Jorida Tabaku takim me Sorecën, në fokus Integrimi: Amnistia Fiskale përbën “vijën e kuqe” të BE dhe PD
I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadori, Luigi Soreca, u takua ditën e sotme me kryetaren e komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku. Në fokus të diskutimit të tyre ishin temat e nxehta që lidhen me çështjet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Tabaku vlerësoi vullnetin politik të Presidentes Von Der Leyen në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu edhe për integrimin e Ukrainës. Më tej ajo shtoi se qeveria shqiptare duhet të ketë angazhime serioze për të mos u investuar në projektligje që janë shqetësim për vendin dhe gjithashtu edhe Brukselin. Ajo e vuri theksin në angazhimin e qeverisë për Amnistinë Fiskale që jo rrallë është marrë publikisht nga mazhoranca dhe që përbën një vijë të kuqe të BE dhe Partisë Demokratike.
Fokus të veçantë për të dyja palët kishte dhe ligji i ri për Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, ndryshuar me nismën e znj Tabaku, ku përforcohej edhe më shumë roli i parlamentit. Një përpjekje, siç e shpjegoi ajo, që qytetari shqiptar të përfitojë realisht nga një proces që duket shumë teknokrat kur në fakt është një proces për shqiptarët.
Me shqetësim deputetja Tabaku foli edhe në lidhje me fondet IPARD që në fakt janë dëshmi e një situate problematike në raport të integritetit të vendit tonë në sytë e familjes Europiane. Në planin e komisionit që ajo drejton, u shpreh deputetja demokrate, do jetë në fokus një analizë dhe një dëgjesë e gjatë publike me manxhimin e këtyre fondeve nga AZHBR.
Goditjet e SPAK, sipas deputetes demokrate, jo vetëm detyruan kryeministrin Edi Rama që të bëjë ndryshime jetike në qeveri por edhe në forcën e tij politike. Deputetja Tabaku u shpreh se qëllimi i Reformës në Drejtësi ka qenë heqja dorë e politikës për të ndikuar në drejtësi dhe kjo duhet të vazhdojë për të qenë një vijë e kuqe që nuk duhet tejkaluar.