Juristët: Dosjet e korrupsionit do mbyllen me “pafajësi”

Flasin për “Koha Jonë”, juristët: “Ngërçi, sjell një drejtësi të vonuar dhe kosto të pafundme për qytetarët”

Nga: Redjon Shtylla

Kushtetuta e re është e pazbatueshme edhe pse politika e cilëson si arritje miratimin e ndryshimeve kushtetuese që lidhen me reformën në drejtësi. Edhe pse Kuvendi miratoi me konsensus dhe pa të, ndryshimet kushtetuese, ngërçi ka bllokuar aktivitetin e institucioneve të reja. Për këtë problem kanë reaguar si Presidenti i Republikës dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, të cilët janë shprehur se, aspekti procedural është thelbësor për Kushtetutën e re dhe kjo çështje duhet të zgjidhet. Të njëjtin alarm japin edhe juristët, të cilët deklarojnë se Kushtetuta e re bie ndesh me ligjet e vjetra, pasi mungojnë dispozitat kalimtare që lejojnë krerët e institucioneve ligjzbatuese të veprojnë. Një skandal të vërtetë e kanë cilësuar ata mungesën e dispozitave kalimtare, duke kritikuar deputetët e Parlamentit shqiptar se nuk i kanë lexuar ndryshimet e reja kushtetuese kur janë hartuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një prononcim për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur, Sokol Hazizaj, nënvizon se mungesa e seriozitetit të formatuesve të ndryshimeve kushtetuese të fundit, tregon që procesi i konfliktualitetit kushtetues do të jetë një proces në vijim. “Në vendin tonë ekziston një konflikt më i madh”, pohon juristi Hazizaj, e sipas tij është ajo midis dëshirës dhe përfaqësimit. “Konflikti midis një realiteti tërësisht jo ligjor me drafte ligjore apo ligje, të cilat në mungesë të vullnetit për t’u zbatuar janë nul. Mungesa e forcës zbatuese të institucionit të hetimit, prokurorisë, nuk vjen për shkak të inefiçencës saj tradicionale, por thjesht dhe për shkak të vullnetit ligjbërës të shprehur në kushtetutë”,- deklaron Hazizaj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana tjetër, juristi Idajet Beqiri, përveç shqetësimit për ngërçin, shton se pas shkrirjes së Prokurorisë së Përgjithshme, organi i akuzës nuk heton dot zyrtarë të lartë, deputetë, ministra apo qofshin ata gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. “Prokurori kishte për detyrë të hetonte dhe të çonte në gjyq funksionarë të lartë të shtetit, nuk “qullosi” dot ndonjë gjë! Madje, për turpin e saj, të gjitha proceset e hapura, ju mbyllën me “pafajësi” dhe pushime gjykimi prej Gjykatës së Lartë”,- deklaroi juristi.

Avokati Sajmir Vishaj përcjell të njëjtin shqetësim. Ai thotë se kjo Kushtetutë, kur është hartuar, nuk është parë me detaje deri ditën e miratimit të saj. Vishaj tha se, Kushtetuta do ketë probleme edhe pas miratimit të 7 ligjeve. “Deputetët e votuan Kushtetutën pa e parë në detaje. Kushtetuta ka shumë probleme, e cila do të hasë shumë vështirësi në zbatim. Edhe pas miratimit të 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe në zbatimin e dispozitave kalimtare. Ky është një shqetësim i drejtë i ngritur nga kryeprokurori. Aktualisht janë shumë çështje në dorë që kanë të bëjnë me korrupsionin ose me krimin e organizuar, për të cilat duhet të merret SPAK”.

Edhe për juristin Jordan Daku, ngërçi sjell një stok të çështjeve në gjykatat e reja që edhe sot pengojnë funksionimin normal të tyre, duke u bërë shkak për drejtësi të vonuar dhe kosto të pafundme për qytetarët.

 

Idajet Beqiri

“Proceset e hapura, u mbyllën me pafajësi dhe jemi në një ngërç ligjor”

Juristi Beqiri, hedh akuza se zyrtarë të lartë të shtetit, deputetë, ministra, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të hetohen kjo sepse prokurori nuk mund të veprojë dot më, pasi nuk e lejon Kushtetuta aktuale e Republikës. “Deri në 5 gusht, Prokuroria e Përgjithshme ishte kompetente për të vepruar në këtë drejtim, domethënë kur kjo Prokurori kishte për detyrë të hetonte dhe të çonte në gjyq funksionarë të lartë të shtetit, nuk “qullosi” dot ndonjë gjë! Madje, për turpin e saj, të gjitha proceset e hapura, ju mbyllën me “pafajësi” dhe pushime gjykimi prej Gjykatës së Lartë”. Jemi në një “ngërç” ligjor, shton Beqiri, pasi nuk është formësuar SPAK, ku nuk është miratuar ligji organik për këtë institucion, siç e parashikon Kushtetuta, nuk mund të veprojnë dot organet që i kishin këto koncepte. “Ky vakum juridik u krijua sepse “teknicienët” juridik në Ministrinë e Drejtësisë, në Komisionin e Reformës në drejtësi, në Komisionin e ligjeve dhe në vet Kuvendin e Shqipërisë, u treguan sylesh dhe nuk ditën të formulojnë dispozitat e fundit dhe kalimtare të ndryshimeve kushtetuese.

Idajet-Beqirii1

Me ndryshimet Kushtetuese, të drejtën për të urdhëruar inspektime në prokurorit gjyqësore, si dhe kompetencën për emërimet, shkarkimet, transferimet, komandimit etj., të prokurorëve apo oficerëve të policisë gjyqësore, tashmë e ka institucioni i ri që është krijuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Edhe ky institucion nuk është ngritur, sepse ende nuk është miratuar ligji organik për krijimin e këtij organi. Pse ndodhi kështu?! Ndodhi sepse nuk ka sesi të ndodh ndryshe, kur gjërat madhore lihen për t’u trajtuar me ngut dhe në minutën e fundit kohore të afatit të përcaktuar për të mbyllur procedurat e miratimit të ligjit themeltar të shtetit apo të ligjeve të tjera në zbatim të Kushtetutës”. E ka cilësuar si një fenomen negativ situata e krijuar, e cila sipas juristit ndodh për shkak të paaftësisë së madhe. Ai shton se, “kjo është një arsye më shumë pse duhet të bëhet shpejt dhe me cilësi të lartë procesi i Vetting”-ut.

Thirrja e tij shkon për Kuvendin e Shqipërisë. Beqiri deklaron se: “Kuvendi i Shqipërisë duhet të mblidhet urgjentisht për të kapërcyer këtë ngërç juridik dhe duke bërë plotësimin e neneve të dispozitave kalimtare dhe të fundit të Kushtetutës. Ose të shpejtoj miratimin e ligjeve të SPAK dhe të KLP…, por kjo është e pamundur për arsye kohe dhe efektet e këtij ngërçi juridik do të ishin me pasoja të rënda për organin e rëndësishëm të akuzës në Shqipëri”.

 

Jordan Daci

“Ngërçi, sjell një drejtësi të vonuar dhe kosto të pafundme për qytetarët”

Juristi i Jordan Daci, ngreh shqetësimet se ndryshimet e fundit që ka pësuar Kushtetuta, duke pohuar se është zgjedhur një modë krejtësisht e pazakontë kushtetuese. “Duke i shndërruar normat kushtetuese në norma që detajojnë imtësisht kompetencat, si dhe shtesa edhe e aneksit ose shtojcës shqip. Aneksi Kushtetues është unik në llojin e tij në gjithë botën dhe nga pikëpamja e teknikës legjislative mund të ishte realizuar njëlloj me një ligj kushtetues, pa cenuar formën dhe strukturën klasike të kushtetues”. Nga ana tjetër, Daci shton se futja në Kushtetutë të dispozitave të natyrës jo kushtetuese si ato procedurale etj., përveçse nuk është e zakontë, krijon kushte për lindjen e problemeve për zbatimin e tyre.  “Gjithmonë lë vend për dyshime mbi përputhshmërinë e këtyre dispozitave “kushtetuese” me ligjet që dalin në bazë dhe zbatim të tyre. Në thelb, këto ndryshime kushtetuese sidomos për sa i përket organit të akuzës, kërkojnë jo vetëm miratimin e ligjeve që janë parashikuar tashmë, por edhe ndryshimin e disa ligjeve të tjera duke përfshirë Kodin e Procedurës Penale etj.”.

Jordan Daci

Alarmi që jep edhe Daci bashkohet me atë që Presidenti Bujar Nishani ka pohuar, që edhe juristi e cilëson organin e ri të akuzës, “krejtësisht të rikonceptuar tërësisht ose sistem bipolar, pasi krahas Prokurorit të Përgjithshëm kemi edhe Prokurorinë e Posaçme dhe Njësinë e Posaçme. Është e pavarur nga prokurori i përgjithshëm dhe i hap rrugë ndryshimit të perceptimit të organit të akuzës, ku pasqyrohet edhe në projektligjet e priten të miratohen”.

Hendeku që ka kapur institucionet që nuk po gjejnë zbatim, juristi Daci e lidh këtë ngjarje edhe me miratimin e Ligjit për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Juristi ka pohuar se: “Kjo çoi në nxjerrjen e një vendimi unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili në thelb nuk kishte bazë ligjore dhe binte ndesh me parimet e njohura të së drejtës dhe që u bë shkak për krijim të një stoku çështjet në gjykatat e reja që edhe sot pengon funksionimin normal të tyre dhe u bë shkak për drejtësi të vonuar dhe kosto të pafundme për qytetarët”.

Më tej, Daci veçon se mungesa e tyre në ndryshimet e miratuar është një gabim trashanik i hartuesve dhe i miratuesve njëkohësisht. “Një ndryshim kushtetues i miratuar nga Kuvendi që bie ndesh të themi me parimet e përgjithshme kushtetuese, është antikushtetues dhe si i tillë duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese pasi ndryshe Kushtetuta do ishte e pazbatueshme. Shfuqizimi bëhet për të siguruar pajtueshmërinë e dispozitave dhe parimin e kushtetueshmërisë si vazhdimësi e parimit të ligjshmërisë”. Në fund ai shton se: “Ky parashikim është për mua tërësisht absurd dhe ka vetëm një qëllim, çimentimin e vendimit të Kuvendit ose politikës pavarësisht sesa ajo pajtohet me rendin pararendës kushtetues”.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?