Në një kohë kur shqiptarët kërkojnë zgjidhje reale për varfërinë dhe largimin masiv të rinisë, qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin e ekonomisë dhe në zbutjen e krizave sociale, jo në projekte iluzive që nuk kanë lidhje me nevojat e vërteta të vendit.
Nuk është hera e parë që Shqipëria e vogël ka egon e elefantit. Pak kohë më parë, gjatë presidencës sonë në OSBE, ndërsa vendi ishte në një krizë korrupsioni, kryeministri ishte i angazhuar në telefonata të gjata me ministrin e jashtëm Lavrov për të “zgjidhur çështjen e Bjellorusisë”. Kështu, ai pretendonte të zgjidhte çështjen e zgjedhjeve të vjedhura në Bjellorusi. Disa muaj më vonë, ndërsa në vend u zbulua një tjetër aferë korruptive, kryeministri prapë u përfol nga media si mediatori i krizës mes Greqisë dhe Turqisë.
Në media u pompua debati dhe shqiptarët morën “cirkun dhe bukën” që shkolla e “politikës” së Romës së Lashtë ofronte në kësi rastesh. Ndërkohë që mes Turqisë dhe Greqisë, ishin zhvilluar rreth 60 raunde bisedimesh që kishin dështuar, Shqipëria e vogël me egon e elefantit premtoi të negociojë për t’i dhënë zgjidhje. Pak rëndësi ka fakti që vetë Shqipëria përfundoi duke prishur marrëdhëniet me Greqinë, duke bllokuar për dy vite procesin e integrimit. Njeriu i pakteve, i vendosur përpara përgjegjësisë, dështoi kur i erdhi patatja e nxehtë në dorë!
Gjithsesi, nëse kjo është një skemë propagande për të tërhequr vëmendjen dhe për të ndërtuar një mit, apo një skemë për të ndërtuar realisht një shtet eksperimental, e gjitha kjo është shqetësuese. Nëse harmonia jonë fetare, etnike dhe racore ekziston, kjo nuk ka nevojë të destabilizohet nga ëndrrat megallomane të askujt.
Këtë herë, ajo balancë dhe harmoni fetare, ai thesar i çmuar që duhet ta ruajmë dhe konservojmë, ka shkaktuar për herë të parë debat, sepse dikush në qeveri me pushtet ka dashur t’ua marrë atë shqiptarëve për ta veshur si gjerdanin dhe meritën e tij personale. Duke luajtur me të si fëmijë.
Shqiptarët nuk janë aq fanatikë fetarë, por harmoninë fetare e konsiderojnë diçka të tyre që e ruajnë me fanatizëm. Pa dashur t’u preket, pa dashur t’u shndërrohet në një shtet me pushtet. Pasi, mbase, kjo është një nga ato pak gjëra që kanë realisht ato vetë dhe e manaxhojnë vetë pa futur hundën askush me pushtet.
Në një kohë kur qytetarët po vuajnë nga papunësia, kriza ekonomike dhe mungesa e shërbimeve bazë, qeveria ka zgjedhur të fokusohet në projekte që nuk kanë lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve. Qeverisja jonë duhet të bazohet në prioritete të qarta: rritja e mirëqenies, zhvillimi ekonomik dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve.

 

SHKARKO APP